Aktualitet

Makina betonieresh, të cilat nuk janë lavatriçe të përgatitjes së llaçit e betonit, por të pastrimit të miliardave të zeza

Vetëm pak ditë më parë, televizioni gjerman ZDF, në një dokumentar kushtuar zhvillimeve të fundit në vendin tonë, theksonte se vendi ynë është shndërruar në një lavatriçe gjigante të pastrimit të parave, të cilat burojnë nga krimi i organizuar dhe korrupsioni galopant.

Më herët edhe në raportin e fundit për Shqipërinë, të njëjtën gjë theksonte me alarm edhe Departamenti i Shtetit të SHBA dhe Indeksi i Bazelit. Gati në të gjitha raportet ndërkombëtare, veçanërisht në ato të institucioneve ekonomike si Banka Botërore dhe FMN hidhen dyshime të forta, se vrulli i pazakontë, kaosi i sektorit të ndërtimit në Shqipëri dhe bumi i lejeve të ndërtimit, si dhe çmimet e larta artficiale ka të bëjnë pikërisht, me pastrimin e parave të zeza.

Gjithashtu në kronikën e datës 10 Shkurt të këtij viti, një investigim i televizionit italian RAI3 kishte mbërritur në përfundimin se: “Në Shqipëri kanë hyrë shumë para nga trafikimi i jashtëligjshëm, si droga dhe prostitucioni. Një pjesë e mirë e ndërtimeve të bëra në vend kanë ardhur, si rezultat i këtyre të ardhurave”. 

Image

Edhe ditën e sotme në një shkrim të revistës “Monitor” citohet agjencia prestigjioze “Mercer” e cila thotë se Tirana, kryeqyteti me cilësinë më të keqe të jetës në Europë, “çuditërisht” po pëson një bum ndërtimesh me çmime “absurde”.

Në të njëjtin artikull citohet edhe  agjencia Colliers International Albania, e cila vepron në industrinë e shërbimeve të pasurive të paluajtshme. Ajo thekson se sipërfaqja totale e parashikuar të ndërtohet gjatë 5 viteve të ardhshme (duke supozuar ecuri normale të ndërtimit) në zonat qendrore të Tiranës (projekte të një shkalle të caktuar) është vlerësuar të jetë rreth 538,000 m².

“Po ndërtohet në mënyrë të frikshme jashtë çdo logjike tregu”, thotë Stela Dhami, partnere menaxhuese e Colliers International.

Dhami parashikon që brenda dy vitesh të ketë një flluskë e cila do të shpërthejë në këtë sektor, pasi po ndërtohet pa asnjë lloj kriteri dhe logjike tregu. Por një logjikë në fakt e ka e gjitha kjo që po ndodh, jo vetëm në Tiranë. Bëhet fjalë për një skemë gjigante të pastrimit të parave të krimit dhe korrupsionit.

Të gjithë këtë situatë e përmbledh pa pasur nevojë për koment, një foto e kapur pikërisht në ditën zyrtare të verës më 14 Mars, në Rrugën e Kavajës. Një vargan i gjatë me makina betonieresh, të cilat në fakt nuk janë lavatriçe të përgatitjes së llaçit e betonit, por të pastrimit të miliardave të zeza të ci;at po infiltrohen me shpejtësi në ekonominë shqiptare./ syri.net/

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?