“Dielli nuk mbytet”-Poezi nga Ida M. Nika.

Eshte dita e verës?

po këtu ditët s’kanë emra
dhe pranvera ndonjëherë
harron të vijë…

…ja i nisa
dallëndyshet e dëshirës
të të cicërijnë në sy
po si t’ia bëj të të çel në duar
të më ndjesh aromën?

Fotografia e Ida M. Nika

Më ndjeve në ëndërr?

Erdha hyra, me hapa të lehtë
ta lash zemrën e ngrirë në duar
dhe ti i shkrive akujt me frymë
manushaqet që më flinin nën lëkurë
u zgjuan nga gjumi përnjëherë

ethesh të çartura dorëzuar
në atë shtrat të gjerë sa një gjoks
brenda një dite të gjatë sa një jetë
harkuar nën harpën e pasionit
shkrirë nën të njëjtin ritëm qiellor
që veç ëndrra e nxë…

erdha t’u futa në ëndërr
me hapa dhe zemër aq të lehtë
sa kam frikë nuk do më kesh ndjerë
dhe pse ishte aq bukur…

Rezultate imazhesh për enderr

DO KISHA DASHUR

të të doja si dua
si do dashuria
duke zbritur përditë e nganjë shkallë
deri në fundin e shpirtit
të të hyja në dhomëzat e zemrës
t’u hapja kanatet harruar kushedi qëkur mbyllur
t’i ajrosja
me frymën që do më jepje,

në dritë të syrit të të shihja
sapo të hapja sytë
të zbrisja deri në fundin e pusit
të të pija pikë më pikë
deri në fund

por unë…
nuk di të dua përgjysmë.

Fotografia e Ida M. Nika


Ne jemi fëmijë që s’duan të rriten

një jetë me lodra nëpër duar
tani luajmë me njeri tjetrin
dorëzuar marramendtheve të çastit 
derisa çasti jep frymë

vetes i pëshpërisim në vesh
fjalët e mbetura pa thënë
këndojmë këngët e pakënduara
përpiqemi t’i themi me shkrim
ato që me gojë s’guxojmë

ne kemi mbetur fëmijë
shohim ëndrra me sy hapur si ata
përpiqemi të fluturojmë drejt stinëve të ngrohta
me sy, pa i matur largësitë

ndezim zjarre kur ndjehemi ftohtë
dhe i ushqejmë me duart e dridhura
kur lulet dhe zogjtë mungojnë
marrim penelat i pikturojmë
në kanvasën e kaltër të qiellit

për sa kohë një zemër e vockël
na rreh në gjoks
nuk kemi për t’u rritur.

Fotografia e Ida M. Nika

DIELLI NUK MBYTET

luan kukamfshehti me njerëzit

edhe kur ikën
është aty i padukshëm
ti e pret
me orë
me javë
me muaj nganjëherë
me vite

vjen 
të gjen pa mëndje
atëherë kur ishe lodhur së prituri
të shkel syrin
nga një cep i qiellit

ti e njeh
i buzëqesh
i dorëzohesh pa kushte
ai fillon të ledhaton
me gishtat e vet
mijëra kilometra të gjatë
të hyn nëpër flokë
t’i shpupuris
të depërton nëpër pore
të hyn nën lëkure

limfë e bardhë
rrjedh e ngrohtë brenda teje
e ti ndjen jetën 
në fund të barkut
sesi lëviz
zgjohet

יְהִי אוֹר

“Le të bëhet dritë”
e dritë bëhet
mbi ujrat e ngrira
e t’i puth fjalët në buzë
nga e para…

në këtë botë ku asgjë 
ndonjëherë nuk ka humbur
si mund të humbi dielli?

FLI ZEMER

fli dhe pak

nën jastëk të kam palosur një ëndërr
zgjat dorën e përgjumur dhe merre
sa të hapësh sytë
me aromë temjani dhe lulesh 
stërpikur qerpik më qerpik

por fli edhe pak
kur flejmë jemi më të bukur

jemi ti dhe unë, një jetë më parë
me flokët lëshuar mbi supe
me vështrimet e ndezura,
me hapin e sigurt

një shtegu ku s’na ka rënë rruga ende
i jemi ngjitur përdore
e ndoshta këtë herë
arrijmë në vendtakimin e vjetër
aty ku u nisëm
e na pret e njëjta ëndërr

ditët janë zgjatur nga malli
dhe ky dimër s’do të na lërë
por ne jetojmë një stinë të pakohë
fli dhe pak zemër

kur të zgjohesh një shtojë manushaqesh
do të të kem shtruar tek këmbët…