Agron Duka: PAA është në krah të atyre që kërkojnë ndryshim

0

Një ditë para protestës së opozitës para Kryeministrisë, kreu i PAA, Agron Duka shprehet se forca politike që ai drejton së bashku me mbështetësit do jenë në krah të gjithë atyre që kërkojnë ndryshim.

Përmes një postimi në Facebook, Agron Duka thotë se largimi i opozitës nga Parlamenti i ka dhënë krizës politike përmasa të tilla, që mund ta çojnë vendin në dy drejtime krejt të kundërta.

“Drejtimi i parë është ai i rrezikut që pushteti aktual të bëhet edhe më total, duke kontrolluar të gjitha fushat e jetës politike, edhe ato pak hapësira që kishte në dorë opozita. Drejtimi i dytë është ai i rimëkëmbjes së jetës normale të vendit’- thotë ndër të tjera Duka.

Postimi i plotë: 

Më pak se 24 orë na ndajnë nga protesta e të shtunës, ku edhe një herë bulevardi do të mbushet me qindra e mijëra shqiptarë. Edhe një herë, ne si PAA do të jemi në krah të gjithë atyre që kërkojnë ndryshim.

Largimi i opozitës nga Parlamenti i ka dhënë krizës politike përmasa të tilla, që mund ta çojnë vendin në dy drejtime krejt të kundërta dhe vetëm një hipokrit i pamend do ta mohonte realitetin e errët të këtij çasti.

Drejtimi i parë është ai i rrezikut që pushteti aktual të bëhet edhe më total, duke kontrolluar të gjitha fushat e jetës politike, edhe ato pak hapësira që kishte në dorë opozita.

Drejtimi i dytë është ai i rimëkëmbjes së jetës normale të vendit, nëpërmjet një aleance të sinqertë të të majtëve, të djathtëve dhe të gjithë atyre që janë zhgënjyer nga ky sistem i padrejtë përfaqësimi. Një drejtim në të cilin nuk bashkohemi për të ndryshuar një qeveri, por për t’i dhënë fund pushtetit që gëzon jo vetëm falë kriminalizimit të politikës, por edhe si pasojë e ndryshimeve kushtetuese të 2008-ës. Zotimi i shumëpritur i opozitës për të zhbërë këtë sistem të përçudnuar është sot garancia e vetme që orët e zeza të shoqërisë sonë të marrin fund.

Si të gjithë ju, unë e dua vendin tim. Këtu kam mësuar nga im at profesionin e agronomit, këtu kam krijuar familjen time, miqësitë e mia, këtu kam zhvilluar pasionin për të qenë përfaqësuesi i përulur i të gjithë atyre që më kanë dhënë besimin në këto vite. Si i tillë, do të jem nesër me ju, për të kërkuar njëzëri realizimin e aspiratës të mohuar në këtë tranzicion të gjatë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për një sistem zgjedhor realisht demokratik, për një përfaqësim dinjitoz të vullnetit qytetar në të gjitha sferat e vendimmarrjes, për një aleancë të sinqertë nëpërmjet të cilës të shërojmë plagët e një shoqërie të ndarë, të varfëruar dhe të harruar.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

About The Author