Njeriu i Soros, Fleckenstein: Po humbas durimin me qëndrimin e deputetëve të opozitës.

Delegacioni i Parlamentit Europian ka zhvilluar një takim sot me kreun e Kuvendit Gramoz Ruçi. Në qendër të diskutimeve, ka qenë aktualiteti dhe kriza politike në vend. Ruçi ka thënë se qeveria është legjitime pasi rezultati i zgjedhjeve të vitit 2017 u certifikua nga 100% e komisionerëve të opozitës.

Ndërkohë, raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein ka thënë se po humbet durimin me qëndrimin e deputetëve të opozitës, ndërsa kishte edhe një mesazh të drejtpërdrejtë për Monika Kryemadhin.

“Po humbas durimin nga qëndrimi i deputetëve të opozitës. Protestat të ruajnë qetësinë. Pamjet e protestave vonojnë integrimin. Thirrje Këshillit Europian të vlerësojë arritjet e Shqipërisë.  Zonja e parë e vendit nuk duhet të pengojë negociatat”, është shprehur Fleckenstein.

Ndërkohë, kryesuesi i delegacionit të PE-së, Tunne Kelam, e quajti situatën aktuale politike në Shqipëri, si një përpjekje për të vonuar çeljen e negociata për integrimin në Bashkimin Evropian.

“PE mbetet mbështetës i madh i anëtarësimit të Shqipërisë. Përpjekjet për të vonuar çeljen e negociatave nuk kanë mbështetjen tonë. Reforma në drejtësi, thelbësore për qeverisjen dhe besimin e qytetarëve”, është shprehur ai.

Delagacioni i Parlamentit Europian ka ardhur dje në Tiranë ku zhvilloi takime me Bashën dhe Kryemadhin, e më pas me Ministrin e Brendshëm Lleshaj, kryeministrin Edi Rama dhe Ministrin e Jashtëm Gent Cakaj. Sot rreth orës 10:30 pritet që të dalin në një deklaratë për shtyp./Opinion.al