Lefter Koka, kundër LSI: Do të mbaj mandatin e deputetit

Deputeti Lefter Koka ka vendosur që të kundërshtojë vendimin e grupit, duke mos e djegur mandatin e tij, të fituar në qytetin e Durrësit.

Nuk dihet nëse ai do ti bashkohet PS-së si ish-kolegu i tij Robert Bitri, apo do të bëjë opozitarin fallco në përbërjen e ri të parlamentit pa pakicë.

Ndërkohë që për këtë çështje ai ka dhënë dhe një intervistë për gazetën lokale në Durrës, Bulevard, ku shprehet se nuk ka motiv për të djegur mandatin.

Vetë LSI nuk ka dhënë një deklaratë lidhur me këtë qëndrim kundër të Kokës, ndërsa tha pas mbledhjes se vendimi për të djegur mandatin ishte unanim.

E pyetur në “360 gardë” nëse vendimi ishte unanim Kryemadhi është shprehur se Koka nuk ka qenë në mbledhje: Përveç Lefter Kokës që nuk ishte në mbledhje, nuk tha se ishte kundër por nuk ishte i pranishëm, të gjithë deputetët e tjerë ishin dakord.

Më herët ajo u shpreh se LSI gjithnjë ka qenë kundër djegies së mandateve pas zgjedhjeve të parakohshme, por pas situatës së ndodhur në vend, si dhe pas ngjarjeve në protestë kur pa sesi “u helmuan qytetarët jo me gaz lotsjellës por me helme kimike”, vendosën që tashmë opozita nuk ka më asnjë alternativë, veçse këtij vendimi.