“I humba të gjitha”-Poezi nga Adela Hoxha.

I humba të gjitha dhe lotët i humba,

Buzë detit anije shprese

letre zhubravitur nga era e viteve

Nga era e shpirtit venitur…

I humba në ditët me ylber pikturuar qiellit

Në ditët e dëshirës, zjarrit, breshërit

I humba në humnerë ndjenjash ujvarë kohës arratisur

… Pas mallit, harrimit, në folenë e zemrës braktisur!

I humba…

E mbylla atë faqe lënë përgjysëm,

Si ditët mbuluar me përtesë,

Në kopështin e zemrës gjelbëruar

Më pret, të harroj, e prapë të pres!

Një motiv dimri e gjen kudo; në një pikë shiu, në ditët mbuluar me përtesë, në një petal bore, që pret një rreze dielli të shtriqet mbi gjethe. Në një ibrik, që vlon e lëpin me avull kujtimet, të cilat duken sikur udhëtojnë në një hapësirë, ku koha nuk matet, e lënë rrugës heshtjen e tyre të bardhë…

-Ishte ndoshta hera e parë që ndihej e panjohur para vetvetes, si një udhëtim varur në ajër, mbuluar nga mjegulla e atij mëngjesi. Shpesh, kishte pikturuar një vizion mbështjellë me kujtimet e viteve, i cili vraponte me hapa të pazhurmshëm, në tërë qënien e asaj qetësie verore…
—————————
©adela

Muzika çon shpirtin në ekstazë.

Vetëm muzika e çon shpirtin tuaj në ekstazë, larg mendimit, kohës. Ajo zhbllokon çdo nyje emocioni. Eshtë pikërisht ajo, që i jep rrugë lotëve të fshehur pas xhamit në ditë dimri, e ngazëllon zemrën, në një mëngjes me diell Vere. Kur dëgjojmë të njëjtën muzikë, valëzojmë në të njëjtën frekuencë mendimi. Valëzo dhe ti në timen!
——————————

Kur rrezet e para të diellit prekin zemrën, shpirti poetik vrapon si i marrë. Ai do të futet tek ata që gjejnë dy minuta kohë, për të larguar mëndjen, në një fushë mendimi që quhet “art”
Fundjavë me diell mendor!