Nga Ilir Babaramo/ Aman nxirreni, qoftë dhe tek Ermali

Që prej thuajse një muaj emri i Genti Cakës ka kaluar kufijtë e legjendës dhe po kthehet në mit. Në historinë e shtetit shqiptar kurrë nuk është debatuar kaq shumë për emërimin e një ministri.

As Ahmet Zogu, kur dërgoi Faik Konicën ambasador në DC nuk ka përdorur kaq lëvdata sa Edi Rama për 28 vjeçarin që e bëri me përdhunë shef të diplomacisë shqiptare.

Kaq shumë polemika janë bërë sa pritshmëria e shqiptarëve ka arritur në pikën që pret të shikojë befasinë.

Në psikozën kolektive tashmë mbizotëron një lutje e përbashkët: ‘aman nxirreni, aman nxirreni në televizion që të kuptojmë se mrekullia ka ndodhur’. Por, për dreq Rama dhe të vetët po na e fshehin.

Psikozë të ngjashme kolektive ndesh vetëm tek ‘Kronikë në gur’. Kadare në mënyrë gjeniale përshkruan frikën, panikun nga legjenda se një grua, një grua e shenjtë me emrin Vasiliqi shoqëronte trupat greke që hynë në Gjirokastër.

Sipas medias më të pushtetshme të të gjitha kohërave, pëshpërimës, Vasiliqia ishte kaq e bukur, kaq e fortë,  kaq e frikshme sa mund të vriste me shikim çdo burrë. Paniku, gjithnjë sipas Kadaresë, pushtoi qytetin e gurtë. Në çdo shtëpi, ndërkohë që fëmijët i fshihnin në bodrume, prisnin me ankth se kur autoritetet pushtetuese do nxirrnin Vasiliqinë në Qafë të Pazarit që të bënte kërdinë.

Në fakt, Vasiliqia nuk doli nga kazerma. Ndoshta se shikimi i saj që kthente në gur çdo burrë nuk kishte dhe aq vlerë në qytetin, ku të vetmen gjë që ka me tepri është guri. Ose ndoshta nuk kishte ekzistuar kurrë. Ose ndoshta atëhere nuk qe shpikur televizioni si një dritare, ku mund të shikosh mrekullinë.

Por, nuk jemi në vitin 1940. Nëse anetë e atëhershme të Gjirokastrës nuk e panë dot qoftë dhe me dylbitë e tyre llahtarën e Vasiliqisë, tani jetojmë tjetër kohë. Mrekullitë mund t’i shikojmë në ekran.

Ndaj dhe lutja shkon për autoritetet e sotme: ‘aman nxirreni, nxirreni në televizion të dërguarin tek Ministria e Jashtme’. Nuk po kërkojmë të na tregoni të dërguarin e Zotit në tokë. Thjesht duam të shikojmë që mrekullia ka ndodhur, që sipas kryeministrit kemi një gjeni në krye të diplomacisë sonë.

Aman nxirreni në televizor, aman nxirreni që ta shohim, mbi të gjitha ta dëgjojmë. Ju lutem, mos na i fshihni Cakën si Kadareja Vasiliqinë.

Si mund të jetë një djalosh kaq i frikshëm?! Këtë pyetje kurrë s’do ta kisha bërë, nëse nuk do dëgjoja Baton Haxhiun të paralajmëronte botuesin legjendar të Koha Jonë: ‘Kujdes Nikollë, kur ta takosh Gentin, kujdes se ti nuk e përballon dot’.

Shtanga.

‘Ç’të jetë vallë ky djalë kaq i frikshëm?’, thashë me vete, ndërkohë që mendja më shkoi tek Vasiliqia. Për hir të vërtetës, Rama e ka mburrur më shumë. Në disa dalje të njëpasnjëshme në ekran, në vend të na nxirte Cakën, kryeministri dilte vetë çdo ditë si një i mrekulluar nga Caka. Fjalë aq të ndjera nuk gjen as në fjalimin e Hygoit mbi varrin e Balzakut.

Në fakt, Rama nuk është Hygo. Caka, falë Zotit nuk ka vdekur si Balzaku. Kështu që shqiptarët luten të dëgjojnë në televizion njeriun më të ditur që ka ndeshur në jetë kryeministri i tyre.

Jo një herë por disa herë, disa ditë rresht, duke na fshehur Cakën nga ekrani, Rama na thoshte se s’ka njohur njeri më të lexuar. Nazarko, i vetmi mbrojtës patetik i Ramës mund t’ia shpegojë relativitetin.

Më shkoqur: varet se me kë rri të të them se cili je… Pra, gjithnjë sipas teorisë së relativitetit, nëse rri me njerëz që nuk kanë lexuar asnjë libër ai që ka lexuar vetëm Çufon të duket shumë i ditur.

Nuk kemi përse të paragjykojmë. Ndaj presim të dëgjojmë sa i ditur është Caka. Le ta nxjerrin, more qoftë dhe tek Ermali, vetëm mos na i mbajnë fshehur si Vasiliqinë.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

About The Author