VIDEO/ Gjendet trupi pa jetë i vogëlushit Julen
Ekipet e shpëtimit në Spanjë arritën të nxjerrin trupin e foshnjes Julen Rosello, i cili u përpi nga një vrimë e thellë 100 metra më 13 janar 2019 ndërsa ishte duke shëtitur me prindërit e tij.
Përpjekjet e mëdha të ekipeve të shpëtimit në Spanjë nuk qenë të frytshme për ta nxjerrë gjallë fëmijën, por ato u karakterizuan nga kurajua e pashoqe, nga besimi dhe nga humanizmi më i lartë i 300 punëtorëve dhe minatorëve, që bënë të mundur që fëmija të mund të prehet në një varr ku prindërit e tij të mund ta qajnë.
Ky ishte një operacion i inxhinjerisë civile për arsye humanitare.
Julen, djali 2-vjeçar, që ra në një vrimë të thellë 100 metra në Totalan,në Malaga (Spanjë), më 13 janar, u gjet i vdekur në orët e para të së shtunës, në 1:25 pas 13 ditësh kërkimi intensiv.
Shërbimet e emergjencës kanë vënë në lëvizje trupën gjyqësore që do të hetojë çështjen dhe janë njoftuar sipas protokollit, prindërit e fëmijës.
Dy javë kaluan të mbushura me pasiguri dhe zhgënjim ndërkohë që pajisja gjigande shponte terrenin e fortë. Pas gjetjes së trupit pa jetë të Julenit, një ekip i Gardës Civile shkoi në një shtëpi në Totala, ku janë vendosur prindërit e fëmijës, Victoria Garcia dhe Jose Rosello. Po ashtu, edhe të afërmit që u vinin nga të gjitha anët.
Një makinë patrullimi e Gardës Civile me dritat e sirenave që përskuqnin natën u erdhi para portës, e depërtoi lajmin e hidhur brenda dhe tërhoqi vëmendjen e rreth 40 prsonave që po kalonin natën pranë prindërve të Julen për të treguar mbështetjen e tyre. Të gjithë ata u vendosën para shtëpisë në heshtje dhe pasi delegacioni i Qeverisë konfirmoi vdekjen, disa klithma erdhën nga shtëpia, që u pasuan nga përqafime ndërkohë që u përhap lajmi se fëmija ishte gjetur./syri/