Këta janë dy binjakët shqiptarët që “po çmendin” drejtësinë italiane

Eduard dhe Edmond Trushi, dy vëllezërit nga Shqipëria kanë arritur ti shpëtojnë për të disatën herë drejtësisë italiane, edhe pse mbi ta rëndojnë akuza për vjedhje prej disa vitesh. Binjakët Trushi arrijnë të lirohen vazhdimisht sepse ekspertizat ligjore nuk munden të përcaktojnë cili nga binjakët ka kryer krimin.

Sipas “La Repubblica”  vëllezërit që aktualisht janë rezidentë në Castiglione delle Stiviere, Mantova, mbajnë mbi shpatulla vite të tëra grabitjesh në të gjithë Italinë e Veriut. Megjithatë, në çdo gjyq ata janë liruar  sepse  34-vjeçarët me origjinë shqiptare janë identikë në fizik dhe gjithashtu në trashëgiminë gjenetike

ADN-ja e marrë në vendet e krimit nuk është e mjaftueshme për ti kapur, sepse ADN-ja e dy binjakëve homozigotë është identike. Ata dallojnë vetëm nga karakteristika shumë specifike e që duhet të identifikohen me analiza të thella dhe të vështira për t’u arritur.

Gjyqi i tyre i fundit u mbajt javën e shkuar në Verona. Eduardi dhe Edmondi ia hodhën përsëri sepse vëllezërit, mund të kapen vetëm nga shenjat e gishtërinjve, por ata përdorin gjithmonë doreza./E.M