PD vendos: Protesta deri në largimin e Edi Ramës

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike ka vendosur sot në mënyrë unanime qëndrimet politike që do të mbajë partia më e madhe në opozitë dhe aleatët e saj. Organi më i lartë drejtues i PD-së, ka miratuar dy pika themelore ku do të bazohet aksioni opozitar në ditët në vijim.

Pika e parë është nisja e protestave kombëtare në gjithë vendin, me qëllimin kryesor largimin e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij nga pushteti.

Pika e dytë e miratuar nga PD krijimi i një Qeverie Tranzitore që do të krijojë kushtet dhe garancitë për zhvillimin e zgjedhjeve të reja parlamentare.

Të dy qëndrimet e PD janë miratuar në mënyrë unanime nga gjithë anëtarët e Këshillit Kombëtar dhe do të përbëjnë bazën e aksionit politik të kësaj force në ditët dhe muajt në vijim.

Nënkryetari i PD-së, Edi Paloka njoftoi pas mbledhjes së Këshillit, pas rifresikimit të strukturave të selisë blu me zgjedhjet e reja, PD-ja është gati të nis betejën e saj pa asnjë kompromis dhe me synimin e qartë për rrëzimin e qeverisë “Rama”. “Këshilli Kombëtar ngarkoi strukturat e PD që të merren me organizimin e protestave, në mbarë vendin,  me një qëllim të vetëm; rrëzimin e qeverisë dhe të Edi Ramës. Gjithashtu Këshilli mori vendim politik, që si zgjidhje politike pas rrëzimit të qeverisë Rama është krijimi i një Qeveria Tranzitore kalimtare që të merret me organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme“,- deklaroi nënkryetari i PD-së, Edi Paloka.

Pothuajse të njëjtin vendim ka marrë dje edhe Lëvizjes Socialiste për Integrim në mbledhjen e Këshillit Drejtues Kombëtar të saj. Në vendimet e forumeve të dy partive kryesore opozitare mund të thuhet se qëndrimi zyrtar i opozitës tashmë është zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, por pa Edi Ramën dhe kabinetin e tij në pushtet.

Ky projekt i opozitës pritet të vihet në zbatim gjatë ditëve në vijim. Ende nuk ka detaje nga ana e opozitës se cila do të jetë forma e protestave që do të zhvillojnë kundër Ramës dhe si do të detyrojnë kryeministrin Edi Rama të largohet nga pushteti.

Ndërkohë qeveria “Rama”, pas ndryshimeve duket se ka nisur fushatën elektorale. Kreu i qeverisë këto ditë ka një axhendë intensive në universitete, ku veç debateve me studentët protestues, po flet dhe për projektet e qeverisë në vitet e ardhshme.

VIDEO/Deklarata e Edi Palokës për vendimet e Këshillit Kombëtar të PD

0 0 vote
Article Rating
Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments