Ish ambasadori/ Ata që sot Rama i ka shumë afër më thoshin; Skizofreni, legeni…

0

Diplomati i njohur, Bashkim Zeneli, në librin e tij me kujtime  ‘Miqësi e trazuar: Greqia në kujtimet e ambasadorit’, mes të tjerave rrëfen edhe si e ka njohur Edi Ramën shumë vite më parë.

Zeneli risjell në librin e tij disa pasazhe për kohën kur Edi Rama sapo ishte bërë për herë të parë kryetar i bashkisë së Tiranës, intrigat brenda Partisë Socialiste dhe luftën e ‘ftohtë’ mes tij dhe Fatos Nanos; çfarë mendonin eksponentë të së majtës për Ramën e të tjera fakte interesante që zbulojnë profilin psiko-mental të tij.

Sipas ambasadorit shumë nga ta që sot Edi Rama i mban shumë afër vetes si kryeministër që afro dy dekada më parë kishin një opinion përbuzës për të, duke e cilësuar në biseda konfidenciale si skizofren, budalla, legen etj.

Ja disa nga pasazhet e kujtimeve të Ambasadorit Zeneli, për Edi Ramën

 ‘Gjatë vizitës së presidentit Stefanopolous në Tiranë, ai do të pritej edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Edi Rama. Dhe tek përcolli presidentin grek, do të më kërkonte që t’i organizoja një vizitë në Athinë, në kuadër të bashkëpunimit midis dy bashkive.

Kjo ishte hera e dytë që takoheshim. Për herë të parë ishim takuar në malin e Dajtit. Aty kryeministri Ilir Meta do të shtronte një drekë për ministrin gjerman z. Christofer Zopel dhe me këtë rast do të ftonte Edi Ramën dhe Arben Imamin, ministër në atë kohë. Diku nga fundi i muajit, për afro 6 muaj më parë do të mësoja nëpërmjet shtypit, se kryebashkiaku i Tiranës kishte qenë i pranishëm në forumin e përvitshëm (ky ishte i 10-i) i organizatës së inxhinierëve të Greqisë veriore dhe organizatës inspektuese greke-amerikane. Tema e këtij Forumi, të mbajtur në ‘Hayat Regency’ ishte: ‘SHBA-BE-Rusia – Riformimi i roleve dhe interesave ne Europën Juglindore’….

Nuk më erdhi mirë që nuk kisha dijeni për këtë pjesëmarrje të z. Rama në atë Forum të Selanikut. Dhe kjo ndodhte shumë shpesh, për mënyrën se si funksiononin gjërat tek ne. Unë kisha marrë pjesë disa herë në vizitat e takimet e kryebashkiakëve apo prefektëve të Gjirokastrës në Janinë me homologët e tjerë, në veprimtari të ndryshme ekonomike, kulturore, artistike etj. Dhe i kisha mësuar nga konsullata jonë në Janinë, në ditët e fundit. Dhe sidoqoftë për kryebashkiakun e Tiranës, kryeqytetit të vendit tim, kjo ishte më e veçantë. Dhe kur reagova, për këtë mungesë dijenie, mora nga Tirana përgjigjen: ‘e mo varja….e njeh apo jo ?!’.

Në Tiranë, në PS dhe në qeveri, kishin filluar përplasjet me të, qoftë edhe nga deklaratat e z. Rama që turbullonin opinionin partiak, por edhe atë në përgjithësi. Z. Nano më kishte folur për të, në çdo rast që takoheshim, por siç thashë, nga afër nuk e njihja e në fund të fundit, pak më interesonte kjo gjë. ‘Luftërat’ e brendshme në PS, thashethemet, grupimet, kalimet herë me njërin herë me tjetrin, intrigat e mëdha e të vogla, shpifjet e dashakeqësisë për njëri-tjetrin, dyert e disa ambasadave ku padisnin njëri-tjetrin, solidaritetin që binte përtokë, përherë e më shumë, daljen në skenë të dallkaukëve, të të përfolurve për korrupsion, të deputetëve halabakë, nuk i kisha njohur, kurrë në këto përmasa, deri në vitin 1997, kur u largova për në Gjermani. Këdo që takoja në Athinë apo në Tiranë, politikanë, deputetë e ministra, ishin tashmë të një ‘prerje’ tjetër. Krimbi kishte brejtur thellë. Korrupsioni kishte dalë sheshit e nuk quhej për ‘të madhe’. Dukej se edhe udhëheqjes së PS, edhe qeverisjes, kishte nisur t’i dalë ‘koka e zbarës’ dhe, pa të, makina shkon drejt humnerës.

(Një muaj më vonë, më 16 dhjetor, në një lokal të Akademisë së Arteve, do të vija në Tiranë për të festuar 35 vjetorin e datëlindjes së Iglit, të fejuarit të Valbonës. Dhe ndërsa isha ulur në një tavolinë me z. Nano, do të vinte me vonesë edhe Edi Rama. Ai na përshëndeti mua dhe Engjëllushen dhe as nuk i hodhi sytë nga z. Nano e shkoi e u ul në vendin e tij. Ato që përfliteshin ishin të vërteta me të gjithë ‘taborët’ që i shkonin prapa Nanos apo Ramës). Prandaj siç duket edhe mora përgjigjen ‘e mo, varja… e njeh apo jo?!’ Por pavarësisht nga këto, detyra e ime ishte të bëja sa të mundja, ashtu si për çdo gjë, edhe për forcimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojës midis bashkive të të dy kryeqyteteve.

Dhe duhej thënë, se në radhët e emigrantëve shqiptarë në Athinë, Edi Rama kishte krijuar një emër ‘sfidant’ për ndryshimet në Tiranë. Do të më bënte një përshtypje të veçantë që kudo në takim, në drekë, në darkë, në kafe, në ambasadë, në bisedë nuk do ta hiqte celularin për asnjë çast nga dora. Në një moment, duke folur, ndërpreva bisedën dhe e pashë në sy. Edhe ai ndaloi duke më thënë: vazhdo, vazhdo ambasador, po të ndjek mire…

Gjatë të 3 ditëve të qëndrimit në Athinë, nuk bëri me mua asnjë bisedë politike, nuk shfaqi asnjë rezervë për askënd në Tiranë dhe nuk përfoli askënd. (Ndërkohë që telefonata jo të pakta nga Tirana, kërkonin të dinin ‘çfarë thotë ai i gjati’, ‘ai skizofreni’ , ‘ai budallai’ etj. etj. Ishin disa prej tyre që sot i ka shumë afër vetes …).

Por në Athinë nuk më pushuan telefonat. Z. Rama, kishte gjetur rastin, midis të tjerave, për t’i bërë publike këto mesazhe. Dhe kjo kishte krijuar një xhelozi të rëndomtë. I ka edhe sot rreth vetes (sidomos deputetë) por edhe në poste të tjera shumë të larta, nga ato që shfrynin në atë nëntor të 2004 se ‘pse ja rrit aq shumë pikët atij legenit… ti nuk e njeh sa i poshtër është…’ (Janë nga ato PS-istë, që të gjithë karrierën e tyre e kishin mbështetur tek asnjë vlerë tjetër, veç intrigës, veç herë mbështetjes e herë sharjeve e turfullimeve ndaj Nanos, Metës, Majkos e vetë Ramës.).

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

About The Author