Analize

Nga Nikoleta Kovaçi/ Ju s`mund ta arrestoni Balilin, dosja e tij është më e pastër se e juaja!

-Kushdo që e ka njohur sado pak Klement Balilin dhe historinë e tij, e ka ditur që në krye të herës se policia nuk mund ta arrestonte. Nuk kishte se si asnjë lloj efektivi policie që të shkonte në shtëpinë e Klementit, mikut të të gjithë të fortëve të qeverisë e t`i thoshte; ka një urdhër-arrest për ty!
Kushdo që është marrë sado pak me çeshtjen e “Balilit” këto dy vitet e kërkimit fals policor, e di që në krye të herës, që Klement Balili asnjëherë nuk është larguar nga shtëpia, miqtë dhe nga jeta normale që mund të bëjë një person, përveçse nuk ka qenë në administratë si drejtues drejtorie. Madje ai mund të ketë marrë edhe rrogën në atë post, pasi këtu nuk është e thënë se të merret gjë vesh në lidhje me të punësuarit në mbi gjashtë apo shtatë vende pune.
Kushdo që ka qenë në brendësi të dosjes së Balilit, bëmave të tij dhe influencës që ai ka patur viteve të fundit jo vetëm në vendlindjen e tij që shtrihet që nga Vlora e deri në Sarandë, por deri në kupolën e qeverisë, e ka ditur që në krye të herës, se operacionet e organizuara nga policia e Saimirit të përfolur për trafikun e drogës, e Fatmirit nostalgjik dhe inekzistent dhe e Sandrit që më shumë i ngjan kukullës, ishin serioze dhe profesioniste. Ani pse ato operacione nuk mund të konkludonin në arrestimin e ‘përbindëshit’ Klement Balili, mikut të të gjithëve, baronit të drogës që dilte nga deti në Greqi dhe nga ajri nëpër vendet e Perëndimit, por që Santa Quarantën e linte në dispozicionin e miqve të pushtetit, të atyre që ishin e të atyre që do vinin.
Kushdo e ka ditur, vetëm sadopak të marrë vesh nga çfarë ndodh në këtë vend, se operacionet për vënien nën sekuestro të ndërtetës luksoze, ishin false dhe një zhurmues për të mbajtur nën kontroll zukatjet e ndonjë ‘kazani’ apo ndonjë zëri opozitar që mbytej brenda pak orësh.
Klement Balili ka udhëtuar ku ka dashur këto kohët e ‘arratisë’ dhe shteti që përbëhet nga miqtë e tij nuk kishin mundësi t`i afroheshin, jo më t`i prishnin ditët dhe netët e qetësisë së tij. Fundja Balili, edhe pse konsiderohej si baroni i drogës gjithnjë i kishte mbajtur afër njerëzit e politikës! Sepse Balili e dinte se mund t`i blinte, mund t`i përdorte dhe në fund, edhe mund t`i hidhte. Ai ka parë me qindra raste. Edhe të njerëzve më me pak fuqi se sa e tija, edhe me kriminelë që kanë bërë batërdi ekzekutimesh e shfarosjesh, edhe me hajdutë ordinerë që e kanë nisur duke vjedhur pulat e fqinjit, ose fiqtë e komshijes për t`i shitur si të vetët, të cilët e kanë blerë shtetin e mandej kanë ble atë qyqe drejtësie. Balili, gjithnjë e ka ditur se ai është më i zoti se ata, më i predispozuar për të qenë në krah të ligjit më shumë se sa qeveritarët, drejtuesit e policisë, prokurorisë, gjykatave, e të gjithë atyre që iu digjet shpirti për këtë vend.
Por kushdo që e njeh historinë e Balilit dhe historinë e krimit në këtë vend, asnjëherë nuk do ta çonte afër mendsh faktin që Klement Balilin do ta shoqëronte që në krye të herës kryepolici i vendit. Ka ndodhur edhe herë të tjera që drejtues policie të ‘flirtojnë’ me vrasës, me trafikantë, me shkelës ligji të frikshëm, por asnjëherë nuk është lejuar publikisht që një drejtues policie të niset që nga Tirana për të marrë në mjetin e tij një të shumëkërkuar. Madje ta presë të përqafohet edhe me familjarët e tij, pasi ndoshta s`do kjetë mundësi t`i takojë për pak ditë. Po ashtu, Balili, si një njeri i mirë dhe i zoti, ai duhet të jetë përshëndetur edhe me të gjithë njerëzit e zonës, katundeve dhe me miqtë, e kryepolici i vendit, ka qëndruar në mjetin e tij duke e pritur siç mund të presë një shofer besnik apo truprojë të fortësh.
Por kushdo që ka menduar të gjykojë mbi këtë akt të ditës së sotme, si për keq ashtu edhe për mirë, meqë ende ka njerëz që besojnë se është akt i përgjegjshëm i qeverisë, asnjëherë nuk mund ta besoj që ka menduar se ministri i brendshëm do dilte e do të fliste për këtë arritje. Në fakt, për këtë turp institucional. Kurrë më parë nuk është shënuar një precedent i tillë në këtë formë, por që sigurisht s`mund të ndodhte ndryshe. Përbaltja dhe përçmimi i gjithçkaje me vlerë në këtë vend paska çmim e këtë çmim më mirë se sa Balili kush mund ta njihte? Ministri i brendshëm e konsideroi aktin si një kapërcim të dimensionit të policisë, e në fakt kishte të drejtë; Policia as kur ngarkonte skafet me hashash, apo gomonet dhe maunet me bimë narkotike nuk ka qenë më e poshtëruar se sa sot. Megjithatë ministri i brendshëm tha: “Policia sot kaloi në një dimension të ri!” Dhëntë Zoti e ky dimension u shkatërroftë deri nesër, ani pse është shoqëruar Balili. S`ka asgjë, fundja dosja e tij është shumë herë më e pastër se e të gjithë miqve të vet politik. Edhe ai e di. Madje kjo ‘dosje’ do ta mbrojë më mirë se ish-kryeprokurori-avokat!

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?