Nga: Rea Shundi/ Të dish a të mos dish – Ç’është për ne liria?

0

Të gjithë dimë disa gjëra që dhe të tjerë i dinë; ashtu siç dimë disa të tjera që dimë vetëm ne.
Atë që s’mund ta dimë kurrë me siguri është se çfarë të tjerët dinë për ne.

Shprehja e famshme “budallai është më i lumturi” këtu e ka bazën dhe këtë interpreton. Sigurisht, sepse sa më shumë ta kundrosh (apo dëgjosh) të vërtëtën, aq më shumë kupton se sa je gënjyer. Dhe po ti hymë arsyes pse gënjehemi, situata bëhet edhe më e rëndë për tu përtypur.

Po le të mos merremi me gënjeshtat për një moment. Të merremi me të diturin, që shkon përkrah saj. Kur themi se dimë diçka, nënkuptojmë njohjen e një të vërtete, ndryshe s’do të quhej arritje.

Por gjithashtu kemi folur e stërfolur mbi hidhesinë e kësaj të vërtete. “E vërteta është e dhimbshme” apo “më mirë një e vërtetë e hidhur se një gënjeshtër e bukur”. E natyrshëm më lind pyetja: cili mazokist i marrosur ka qënë ai që I ka përhapur këto?

Patjetër që ai (ose ata) si fillim ka qënë duke folur për dijen e dobishme, atë që mësëshumti mësojmë në librat e shkollës. Pastaj është dija e eksperiencës, ajo që detyrimisht e përvetësojmë që të mos bëjmë të njëjtat gabime, për të lehtësuar kështu cilësinë e përditshmërisë.

Nga ana tjetër, besimi I disa të vërtetave nuk është çështje kulturimi (dhe diturimi); është nevojshmëri. Ato ndodhen në themelet e qënies sonë, dhe në bazë e vazhdimësi të tyre, ne shtrojmë, gjejmë e ndjekin rrugën tonë të veçantë. Ato i japin sadopak kuptim marrëzisë së gjithësisë, duke gjetur aty një qëllim të dobishëm.

Por kur marrim rrugën e shkollimit, e rritjes, e zhillimit, kemi marrë dhe rrugën e shkatërrimit. Detyrimisht. Vdekja për të mirë apo të keqe është e paevitueshme, dhe disa njohuri më shumë na e bëjnë “luftën” më të lehtë. Por ka një limit. Një limit të asaj që mund të dimë. Dhe nuk bëhet fjalë për limitin e dhënë të inteligjencës, por për ato gjëra që, mbasi dijësohen, jo vetëm që nuk zhbëhen, por zënë rrënjë tek ne e na ndryshojnë me forcën e pasionit.

Me pak fjalë, kjo kushton shtrenjtë. “dija nuk blihet” – mbase jo drejtpërdrejtë me para, por çmimi është dhimbja e parehatia e përhershme.

Vetë procesi i të nxënit është i dhimbshëm. Çdo gjë që ndërtohet, aq më tepër kaq drejtpërdrejt në brendi, dhemb. Dhe sa bukur interpretohet ky përjetim nga ngjasia me fjalën tonë të bukur Shqipe (dhemb si dhëmbi).

Ne si njerëz mund t’i ushtrojmë vetes dhimbje të qëllimshme vetëm kur ajo që përftojmë në fund është më e ëmbël se gjendja pararend asaj dhimbjeje.

Pra, a është çudi të pyesim përse fëmijët nuk mësojnë në shkollë?

Dhe nga ana tjetër, a është po kaq çudi të pyesim përse shteti ynë nuk po zhvillohet ashtu siç duam ne?
Po e them edhe njëherë: askush nuk e zgjedh dhimbjen me vetëdije. Jo nëse në fund nuk përftojmë një gjendje më të mirë se ajo pararendëse. E ne jemi mësuar të vuajmë me kokën nën dhe. Ia kemi lënë fatin tonë në dorë mazokistëve më të mëdhenj, sepse e duam dhimbjen për atë që është, jo për atë që përftojmë pas saj. Kemi preferuar të qepim sytë e veshët meqë jemi mësuar me atë gjendje, meqë e njohim si nënë tonë. Nuk e kemi zgjedhur, por na është dhënë, dhe ne si bujarë e dashamirës që njihemi, e kemi pranuar atë pa kushte. Këtë nënë tonën.

Pra kur do rritemi?
Kur do kafshojmë veten, që të pranojmë, se nëna e bëri detyrën e saj nga perëndia dhe ne I qofshim falë, por ka ardhur e kaluar koha të ndahemi prej saj. Rehatia e ka humbur rehatinë sepse nuk është më e jona si arritje. Sepse gjithashtu, kemi filluar ta kuptojmë qorrësinë e shurrdhërinë tonë të mëparshme. Po, të mirat e saj janë të mirat që vetëm një jetë e nënshtruar mund të sjellë. Mbajmë frymën gjallë (më së shumti) por nuk është fryma jonë.

Dhe në fjalët e Konicës “A ka gjë më të turpëshme, më të unjtë (të ulët), se historia e këtij kombi që – për pak të qelbur ergjënt – shet mish njeriu në çdo luftë, edhe kujt s’i erdhi dëshërim , nga aqë qind vjet që e shkelin edhe e kurvërojnë të huajtë, s’i erdhi dëshërim të japë dy pika gjak për lirin’ e vetëhesë?…Të dojin Shqipëtarët lirin’ e Shqipërisë, lehtazi e bëjin; po rinë të pa-tundurë, edhe andej dëftojnë që s’e duan Shqipërinë, dëftojnë që janë armiqtë e saj…Dëgjoni mirë, në mos e dini! S’janë armiq vetëm duke ndenjur duartë në gji, po ditë për ditë edhe ndryshe punojnë kundrë mëmëdheut…Sa të fëlliqura shkrohen mjerëve Shqiptarëve…të tëra Shqiptarët i nxjerrin…Shkaku i këtyre të ligave është se Shqiptarët s’kanë shpirtin mjaft të lartë për të dashur lirinë;”

Faik Konica erdhi e iku, paçka se më shumë fjalë la pas. Mbase të gjitha i mori era; por nësë rrojmë me kokën nën dhé, era le t’i marë të miat. S’është punë e lehtë aspak, (punë dreqi do të mbetet) por unë jam e bindur në atë që them, që ata që guxojnë ta nxjerrin kokën (e trupin) që andej, (nga dhéja) mund të ecin më në fund më këmbët e tyre,e të thithin ajrin e tyre. Kjo është liria.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

About The Author