Kryemadhi/ Të gjithë po përgatitemi për zgjedhjet e parakohshme në Qershor

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim shprehu bindjen se, 30 qershori nuk do të jetë vetëm data e zgjedhjeve lokale, por edhe atyre parlamentare. Sipas saj, parlamenti që arrin të falsifikoje është drejt shpërbërjes.

Deklarata e kryetares së LSI-së:

“Në fakt të gjitha takimet tona janë në kuadrin e zgjedhjeve lokale sepse besoj që ju të gjithë e dini që në datën 30 qershor ne do të kemi zgjedhjet lokale ku unë jam e bindur që nuk do të jenë vetëm zgjedhjet lokale. Jam e bindur që të gjithë po përgatiten dhe për zgjedhje të përgjithshme sepse në një vend ku Parlamenti ditën për diell falsifikon votën e deputetëve, falsifikon procedurën e bërjes normale të një Parlamenti, të një seance parlamentare. Nuk ka më zgjedhje tjetër, do të shkojë drejt shpërbërjes së këtij Parlamenti i cili ka probleme të mëdha jo vetëm në përbërjen e tij por dhe në funksionimin sesi ai është ndërtuar.

Dhe nga gjithë informacionet dhe indikacionet që ne kemi, jo vetëm në Tiranë por dhe jashtë Tiranës e shikojmë që kjo gjë do të jetë e mundshme dhe data 30 qershor do të jetë ditë zgjedhjesh qofshin këto zgjedhje të përgjithshme, qofshin këto edhe zgjedhjet lokale. Prandaj lëvizja e strukturave të LSI është shumë e rëndësishme për tu sensibilizuar dhe për të evidentuar të gjithë njerëzit e LSI por jo vetëm ata.

Por për të zgjuar dhe gjithë ata socialistë të ndershëm të cilët jo vetëm janë të zhgënjyer por janë shpërdoruar nga lidershipi i Rilindjes të cilët e kanë kthyer PS në një sekt kriminal që përfaqëson vetëm grupet kriminale por vetëm socialistët e vërtetë jo. Është detyrë e strukturave tona për ti kontaktuar, për ti organizuar, për të hapur dyert e partisë të LSI në mënyrë të tillë që të gjejnë vetën si në shtëpinë e tyre socialistët e ndershëm që janë përzënë nga Partia Socialiste, janë përzënë nga Rilindja, janë përzënë nga shushunjat e qeverisjes, me të vetmen arsye për ta uzurpuar dhe për ta zaptuar atë institucion”.