Nga Raimonda Shundi Dervishi/ ‘Skicë’ për krokodilët e skenës Shqiptare

0

I nderuar mik, ju që po mbani gjallë repertorin e teatrit. Ju që po mburreni për sukseset në përgjithësi e  Tuajat në veçanti. Harroni se ne jemi këtu dhe mund të shohim se gjithçka që po bëni, i atribuohet vetëm vetes dhe rrethit të ngushtë të lajkatarëve profesionistë?! Si mund t’ju dalë jashtë vëmendjes që ne kemi sy e po ndjekim e konsumojmë kronikat tuaja?  Po shohim se si CV-ja po ju shtohet e pasurohet, ndërkohë që shumë të tjerë, sukseset që ju po shijoni falë jargavitllëkut, militantizmit, famijaritetit (e jo meritës), as që munden t’a ëndërrojnë se u jepet mundësia, e jo më të jenë pjesë e tyre. Si ka mundësi miku im që ju del nga vëmendja se kolegët, artdashësit, krijuesit, profesionistët, po ju shohin dhe i perceptojnë katapultimet personale fal bonuseve shpërblyese të shefave pushtetarë? Shumëkujt mund t’i anashkalohet kjo mynxyrë, por juve, jo. Artistit nuk e shet shpirtin mik, ndryshe nuk mund të punojë mbi klithmat e autorëve legjendë që janë pjesë e laboratorit të përhershëm, për t’ia kaluar më pas qartësisht spektatorit. I paudhi i parë jeni vetë ju, miku im.

Nuk dua të përdor listën e gjatë të shkruesve, ku ju pasi keni marrë nga shkëlqimi i penës së tyre duke trumbetuar suksesin e radhës, keni hedhur gurin e mëkatit pas kësaj. Mendoni se jemi të verbër, të paaftë, leshko…? Ndaj, përpiquni të përmbani ekzaltimin e “suksesit” tuaj të radhës e pak më shumë inteligjentë në menaxhimin e tullumbaceve tuaja të suksesit, pasi ato po ju nxjerrin lakuriq. Disa dini bukur t’i fshihni, ndaj kujdes mik, jua them këtë nga pozicioni i vëzhguesit, e jo i lakmuesit ziliqar. Kuptoni mik se vetë pompa  që po ju fryn e trumbeton si “Krokodilët e skenës apo artit  Shqiptar”,  nxjerr në pah prapaskenat.

Ndaj, më kujdes kur lançoni se sa të mirë jeni,  apo sa shumë po “këputeni” duke u lodhur në atë ç’ka po shijoni pas sfilitjes suaj shumëvjeçare. Kujdes, pasi ne jemi këtu e po ndjekim se çfarë po ndodh me ju, teatrin, skenën, artin, ndërtesat, si dhe ministreshën që këshillon bukur lexuesit e rinj. Mos  na shisni monologët apo dialogët tuaj publikë në ekranet e ngërçosur nga llaku partiak. Kursehuni se çdo ditë ju bën më pak të ndjeshëm e më shumë të uritur ndaj profesionit të ri që po përqafoni, mik i mirë. Besomëni, kjo ju dëmton rëndë shëndetin tuaj në përgjithësi, të familjes në veçanti dhe të komunitetit akoma më rëndë.

Njeriu si qenie është e prirur drejt rehatisë personale, por mbinjeriu lufton fort ta çojë në kahun tjetër. Luftë e egër kjo në xhunglën që po jeton, i nderuar mik. Por ju po i humbisni lidhjet me njeriun; po e humbisni raportin me kolegun, shokun. Po rrëfeni mostrën tuaj në shtratin e rehatisë familjare dhe po jepni shembull të tmerrshëm për fëmijën tuaj. Fëmija juaj është në rrezik, i nderuar mik. Ka shembuj të frikshëm çdo ditë. Sheh e dëgjon çfarë bëni ju për të mos i parë ne nga jashtë, por ai është aty dhe po ndjek e kopjon skenarët prindërorë. Ai  i sheh, miku im.

Komshiut kokëbosh i zilepsesh për ”fatin tënd”,  përpiqet të të imitojë, ndërsa ti vetë nuk di ku e ke humbur veten. Kolegët përfitues luftojnë me mullinjtë e erës dhe nuk dinë se nga cili të ruhen më parë. Frustimi kolektiv tashmë është kthyer në institucion. Nga ana tjetër janë drejtuesit 25- vjeçarë që kanë mbushur dikasteret qendrore shtetërore, me arrogancën e pandjeshmërinë që i fal mosha, për të ekzekutuar ftohtë çdo gjë urdhërore jonjerëzor. Drejtuesve të rinj nuk u dhemb ç’ka është vënë me dhimbje nga të tjerët, mjaftë të bëjnë ata karrierë. Aktorët e vërtetë, pra urdhëruesit tuaj, tashmë ju kanë lënë figurantë rrogëtarë duke pritur shpërblimet afatshkurtra tuajat.

Kujtohuni, shok i dashtun, se ç’ka ndodhur me klanet historike që s’kanë munguar dhe nuk do të mungojnë kurrë, pasi kjo kategori as ka mbaruar e as ka për të mbaruar. Sot, është më ndryshe mik. Sot  ka më shumë se katër miliardë njerëz në mbarë botën që përdorin internetin dhe më shumë se tre miliardë të tjerë në botë përdorues mujorë të  mediave sociale. Rritja e tyre bën që të prekë shpejt publikimet, postimet apo takimet tuaja. Dëshira për të rrëfyer sukseset ju evidenton qartazi se cilët jeni, madje edhe çmimin tuaj. Por sot, ndryshe nga dje, jetojmë kohë ku këto media që ju po i përdorni si burim vetkënaqësie, ju nxjerrin në fakt ekzaktësisht siç jeni, pa na lodhur të qartësojmë të fshehtat tuaja. Madje edhe unë kam kurajën të shkruaj këto rreshta falë këtij opsioni, por jo të tuajit, megjithë disaprovimin nga pjesa tjetër të familjes sime, që për fat të keq i përket po këtij komuniteti.

Pra, këshilloj kujdes e kokën poshtë miku im, për tu lënë vend edhe të tjerëve, duke na ndezur një fije shprese se situata nuk është aq alarmante sa edhe më duket. Detyrohem të shijoj tullumbacet tuaja me gjithë refuzimin organik, nisur vetëm nga dashuria për teatrin dhe artin. Por faktet janë aty, ju po ma shkatërroni. Kjo më trishton thellësisht, ndaj po hedh këto rreshta e ndoshta reflekton disi. Teksa ndjekim live-et e prapa skenave apo lodhjes suaj krijueso-klikuese, fatkeqësisht për ju, por fatmirësisht për ne, ne na bën të shohim jo atë ç’ka ju shfaqni. Unë them kujdes, për etikë miku im; në fakt kujdesit as që i shkon përshtat degradimi në të cilin ka përfunduar situata.
Duke i privuar vetes këtë dëshirë miku im; mbase kështu mund ta shtysh edhe ca deri në momentin e mbërritjes së egoistit të radhës për ta avancuar atë që mundësoi edhe karrierën tuaj personale, kryeaktorit protagonist. Ndërkohë, ju vijoni të trumbetoni se po mbushni sallat e kinoteatrit (jo më Teatrit)  me publikun e manipuluar mendjeçoroditur duke shtuar shijuesit e keq të çorbës që dini të gatuani. Kjo është paudhësi e për këtë akt, siç ndodh rëndom në Shqipëri, nuk ka ende se kush të paguajë. Por kujdes…! Ne që po ndjekim transformimin tuaj epik, do jemi këtu edhe nesër. Ju ku do të jeni?

Mbase ju, miku im, ende mendoni se luftoni për art, por për teatër kurrsesi! Nuk do asnjë lloj mundimi për të kuptuar se sa keq trajtohet arti i vërtetë në Shqipërinë tonë, e cila është edhe e juaja. Por, problemi nuk ka filluar me ju, por me të gjithë ata, që nuk munden ta shohin veten si pjesë e komunitetit se ju nuk i latë vend. Komunitetit që do t’ju vlerësojë më pas veprën e prodhuar artistike; atij që vjen ju ulet në auditor dhe atij që të nesërmen ju hedh gurë kur të rrëzoheni nga piedestali. Nuk ka cikël të mbyllur, pa një ngritje dhe rënie miku im.

Por maturia dhe gjenialiteti i vërtetë qëndron tek vlerësimi i këtij komuniteti. Nuk ka asgjë të pavdekshme në të gjallë, që nuk lidhet me imazhin tuaj pasi të keni vdekur. Megjithatë, mendoj se kjo është dilemë e zgjidhur për ju, pasi çdo ditë e më shumë rriten të rinjtë-të plakur që mbartin helmin e pangopësisë suaj. Por këtë, fatkeqësisht, nuk do të mundeni as tani e asnjëherë ta kuptoni. Sepse po të kishit mundur vërtetë, nuk do ishit zhytur në atë pakënaqësi vrastare dhe pasiguri. Do të ishit sadopak, por gjithsesi, më afër një profesionisti teatri, i dashtun mik.  “Fali o zot se s’dinë çfarë bëjnë!”

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

About The Author