Dekonspirimi/ Lul Berisha u largua nga Shqipëria

Forcat speciale kanë ushtruar kontroll mbrëmjen e djeshme në shtëpinë e Lulzim Berishës, por nuk arritën ta arrestojnë. Gjatë kontrollit janë sekuestruar disa objekte që mund të jenë në dobi të hetimit, por që nuk mund të konsiderohen të jashtëligjshme. Nga të dhënat e siguruara më vonë nga Policia ka rezultuar se Lulzim Berisha nuk ndodhej në Shqipëri, pasi ishte larguar jashtë vendit bashkë me familjen, çka nuk përjashton mundësinë e një dekonspirimi, raporton gazeta “Panorama”.

Sipas të dhënave, hetimi ndaj tij i përket së njëjtës dosje me atë të të fortëve të Shijakut, të cilët u arrestuan po dje në operacionin policor.

Policia e Shtetit ndërhyri duke goditur familjen Avdyli në Shijak dhe arrestuar tre vëllezër dhe kushëririn e parë të tyre. Gjithashtu janë shoqëruar edhe 20 anëtarë të bandës që akuzohet për trafik heroine në Shqipëri dhe në Gjermani.

Burimet thanë se të arrestuar janë vëllezërit Astrit Avdyli, që është “koka” e grupit të dyshuar kriminal, Flamur Avdyli dhe Shkëlqim Avdyli. Gjithashtu është arrestuar edhe kushëriri i tyre Jasim Avdyli, së bashku me shtetasin H. Hoxha, të dënuar në Turqi për trafik heroine. Flamur Avdyli është emigrant prej vitesh në Gjermani, ndërsa akuzohet për trafik heroine atje dhe disa vende të tjera të Bashkimit Europian.

Në emër të vëllezërve Avdyli janë të regjistruara dhjetëra biznese, mes tyre hoteli luksoz në Durrës “Germany”. Sipas informacioneve nga Policia e Shtetit, operacioni nisi pas përgjimeve dhe të dhënave që janë sjellë nga Gjermania. Madje, një operacion i tillë u paralajmërua pak ditë më parë nga ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, gjatë takimit që ai pati me presidentin e Policisë Federale Gjermane.