Presidenti Meta priti Presidentin e Shoqatës Austri-Shqipëri, z. Wolfgang Grossruck

Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Ilir Meta priti në një takim Presidentin e Shoqatës Austri-Shqipëri, z. Wolfgang Grossruck, të shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Kavajës, z. Isa Sakja dhe një ekip zjarrfikësish dhe ekspertësh austriakë të fushës së emergjencave civile.

Presidenti Meta falënderoi z. Grosssruck dhe miqtë austriakë për ndihmën me makineri zjarrfikëse, pajisje dhe trajnime që i kanë ofruar Bashkisë së Kavajës.

Kreu i Shtetit vlerësoi në veçanti përkujdesjen e partnerëve europianë ndaj përpjekjeve të autoriteteve vendore për shërbime që ndikojnë në jetën dhe sigurinë e qytetarëve.

“Për ne, – theksoi Presidenti Meta, “është shumë i rëndësishëm forcimi, aftësimi dhe modernizimi i strukturave të Pushtetit Vendor për të realizuar shërbime publike sa më cilësore për komunitetin.

Fakti që kjo ndihmë vjen mbi bazën e bashkëpunimit me qytetin austriak Grieskirchen është një tregues i nevojës në rritje për integrimin e qyteteve tona me simotrat europiane”, – u shpreh Kreu i Shtetit.

Presidenti Meta përgëzoi miqtë austriakë dhe shprehu përkrahjen dhe falënderimet ndaj të gjitha iniciativave dhe kontributeve ndërkombëtare në adresë të qeverive vendore në Shqipëri.