Komisar Katani/ Shembja e Teatrit, akt barbar. VIDEO

Regjisori dhe aktori i njohur italian Michele Placido në një intervistë ekskluzive për Fax News foli për çështjen e Teatrit Kombëtar, duke e cilësuar shembjen e tij si një akt barbar.

Placido, një nga personazhet më të dashur të shqiptarëve në rolin e komisar Katanit dhe një personalitet i kinematografisë italiane është prononcuar ekskluzivisht për Fax News në një lidhje telefonike duke mbrojtur kauzën e artistëve shqiptarë në mbrojtje të ruajtjes së godinës ekzistuese të Teatrit Kombëtar.

“Vendin tuaj e kam njohur kur sapo kishte dalë nga regjimi komunist, ndërsa xhironim filmin “Amerika” dhe kam kujtime shumë të bukura. Kam vizituar gjithashtu dhe godinën e Teatrit Kombëtar, ndërtesë shumë e rëndësishme për artin dhe trashëgiminë e një vendi. Kam shumë vite që i kam humbur kontaktet me Shqipërinë, por mbështes çdokënd që përpiqet të ruajë trashëgiminë kulturore të vendit të tij”, tha për Fax News Michele Placido.

Por regjisori dhe aktori i njohur ka shkuar dhe më tej duke e cilësuar si një akt barbar shembjen e kësaj godine për të ndërtuar një të ri “në emër të artit bashkëkohor”:

“Shembja e kësaj godine do të ishte një akt barbar që do të shkonte kundër historisë së vendit tuaj, megjithëse nuk besoj se qeveria shqiptare do ta ndërmarrë një hap të tillë”.

Placido e konsideron si një mision mbrojtjen e kësaj ndërtese dhe se politika duhet të ndalet dhe të kuptojë se sa e rëndësishme është për një vend pasja e një memorieje historike.

“Një vend nuk mund të ndërtohet duke shkatërruar ndërtesat e vjetra kulturore, sepse nuk është kjo mënyra se si ti i prezantohesh Evropës. Nuk mendoj se do ta bëjë këtë gabim qeveria shqiptare, sepse do të shkatërronte një pjesë të kulturës shqiptare.”– u shpreh për Fax News regjisori dhe aktori italian Michele Placido.

Gjithashtu ky i fundit bëri dhe një premtim për artdashësit shqiptarë, sjelljen në Tiranë, në godinën ekzistuese të Teatrit Kombëtar të shfaqjes së Pirandelos.

Intervista e plotë e Michele Placido dhënë ekskluzivisht për Fax News:

Ju jeni shumë i njohur në Shqipëri në vitet ‘80 me filmin “Oktapodi” dhe më pas me filmin “L’America”. Sa e keni njohur ju Shqipërinë që nga koha që keni xhiruar filmin L’America?

E kam njohur Shqipërinë në ato vite dhe kam kujtime shumë të bukura nga vendi juaj, sepse ishte shume interesante për mua që të zbuloja një vend të sapo dalë nga komunizmi.

A keni kontakte me aktorë ose regjizorë shqiptarë sot? Cfarë vlerësimi keni për artin skenik dhe kinematografinë shqiptare?

Kam disa vite qe i kam humbur kontaktet me Shqipërinë pasi në këto kohë edhe shkëmbimi kulturor mes Shqipërisë dhe Italisë nuk është në nivele të larta.

Prej disa muajsh po bëhet një debat në Shqipëri në lidhje me godinën e Teatrit Kombëtar. Kemi informacion që ju jeni ne dijeni të kësaj çështjeje. Cili është mendimi juaj lidhur me këtë cështje?

Mendoj se është thelbësore që debati të jetë pozitiv për teatrin në vetvete. Mendoj se nuk mund te anullohet ose të fshihet kështu ndërtesa dhe historia. Unë jam këtu për të dëshmuar se do të mbështes gjithmonë ato që duan që teatri të vazhdojë të punojë. Ne, artistët në Itali, e duam Shqipërinë dhe duam që një pjesë e kulturës së vendit tuaj të rrijë në këmbë.

Teatri Kombëtar është një godinë 80-vjeçare që nga autoritetet shqiptare quhet e ezauruar dhe pa vlera të trashëgimisë kulturore. A mund të heqim paralele mes Nuova Cinema të Tornatores dhe një ndërtese si kjo e Teatrit Kombëtar?

Mendoj se krahasimi është shumë i saktë sepse Tornatore është një shembull i mirëfilltë dhe konkret i ruajtjes së trashëgimisë dhe vlerave kulturore.

Pyetje në studio nga regjisori Robert Budina:

Ne artistët shqiptar po mundohemi ta mbrojmë kulturen dhe teatrin pasi është dhe nje lidhje mes Shqiperisë dhe Italisë. Qeveria shqiptare ka vendosur të ndërtojë kulla. Ju a do të ishit me ne për të ndërhyrë dhe për ta mbrojtur Teatrin?

Unë do ta mbroja kulturen, por jo vetëm unë. Të gjithë artistët europian do të luftonin me ju lidhur me këtë çështje. Politikanët duhet ta kuptojnë se kultura është thelbësore për një vend. Unë nuk dua ti akuzoj politikanët shqiptar se ndoshta ata mund të kenë projekte shumë të mira, por duhet ta kuptojnë se kultura është thelbësore. Çfarë janë këto kulla? Cfarë duan të përfaqësojnë këto kulla? Mendoj se është një ndryshim i padrejtë. Pasi nuk mund të zëvëndësohet godina e Teatrit me kulla. Është njësoj sikur këtu në Itali, ose në Francë te vendosim të shkatërrojme teatrot kombetarë për të ndërtuar kulla. Megjithatë, nuk besoj se qeveria do ta bëjë këtë gabim. Do të ishte akt barbar kundër kulturës.

Ju jeni një simbol në Shqipëri. Oktapodi ishte një film simbol kundër mafias dhe Shqipëria në ditët e sotme është në një situatë të ngjashme me Italinë e asaj kohe

Mbështetjen që po ofroj do ta jepja edhe nëse kjo gjë do të ndodhte në vende të tjera të Europës, pasi unë po mbroj kulturën. Të njëjtën gjë do të bëja edhe sikur kjo të ndodhte në Itali, Madrid, apo Paris. Unë e mbroj kulturën sepse mendoj se një vend që ka kulturë ka dhe frymëmarrje demokratike.

(M.Q/ Faxweb.al)