Lirohet “Babalja”/ Avokati: Ka qenë një arrestim i gabuar

“Babalja”, është liruar sot nga paraburgimi në Kosovë. Menjëherë pas lirimit, avokati Tomë Gashi, ka publikuar edhe një fotografi me “Babalen” dhe djalin e tij, së bashku me vendimin e gjykatës.

Në një komunikim për me, avokati i Albert Veliut, Tomë Gashi, u shpreh se arrestimi i tij është bërë gabimisht dhe në shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Sipas tij, Veliu ndihet i rrezikuar në burgjet e Shqipërisë.

“Kemi dëshmuar se arrestimi i tij ka qenë krejtësisht i paligjshëm. Ka qenë një arrestim i gabuar, pasi këtij i takon në bazë të drejtës ndërkombëtare të jetë i lirë.

Klienti im ndihet i rrezikuar në burgjet e Shqipërisë. Tashmë gjithçka është në rregull, është thjeshtë gabim.

Atij duhet t’i pranohet kërkesa për azil në Kosovë, pasi parishikohet edhe nga e drejta ndërkombëtare.

Ka qenë i arrestuar ditën e djeshme me kërkesën e Interpolit të Shqipërisë. Ai është plotësisht i sigurtë, është me mua”, tha avokati Gashi.

Ndërkohë vetë “Babale” është shprehur shkurt, “Jam i liruar, jam mirë, jam me avokatin bashkë. Për mua do të flasë ai. Ju faleminderit dhe mirupafshim!”.