Nga Raimonda Shundi Dervishi/ Nuk jam krenare që jam shqiptare

Kjo Bashki që sot po i persekuton, për gjithë qytetin e Tiranës ka gjithsej vetëm 5 qendra sociale të cilat ofrojnë vetëm “vaktin e drekës”

“Ju kam lënë zotin!” – klithte gruaja rome e dëshpëruar nga rrëmbimi i thesit të saj me shishe plastike, frut i punës disaorëshe nga forcat e bashkisë. Orët mbi kazan për të seleksionuar objektet e shitshme përfunduan në makinën e plehrave përballë syve të mi dhe të kalimtarëve të rastit. 5 herë e aksidentuar nga makinat gjatë kohës që punonte. Pa ngrënë, pa pirë e pa gatuar sot, kjo familje do t’i shtojë një ditë më shumë mjerimit ku është fundosu. Përpëlitet të shpëtojë me të gjitha forcat djersën e punës, por shurdhëria e kompetentëve është absolute. Në kronikën televizive të një prej vizitave në landfill të transmetuar me datë 16 qershor 2016, Veliaj lançoi planin e tij për ndalimin e seleksionimit të mbetjeve nga kazanët e plehrave dhe u sugjeroi të gjithë atyre që siguronin bukën e gojës përmes këtij aktiviteti që të punësoheshin ligjërisht në landfill dhe të merrnin rrogë me “sigurime shoqërore”.

Kjo deklaratë ishte nxitje për shtimin e krahut të punës në impiantin e instaluar në Sharrë nga kompania “3R” shpk. Por asnjë prej standardeve të premtuara nga kryebashkiaku nuk u aplikua gjatë procesit të punës. Dhe jo vetëm kaq, por aty iu hoq brutalisht jeta Arditi Gjoklajt, 17 vjeçarit që besoi në njoftimin e kryebashkiakut. Trupi i pajetë i djalit që bënte turnin e tretë si punëtor lopate në kapanonin e ricklimit, u zbulua më 7 gusht 2016 në sheshin e grumbullimit të mbeturinave, duke i shtuar mjerimit edhe korbin e vdekjes së padrejtë. Gruaja me portret të shtypur nga aksidentet e makinës e që sot, nëse do të lihej e qetë, do kish fituar 300 lekë, luftonte pa shpresë me oficerët, por ata vazhduan të ndjekin rigorozisht rregullat. “Bashkia ka në pronësi koshat, e së bashku edhe plehrat brenda tij”. Megjithatë, vetë personazhet tanë tregojnë se punonjësit e policisë i çojnë më pas të njëjtat mbeturina tek vendi i grumbullimit dhe paratë e thasëve që konfiskojnë e i marrin për vete. Por me kurajë të madhe ata pyesin se si ka mundësi që gruaja nuk pranon të punojë në landfill. Hë pra si ka mundësi?

Ka mundësi, ka! Ka se ata që zgjedhin këtë rrugë, që ne e perceptojmë si “jo normale”, nuk u jepet asnjë alternativë mbijetese, asnjë! Dikush ka fat, nëse është piketuar nga shoqatat humanitare apo murgeshat, të cilat kanë mundur të bëjnë listat e tyre për familjeve të varfëra, por edhe kjo është vetëm për një kategori përzgjedhëse. E reja 29 vjeçare, nënë e tre fëmijë të vegjël, më thotë e revoltuar se askush nuk e ndihmon për t’i rritur të vegjlit, pasi burrin e ka të sëmurë e vjehrrën shurdh-memece. Për të jetuar kanë mundur të gjejnë një dhomë jo-funksionale, meqë çfarëdo të ketë jashtë, do tu hyjë brenda. Gruaja e re mendon ende se është në kohën “e të parit të vendit” Sali Berisha, e turfullon për të gjithë, përfshirë edhe emisionet e sajuara humanitare. Teksa jam prezente në këtë incident, shoh gruan e tretë e cila rrëmben nga kazani dy gisht limonadë të hedhur dhe e rrufit njëherazi. Kjo është ajo që ne e njohim pak ose aspak sepse kronikat e modifikuara që shfaqen janë zbukuruar për prerje- shiriti ose lartësime emri të bamirësve të kohës. Kjo është situata më normale për një kategori jo të vogël e të papërfillshme. Cfarë jemi në gjendje ne tu afrojmë këtyre fatkeqëve? Di gjë kush? Unë di se ata që grumbullojnë plastikat apo kanaçet që ne hedhim pasi u kemi “pirë lëngun”, nuk kanë asnjë zgjidhje tjetër për të ushqyer veten e familjarët. Kjo Bashki që sot po i persekuton, për gjithë qytetin e Tiranës ka gjithsej vetëm 5 qendra sociale të cilat ofrojnë vetëm “vaktin e drekës”, me përjashtim të zonës së Laprakës e cila ofron edhe “darkën”.

Qendrat e tjera kanë një vakt për të ushqyer, maksimumi 150 persona, kurse të tjerët të ngrohen në diell. Këto qendra sociale ndodhen në Laprakë, Kombinat, Shkozë, Babrru, Bulevardi Zogu i Parë. Qendra e Babrrusë ende nuk funksionon mirë. Kostoja financiare për person është diku te 160-170 lekë pra, sa për një sanduiç. Si mundet një qytet me 1 milion banorë të ketë vetëm 5 qendra sociale që janë në shërbim të komunitetit pjesërisht, nga ku katër janë prezente me një menu disi me të hajrit (se tjetra ka vetëm supë, ose pilaf? Si të munden endacakët apo të pamundurit të rendin nga Kinostudio deri në Babrru ose Laprakë për të marrë ushqimin e ditës? Po kur këto qendra janë pushim? ( gjatë fundjavave dhe festave kombëtare, kur ne jemi duke pushuar, për ata kush mendon?) Si ka kurajë ky institucion që nuk afron asgjë, të dhunojë këtë kategori, si?!

Pse nuk hapen qendra të tilla sociale në të gjitha njësitë administrative, duke shtuar sadopak fondet bashkiake për të lehtësuar realisht plagën e varfërisë ekstreme që po gangrenizon Tiranën e gjithë vendin? Pse nuk bëhen fushata sensibilizuese që komuniteti të ndihmojë edhe vetë këtë kategori me mundësitë që ka, qoftë duke shërbyer, qoftë duke larë pjatat apo duke kryer shërbime të tilla vullnetare? Pse nuk e vëmë në punë ndjeshmërinë dhe solidaritetin e komunitetit tonë që ka kohë në gjumë? Përgjigjes “nuk ka fonde” i ka skaduar afati. Gruaja rome nga shkoza nesër do t’i duhet të ridalë, po ashtu edhe gruaja e re që banon në dishezën e shkollës Bajram Curri. Ajo falënderon kunatën Sonila Shota e cila e ndihmon për të rritur 3 fëmijët e saj sa më mirë të mundet, por deri kur?! Nëse ndjekim heshtjen dhe vrojtimin pasiv, armata e grave të lëshuara në rrugët e Tiranës do të na marrë edhe atë pak humanitet që na ka mbetur, duke u shndërruar në pandjeshmëri kolektive. Ndaj, kur nesër të jesh ti në vendin e viktimës, mos kërko drejtësi se heshte dje. Po në zonat e thella çfarë ndodh?

Jo, Kjo nuk eshte shqiperia ime , nuk jam krenare qe jam shqiptare