Rama tallet në telefon me banorët e Jalës që iu prishi shtëpitë/ “Të fala babait”

Esmeralda Bala është një prej anëtareve të familjes Bala, shtëpitë dhe bizneset e të cilëve u shemben përtokë ditën e djeshme. Gjatë aksionit të IKMT-së në Jalë, të mbështetur nga dhjetëra forca policie u shemben 9 objekte, buzë detit. Sot, një ditë pas kanë mbetur vetëm rrënojat dhe 30 pjesëtarë të familjes Bala që vajtojnë sepse mundi i disa viteve u shkatërrua në pak orë.

Esmeralda Bala qan gjatë gjithë bashkëbisedimit me Opinion.al. “Me fëmijë, gra e burra jemi gdhirë sot këtu, në gërmadha. As në luftë nuk ndodh kjo…është bërë si në Bagdad”.

Më tej Esmeralda përshkruan gjithë ngjarjen sipas versionit të saj dhe akuzon se përpos se u kanë shembur shtëpitë, u kanë vjedhur edhe paratë e sendet me vlerë.

“Dje kur erdhën ata (inspektorët e policët) ne të gjitha familjet hoqën vetem paratë e sendet me vlerë nga shtëpitë që do shembeshin dhe i futëm tek shtëpia e vjetër që na premtuan se s’do ta preknin. Iu thamë çfarë doni? Doni gjakun tonë? Se ne edhe me gjak do e mbrojmë pronën e djersën tonë. Ata nuk pyetën (qan) i shemben të tëra me fadromë. Policët na mbanin nga krahët. Ata që u arrestuan u liruan në darkë. Kemi qendruar gjatë gjithë kohës këtu. Nuk ka hyrë njeri tjeter veç atyre (inspektorë, policë). Dyshojmë se ata na i kanë marrë edhe kursimet që kishim grumbulluar të gjitha familjet bashkë. Ne tani jo vetem jemi pa shtëpi mbi kokë por edhe pa asnjë lek”.

Historia e pronës

Më tej ,Esmeralda shpjegon se kanë qenë në proces gjyqësor me shtetin dhe vetëm 1 muaj më parë janë njoftuar për shembjen e banesave, madje i ka marrë në telefon edhe vetë kryeministri Edi Rama.

“Vjehrri im ka punuar në ushtri. Në vitet ’90 kishin shtëpi të vjetër ekzistuese dhe ka privatizuar tokën e ushtrisë. Aty ndërtuam objekte të tjera pa leje si gjithë shqiptarët. Nga një shtëpi secili prej vëllezërve dhe motra. Bëmë deklarimet tek ALUIZNI për objektet pa leje pasi tokën e kishim përfituar sipas ligjit 7501. Prona jonë është ngjitur me kavalishencën e Ministrisë së Mbrojtjes (shtëpinë e pushimit ushtarak). Para një muaji na vjen përgjigja nga ALUIZNI se objektet skualifikohen sepse janë ndërtuar në tokën e shtetit. Me një kërkesë të Ministrisë së Mbrojtjes prona e kavalishencës është bërë 45 mijë metra katrorë. Duke bërë mbivendosje na kanë marrë edhe pronën tonë.

Në Gusht kur u njoftuam se nuk janë legalizuar objektet bëmë padi në gjykatë. Njoftuam IKMT dhe gjithë institucionet e tjera se jemi në gjyq. I kemi shkruar deputetit të zonës, Damian Gjiknuri, i cili nuk na është përgjigjur. Vendosëm në dijeni kryeministrin i thamë do e mbrojmë pronën me gjak. Kryeministri na ka marrë në telefon dhe na tha “ca hipoteke keni ju? ALUIZNI ju ka skualifikuar. Pasi e ka vertetuar na ka marrë përsëri dhe na ka thënë vetëm shtëpinë e vjetër nuk do u shembim, po ato të tjerat më mirë shembini vetë.

Ai tallej me kunatin tim (vëllanë e burrit) i thoshte të fala babait”.
Apelojmë Presidentin, Avokatin e Popullit dhe ambasadat: Shteti na ka grabitur pronën. Jemi pa çati mbi kokë. Jemi me fëmijë, më i vogli 2 vjeç. As rroba nuk kemi as ushqim. Na shemben shtëpinë dhe na grabitën. A ka njeri këtu që dëgjon?!”, e mbyll rrëfimin e saj Esmeralda që nuk pushon së qari gjatë gjithë rërfimit të saj.

/Riviera Dedaj-Opinion.al

*Foto: Gjendja sot në Jalë, një ditë pas shembjes masive të shtëpive të familjes Bala