Nga Zhaneta Barxhaj/ Shtatori i teatrit apo teatri i shtatorit

Pas pushimeve të gjata, menduam se shtatori do ishte sezoni i teatrit të lirë. Por, mesa duket as pushimet e gjata nuk ua sollën rradaken në vend ca shqipëtarëve, që sillen si “shkjau” do thoshnin vëllezërit tanë kosovarë, të molepsur edhe ata në një tjetër teatër të shtatorit vjeshtak.
Po çfarë është teatri? Me këtë nuk e kam fjalën për përkufizimet e kësaj fjale si term gjuhësor. Por, çfarë është teatri brenda një shoqërie? Çfarë përfaqëson ai në kulturën dhe identitetin e një kombi? Teatri nuk është godina ( trajtimin historik dhe arkitekturor të saj, si dhe shkeljet legjislative i kanë bërë specialistët), nuk janë aktorët apo regjisorët e ndryshëm që kanë kaluar dhe do kalojnë në skenën e tij.
Teatri është shpirti i një kombi.

Është shpirti që regëtinë drejt lirisë, drejt dinjitetit, drejt së bukurës, drejt kujtesës historike. Nëse do të kryhej një studim për shoqërinë njerëzore, se në ç’ stad zhvillimi është ajo, një vështrim i shfaqjeve të vëna në skenë, do të na japi qartë nivelin e mendimit dhe lirisë së atij vendi. Teatri është shfaqja më e lashtë e një arti të organizuar, është edukimi i parë i ndjenjës dhe vlerave njerëzore. Nëse e fshijmë atë, kemi zhbërë identitetin, kemi heshtur regëtimat e mijëra shpirtërave, që kanë rrahur nëpër ato salla. Nëse e shembim, kemi vrarë gjysmën e vetvetes me një harakiri që do të zgjas në vite e do të ngelet si njollë turpi në histori.
Po si mundet një shoqëri të jetojë dhe emancipohet pa shpirtin e vet të artit?! Pikërisht, për këtë nuk duhet ta lëmë shpirtin tonë në duart e djallit në teatrin e shtatorit. Është e qartë që kjo vetëvrasje nuk është kaq e pafajshme, dhe as nuk bëhet nga padija, por nga ca intriga të errëta si të Ledi Makbethit.
Arsimi po jep shpirt para syve tanë, në mënyrën më të turpshme. Edhe artin si një nga format më të larta të arsimimit të njeriut duan ta vrasin. Në këtë mënyrë zhdukin përfundimisht vetëdijen historike dhe identitetin, në këtë mënyrë shtypin përgjithnji ndjenjën e lirisë brenda nesh, duke na nënshtruar në plugun e tyre të pushtetit. Kështu, të hënën e tretë të shtatorit filluan shkollat. Filloi mbjellja e mësimit mekanik e palogjikë si e robotëve të programuar.

Mësimi me kurikula ku zhduken emrat shqipëtar, ku dëmtohet hapur gjuha dhe drejtshkrimi i saj, ku qëllimisht bëhet zbehja e dijes. Dhe fill pas tyre, hapet teatri i shtatorit për shembjen e një tjetër faltoreje të dijes dhe shpirtit.
Ne, të lodhur e të dërrmuar, si në ferrin e Dantes po vërvitemi ditë pas dite nëpër pirgjet e zhbërjes. Po stivosemi si drutë në pritje të zjarrit. Dhe kush guxon të flasë, të luftojë duke thënë të vërtetën, kërcënohet me prerje gjuhe apo si në mitologjinë greke, ku Kasandrën e dënuan për të mos e besuar, se nuk e duronin të vërtetën. E sigurisht grekët e mitologjisë dhe shumë të tjerë mezi presin që ne t’i nxjerrim sytë vetvetes.
Teatri është pikërisht një sy i madh. Është syri i ndjenjës, i vlerës, i kulturës, i nxjerrjes açik të poshtërsive të njeriut. Është syri brenda një shoqërie, duke na çuar në ‘katarsisin’ e madh ku gjejmë vetveten e humbur si në një ‘deux- machina’. E pra, këtë vetevete duan të na e vjedhin, të na e shembin, të na e vrasin dhe si kukullat të na rreshtojnë poshtë vitrinave të pushtetit. Por, boll më! Mjaft me këto forma të shitura e diktatoriale. Shqiptarët nuk e meritojnë këtë kalvar të gjatë prej mijëra vjetësh. Ne nuk e meritojmë të na zhdukin identitetin dhe historinë. Duajeni këtë vend dhe mos e dëmtoni më shumë nga gjithë pushtuesit e tij.

Dihet që e keqja më e madhe njeriut dhe kombit i vjen nga vetja. Ndaj hiqni dorë nga teatri i rradhës këtë shtator dhe lëreni shtatorin të jetë sezoni i artë i teatrit. Shkoni të shikoni “ Medean” dhe përjetoni pastrimin e shpirtit nga pasionet e çmendura të pushtetit. Shkoni pastroni mëndjet nga planet djallëzore të vrasjes dhe shëmbjes së teatrit. Shkoni mos kini turp. Uluni në karriget e kuqe dhe udhëtoni në magjinë e shpirtit të ri, që do t’iu dhurojë gjithë bujari teatri. Shtatori është i teatrit, ndaj mos luani me të…Ai meriton të jetë i lirë dhe të qëndrojë atje me gjithë madhështinë që i dhanë brezat, me gjithë sakrificat e atyre që e duan të bukurën, e duan artin, e duan Shqipërinë…

Image result for teatri