Nga Sokrat Turtulli/ Thagmë, Lasgush, thagmë. E more vesh?!

Thagmë, Lasgush, thagmë. E more vesh? E more vesh se ç’të punuan mbrëmë pa të pyetur fare? Ta ngjitën emrin në disa hekura turke, Lasgush. Nuk e beson? Thanë se do fluturoje lart dhe se mbi ty do hipnin njerëz për të çarë qiejt drejt botës. Thanë se emrin tënd ia vunë avionit të parë të një kompanie shqiptare. As rrotat e avionit nuk janë tonat, Lasgush, as rrotat.

Dhe e di kush ta bënë këtë “nder”?

Bijtë e atyre që gjithe jetën e helmuan këtë popull me propogandë. Janë bijtë e atyre që të rrëmbyen Çuçin tënd që e doje aq shume dhe deshën ta pushkatonin. Si? Nuk e mban mënd Çuçin, qenin tënd? Ja se çfarë ke shkruar për qenin tënd atëherë kur etërit e këtyre që ta ngjitën emrin nëpër hekura turke, donin ta pushkatonin.

Tiranë, e Mërkurë 2 Prill 1975: Sot nga ora 1 pas mesdite, ardhë m’a muar me zor, konkën t’ime shumë të dashur dhe shumë besnike, “Cucin” që të m’a vrasin (pushkatojnë). Ishte sekretari i Këshillit të Lagjes nr 1 me një polic dhe dy të tjerë me pushkë. Thanë: “Kemi urdhër t’a vrasim qenin!”

Unë ju luta me 1000 të lutura të m’a lënë 2-3 ditë, të marr lejë të mos m’a vrasin. Ata nuk pranuan në asnjë mënyrë. E mbanja Cucin siç ish i lidhur, me rrypin e tij poshtë shkallëve, m’a rrëmbyen egërsisht. Megjithqë polici i tha sekretarit të m’a lenë këto 2-3 ditë, sekretari një individ zemër ashpër, dha urdhër të m’a marrin. Sbriti polici poshtë ne “Cuci” m’a mori megjith rryp dhe me gjith hallkën e rrypit prej së cilës i vinja rrypin “Cuci-t” kur e shëtisnja nga pak në mëngjes dhe më drekë nga ora 11-12-1. Passi m’a rrëmbyen “Cuci-n” në këtë mënyrë kaq të egër, zura të qaj, sbrita poshtë shkallëve ku e mbanja lidhur me rrypkën e tij elegante (që m’a dha Kostaqi i Frosës në Poradec) dhe m’u shkreh zemra dhe zura të qaj me lot për “Cuci-n”, puthnja peronën ku kapnja rrypin, puthnja safkën e ujit ku i shtinja ujë të freskët, putha 2-3 herë dhe shumë herë enën ku i shtinja të hajë “Cucit” dhe qanja me psherëtimë. Kaq shumë m’u dhemb “Cuci”.

 

Hë, t’u kujtua tani? T’u kujtua se kush po të nderon sot? Ke dëgjuar të thonë “qen bir qeni”? Po ti dhe unë i duam qentë dhe pse këta që po flas unë kanë qënë  ujqër dhe çakej.

Nuk besoj se nuk e kuptove pse ta bënë këtë “nder”?! Kërkojnë që nëpërmjet emrit tënd të zbusin sado pak gjëmën që po i bëjnë këtij populli.

Nuk iu kërcet për ty, besoma këtë!

E dëgjove mbrëmë se kush mbante fjalim duke u mburrur me emrin tënd dhe pse në faqet e avionit nuk lexohej gjëkundi emri jot?! E pe si tundej sa lart poshtë djali i atij që ka firmosur për varjen e poetit? A i pe se përballë tij ishin pothuaj të gjithë bijtë e etërve të Byrosë Politike që ty të nxinë jetën?! A e di se ai që mburrej mbrëmë me emrin tënd e ka mbush Parlamentin e burrave me kriminelë? A e di se ai që mbrëmë djersinte sa herë përmëndte emrin tënd e ka mbushur shqipërinë gjithë drogë ku ditë për ditë vriten bij nënash? A e di se ai e ka mbush qeverinë me bijtë e ish byroristëve të zinj? Nuk janë kushurinj të largët, jo, janë fiks bijtë dhe bijat e tyre që sot janë Ministra dhe ambasadorë, drejtora dhe shefa sigurimi. T’a përmënd sigurimin se vetëm ashtu kujtohesh sa e zezë ka qënë ajo kohë dhe se kush janë këta.

Të kujtohet se si deshe të vrisje veten kur të kërkuan poezi për monstrën enver? Të kujtohet që ta dhanë qenin me kusht për një vit dhe ia falën jetën vetëm që ti në shpërblim te saj të bëje poezi për enverin? Të kujtohet si ta futën pistoletën nën jastëk që të mos mundoheshe shumë për të vrarë veten? Të kujtohet si të kërcenuan me mosdhënie të drejte studimi për vajzën që e doje aq shumë? Për një poezi në ditëlindjen e tij. Dhe ta kërkonin ty  që, kurrë nuk i thirre në emër atij monstre, por e quaje thjesht “ay”.

Jam i bindur se i ke zënë veshët mbrëmë kur dëgjoje të flitej për ty. Jam i bindur se ke dash sërish të zhdukesh liqenit pafund vetëm e vetëm që mos të ta njollosin emrin e MADH këta pisa të vegjël. Jam i bindur se po të ishe gjallë nuk do hipje kurrë në atë avion që fitimet e tij përfundojnë në xhepat e diktatorit të Turqisë dhe kapos së drogës në Shqipëri. Jam i bindur që nuk do ta pranosh KURRË , atë “nder” që tu bë nga sigurimsat e rilindur që kanë rilindur edhe shtëpinë me gjethe vetëm e vetëm për nostaligjinë e etërve të tyre.

Vazhdo të jetosh i qetë pranë liqenit. Vazhdo ta mbash shikimin nga Ohri si atëherë, pasi asgjë nuk ka ndryshuar në vëndin tënd dhe timin. M’a përqafo edhe Çuçin…

 

P.S. Të lutem…nëse e takon rastësisht Migjenin, i thuaj të largohet sa më parë pasi pas teje kanë në plan t’ja njollosin emrin dhe atij…

SPRINT.AL

Image result for lasgush poradeci