Propozimi i Bashës për Veting në politikë/ Trembet Balla dhe tërhiqet PS

Në fillim Edi Rama e mbështeti propozimin e Lulzim Bashës për vetingun e politikanëve, por këtë javë duket se mazhoranca ka ndryshuar qendrim. Taulant Balla, duke drejtuar mbledhjen e grupit të PS, në mungesë të Ramës, është shprehur se propozimi i Bashës është i dështuar.

“Propozimi i Bashës i dështuar dhe propagandë politike. Propozimi si t’i zësh rrugën me ferra reformës në drejtësi. Jemi gati për vetting të vërtetë, reforma në drejtësi e garanton 100%, Byroja Kombëtare dhe SPAK garanton plotësisht vettingun e politikanëve, nuk ndalen vetëm tek politikanët por edhe tek familjarët. Propozimi i Bashës shmang hetimin e familjarëve. Gati për cdo propozim që s’prek reformën në drejtësi dhe vijimin e vetingut për gjyqtarët e prokurorët”, ka deklaruar Balla në mbledhjen me dyert të mbyllura të grupit socialist.

Kujtojmë se të premten, më 7 Shtator PD-ja depozitoi draftin ligjor për vettingun e politikanëve. Rama u përgjigj duke thënë se është në dakordësi të plotë me këtë nismë të PD-së, por me kusht që ky Vetting, të përfshijë edhe pasuritë e anëtarëve të tjerë të familjes së një politikani, duke u kthyer në një “sitë” të njëjtë me atë të Vetting-ut në sistemin gjyqësor.

“Për këtë vettigun që i ka lindur në zemër Lulit unë jam gati. Se besoj që një komision bipartisan të merrej me këtë punë. Kemi ngarkuar Taulantin me Spahon, Agacin dhe Cucin të komunikojë me Bylykbashin. Ketë e diskutojmë por vetingun tjetër do e cojmë deri në fund dhe fllanzat dhe gjithë zogjtë e tjerë do fluturojnë një herë e mirë nga ajo fole. Jam gati që që nesër të ulemi me Lulin. Ai fillimin e ka me unë nuk ulem po s’ka problem unë do ti lutem që ta bëjmë një herë e mirë këtë punë”. Kështu është shprehur Rama gjatë asamblesë së PS-së që u mbajt javën e kaluar.

/Opinion.al