Kapet në Otranto skafi i nisur nga Vlora me 700 kg marijuanë

Aktualitet

Lajmi u bë e ditur nga Policia e Shtetit shqiptar e cila tha se “ne i sinjalizuam italianët për ngarkesën e drogës”.

“E ndoqëm skafin por më pas humbëm kontaktet dhe sinjalizuam policinë italiane e cila arriti ta kapë skafin e mbushur me drogë në Sant Andrea, Otranto. Po kështu janë arrestuar dy skafistët”, deklaroi policia shqiptare.

Ja dhe njoftimi i plotë:

Ditën e djeshme, Policia Kufitare e Vlorës mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative është vënë në ndjekje të një mjeti detar, i dyshuar për trafik narkotikësh, duke njoftuar njëkohësisht Prokurorinë e Krimeve të Rënda për rastin.

Pasi kanë humbur kontaktet dhe mjeti në ndjekje hyri në ujërat ndërkombëtare, Policia Kufitare njoftoi autoritetet italiane dhe nisi koordinimi i veprimeve.

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, Policia e Shtetit dhe Guardia di Finanza në Itali finalizuan me sukses operacionin, edhe si rezultat i bashkëpunimit efektiv të forcave policore të dy vendeve, nëpërmjet zyrave ndërlidhëse.

Në afërsi të lokalitetit Sant Andrea, Otranto, u bë i mundur sekuestrimi i mjetit në ndjekje, që drejtohej nga dy shtetas shqiptarë me iniciale D.G., 22 vjeç dhe A.R., 30 vjeç. Në skaf u sekuestrua rreth 700 kg marijuanë.

Janë në vijim hetimet në dy anët e Adriatikut për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë tentativë trafiku.

 

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?