Babë e bir pro shembjes së Teatrit.

Nga Ergys Mertiri.

Aktori Genti Kame, djali i regjisorit Gëzim Kame, ashtu si edhe i ati ka mbajtur anën e qeverisë në debatin mbi teatrin, duke kërkuar shembjen e tij dhe ndërtimin e një teatri të ri. Ashtu si dhe shumë kolegë të tij, si dhe vetë Rama e Veliaj, argumentet e tij, i largohen thelbit të diskutimit që ka prodhuar gjithë atë rezistencë qytetare, duke treguar se qendrimi i tyre është i instrumentalizuar dhe aspak i ndershëm.
I ftuar në studio në News 24 z. Kame u përpoq të bëjë të paditurin në shumë nga problemet e shtruara prej protestusve dhe të painteresuarin për çështje që lidhen me qeverinë, për të shmangur thelbin e problemit, duke e shtyrë diskutimin në periferi të tij. Ai u shpreh se nuk e kupton se përse duhet i gjithë ky debat, ç’të keqe ka të ndërtohet një teatër i ri dhe se pse duhet mbrojtur me kaq këmbëngulje ajo godinë e vjetër, e rrënuar që është ndërtuar nga pushtuesit si një dopolavoro për ushtarët! Në krahun tjetër, Kame u mundua t’i ikë problemeve politike që kanë të bëjnë me korrupsioin flagrant në ndërtimin e 6 kullave në këmbim të teatrit, duke u shprehur se nuk i intereson politika dhe se nuk është gjitholog për të folur për urbanistikë.

Por gjithsesi ai nuk ngurron ta bëjë rolin e gjithologut kur kjo i leverdis qeverisë duke u shprehur se nuk ka asgjë të keqe që Tirana të shtrihet vertikalisht në kulla të larta deri në 50 kate, ndërsa ia mban mirë anën politikës kur thotë se jemi mësuar me akuza për korrupsion në gjithë këto vite ku asgjë nuk vërtetohet. Gjithashtu, përtej gjoja indiferencës së tij ndaj aspektit politik, Kame nuk është aspak indiferent kur i qan hallin qeverisë se ka shumë probleme dhe nuk i mjaftojnë fondet për të ndërtuar një teatër të ri. Sipas tij, ky vend ka shumë halle dhe ata si artistë, nuk e kanë luksin t’i kërkojnë qeverisë që teatrin e ri ta bëjë me buxhetin e shtetit. Sipas tij artistët duhet të jenë mirëkuptues dhe të ndjeshëm ndaj këtij realiteti dhe jo të mendojnë në mënyrë egoiste, duke i kërkuar shtetit një teatër.
Me pak fjalë, skema e shpjegimit është kjo:
Qeveria nuk ka para për një teatër të ri, dhe artistët duhet të mbajnë hallin e saj dhe jo te tyrin. Nga ana tjetër teatri i vjetër nuk ka asnjë vlerë arkitekturore, historike, teknike etj, dhe nuk ka përse të ruhet. E meqë ka dalë një pronar privat që ka marrë përsipër ta ndërtojë këtë teatër, në këmbim të truallit publik në qendër të Tiranës, e vetmja rrugë që mbetet është që ti falim privatit truallin dhe të shkatërrojmë teatrin e vjetër. Fakti që nga kjo skemë fitohen para pa hesap nga përvetësimi truallit në mënyrë klienteliste është një gjë që nuk i intereson artistit! Atij i interesoka vetëm teatri i ri, por pa i rënë në qafë qeverisë!
Në fakt, nuk do as mend e as kalem këtu të kuptosh se teatri po përdoret thjesht si një karrem për të grabitur truallin, ndërkohë që projekti po ndërtohet pa konkurs, me ligje të fabrikuara, tjetërsim prone, shkelje ligjesh, transferim kompetencash nga pushteti lokal tek ai qendror etj. Por z. Kame nuk i interesojnë faktet flagrante të shfaqura ditën për diell, po i interesojnë hallet e qeverisë që nuk ka para për të ndërtuar një godinë të re, ndonëse ajo në realitet ka derdhur qindra mijëra euro në projektet e saj pa kuptim të rilindjes urbane në qyteza të humbura të vendit, të cilat ndërtojnë bulevarde luksoze që shkëlqejnë nga mermeri e llamburisin nga ambazhurët modernë, në mes të mjerimit. Atij nuk i interesojnë as paratë e derdhura lumë në projekte kot, si psh. koncensionet e Check Up-it, apo ato të restaurimeve të godinave qeveritare! Këto janë çështje politike ku, ky lloj artisti nuk futet!

Nëse z. Kame nuk ka arritur të kuptojë se përse një sërë artistësh, nga ata që nuk janë shitur tek qeveria, si dhe një mori qytetarësh, dalin çdo ditë në protestë për të mbrojtur teatrin dhe qytetin, duket se ai ka probleme serioze me të kuptuarit. Është problem serioz kur një artist nuk kupton dot se çdo të thotë trashëgimi dhe se përse duhet ruajtur një godinë historike ku për herë të parë është luajtur teatër e opera. Është vërtetë problem serioz kur një artist nuk kupton dot se përse duhet ruajtur një godinë që i përket korpusit të kompleksit qendror arkitekturor të një kryeqyteti, e cila është bërë prej dekadash, pjesë e pejzazhit arkitekturor të këtij qyteti. Mjaftojnë këto për të kuptuar pse ajo godinë nuk duhet prishur, qoftë edhe sikur të mos ketë vlera arkitekturore.
Por është një problem akoma dhe më i madh kur një artist nuk kupton se përse duhet mbrojtur një godinë, e cila prishet për të ndërtuar 6 kulla 30 katëshe në një zonë arkitekturore të mbrojtur, në zemër të kryeqytetit dhe ngjitur me godinat historike 4 katëshe! Është problem gjithashtu i madh kur artisti nuk kupton konfliktin e interesit që gjenerohet prapa projektesh të tilla shkatërrimtare, ku një truall kaq i lakmueshëm, i jepet një privati për 5 pare, pa konkurs, duke shkelur ligjet e duke hyrë në luftë me qytetarët vetëm e vetëm që ato kulla të ndërtohen.

E çuditshme, nga ana tjetër është edhe fakti që shumë prej artistëve, duke përfshirë këtu edhe vetë Gëzim Kamen, babanë e Gentit, deri para 6 muajsh thonin që ajo godinë bart vlera historike, ndërsa sot e kanë dredhur, duke nënshkruar peticione pro shembjes së saj. Gëzim Kame ka deklaruar para 6 muajsh në News 24 se është i qendrimit se teatri i vjetër duhet të ruhet dhe se teatri ri duhet të ndërtohet me fondet e shtetit në një truall tjetër. Sot Gëzim Kame ankohet pse po vonohet shembja e këtij teatri, duke shprehur edhe pakënaqësi ndaj atyre që po e mbrojnë! Këtyre çudirave do të duhej ti jepte më mirë shpjegim Genti Kame, sesa të merret me gjëra që, siç thotë vetë, nuk i kupton!

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

About The Author