Maqedonia po na “rrëmben” turistët nordikë që kanë rezervuar në Golem

Diferenca mes tyre dhe nesh është si dita me natën. Ata kanë ruajtur pasuritë kulturore, kanë përmirësuar çdo aspekt që lidhet me turizmin, duke synuar që të marrin më të mirën prej tij.

Infrastruktura, ashtu siç pritej, është rezerva më e madhe që kanë turistët e huaj kryesisht nordikë, të vendosur në hotelet pranë Golemit. Mungesa e sinjalisitkës, parkimet dysh të bëra keq dhe trotuaret e papërfunduara komentohen si një rrezik potencial aksidenti nga turistët, që janë të detyruar të tërheqin valixhet për më shumë se 200 metra mbi zhavorr e gurë apo në rrugën për makinat.

Lidhur me kushtet në hotele dhe ushqimin, përshtypjet e tyre kanë qenë pozitive. Edhe pse Shqipëria ka bërë progres në tërheqjen e vëmendjes së turistëve të huaj, fqinjët ia kanë dalë sërish të fitojnë garën në disa raste. Maqedonia, për shembull, me paketën e Ohrit, është sot oferta më e kërkuar ndër disa opsione të tjera që ofrohen, si aktivitete ekstra nga tur-operatorët. Rrahman Kasa, menaxher i “Happy Tours”, thotë për “Monitor” se Ohri është sot paketa më e shitur dhe më pas vjen Vlora e Tirana me Krujën. Sipas tij, shkak për këtë është organizmi i mirë që kanë fqinjët tanë lidhur me turizmin.

Turistët e parë nordikë erdhën në maj dhe tashmë jemi në muajin e tretë kur këta turistë po vizitojnë Shqipërinë javë pas jave sipas rezervimeve. Si kanë qenë përshtypjet e para që keni marrë?

Përshtypjet, në përgjithësi, kanë qenë të mira. Ne këtë e kemi bërë të ditur edhe gjatë takimeve që kemi pasur me pjesën e vendorëve apo përfaqësuesve të institucioneve të tjera. Gjithsesi, qëndrimi i turistëve ndahet në dy. Sa u përket hoteleve, ata kanë pasur përshtypje të mira dhe e kanë shprehur, rezerva kanë për pjesën jashtë hotelit që lidhet me infrastrukturën, sidomos për trotuaret. Të paktën te pjesa e Golemit, ku po qëndrojnë turistët e huaj me rezervime, trotuaret janë të pakalueshme, gjen inerte zhavorr dhe, në shumë raste, të duhet të dalësh në rrugën e makinave që të kalosh.

Një pjesë kanë shprehur shqetësimin për mungesën e trotuareve, pasi kjo mund të ketë pasoja, ndihen të rrezikuar nga makinat dhe nga mënyra sesi drejtohen mjetet në këto rrugë. Sigurisht që në Golem janë bërë disa punime dhe rruga u shtua, por nuk është vendosur ende sinjalistika, pra mungojnë tabelat. Makinat private futen në të dyja krahët dhe parkohen keq, duke na sjellë probleme me futjen e autobusëve për në hotele. Si pasojë e kësaj, turistët detyrohen që të zbresin që në krye të rrugës dhe të tërheqin zvarrë valixhe me pesha të konsiderueshme për rreth 200 apo më shumë metra deri në hotel.

Kjo është një pikë që turistët e huaj nuk e kuptojnë, pasi supozohet që kur nisesh me pushime, kjo nuk është diçka që duhet të të sjellë shqetësim, pasi duhet të jenë të gjithë kushtet dhe komoditetet. Infrastruktura dhe mungesa e dëshirës për të rregulluar këtë situatë ka pasojat e veta, që shfaqet në këto lloj episodesh që sigurisht nuk lënë shije të mirë te turistët. I kam kërkuar kryetarit të Bashkisë së Kavajës që, të paktën, të vendoset sinjalistika, por deri më tani, nuk është bërë asgjë.

Si ka vazhduar ardhja e turistëve, sa avionë charter po vijnë çdo javë?

Sipas programimit dhe rezervimeve të bëra më herët po vijon ardhja normale e turistëve nordikë. Që nga maji, çdo javë vijnë 5 avionë charter, që do të thotë përafërsisht diku te 900 turistë të rinj, të vendosur në hotelet me të cilët janë lidhur kontratat përgjatë Golemit. Situata, deri më tani, duket pozitive, nuk kanë pasur ankesa.

Po për ushqimin, se vitin e kaluar pati disa rezerva për këtë pjesë?

Turistët nordikë kanë ardhur me paketa që përfshijnë vetëm pjesën e mëngjesit dhe përgjithësisht përshtypjet për këtë paketë kanë qenë pozitive. Për vaktet e tjera, kanë parapëlqyer të dalin të eksplorojnë variante të reja jashtë hotelit, në restorante të ndryshëm. Një pjesë kanë zgjedhur edhe restorantin e hotelit por, në përgjithësi, i kanë alternuar.

Po aktivitete jashtë hotelit, keni organizuar? Çfarë paketash u keni ofruar ose cilët kanë qenë destinacionet e tjera që kanë vizituar?

Sigurisht që ne u kemi ofruar paketat tona lidhur me aktivitetet jashtë hotelit. Janë një ndërthurje mes vizitave në destinacione të trashëgimisë kulturore dhe pak turizëm aventure. Konkretisht, në bazë të preferencave kanë vizituar Beratin, Krujën, Tiranën. Këto destinacione u janë dukur interesante dhe kanë pasur përshtypje pozitive, por problematika që kemi në Shqipëri është mungesa e organizimit në këto atraksione, pra që të përfitojnë edhe ato maksimalisht nga turizmi. Te pjesa e aktiviteteve të tjera kemi organizuar Jeep Safari (udhëtime me makina të larta) kjo kryesisht në dy guida. E para nga Mali me Gropa deri në Shëngjergj, duke përfshirë edhe Ujëvarën e Shëngjergjit, si pjesë të saj dhe nga Kepin e Rodonit deri në Ishëm.

Çfarë blejnë zakonisht turistët nordikë në vizitat që bëni nëpër qytetet kryesore?

Sigurisht, preferencat variojnë nga individi në individ dhe nga qyteti në qytet por, kryesisht, blejnë pije të ndryshme, verë dhe konjak në Kantinën e Skënderbeut, në Durrës, dhe në Kantinën e Luanit në Berat. Pazari i Krujës është pikë tjetër e rëndësishme dhe mund të them se aty blihet më shumë, sepse dhe variacioni i punimeve që ofrohet është më i madh.

Po në Jug të Shqipërisë, a i keni shëtitur, cila është paketa më e shitur që keni ju?

I kemi çuar edhe në Vlorë, duke iu bërë një shëtitje me anije në Karaburun e Sazan. Sigurisht që ju ka pëlqyer, por rruga është relativisht e lodhshme. Zakonisht kemi zgjedhur që turi të përfshijë darkën në Karaburun, plazhin aty dhe vizitën në ishullin e Sazanit. Vlora është paketa jonë e dytë më e shitur, kurse e para është Ohri në Maqedoni.

Ne organizohemi dhe i çojmë në Ohër një ditë, por aty gjithçka është e mirorganizuar, ka një itinerar të përcaktuar saktë, ka një rreth turistik që funksionon dhe vë gjithçka në funksion të kënaqësisë së turistit, gjithçka është në shërbim të tij. Diferenca mes tyre dhe nesh është si dita me natën. Ata kanë ruajtur pasuritë kulturore, kanë përmirësuar çdo aspekt që lidhet me turizmin, duke synuar që të marrin më të mirën prej tij.

Pas Ohrit dhe Vlorës, si renditen paketat nga më e përzgjedhura tek ajo më pak e tillë?

Tirana dhe Kruja janë të tretat, pasi janë pak a shumë njëlloj, kurse më pak e shitur, është paketa e Beratit.

Po si kosto, si rezultojnë këto paketa, ku luhaten?

Paketat nisin nga 25 në 50 euro dhe përfshijnë guidën, udhëtimin, drekën. Blerjet e tjera pastaj jashtë kësaj paguhen nga vetë turistët./monitor

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

About The Author