Nga Poli Hoxha/ Përse shkaktoi tërmet, Lulzim Basha?!
Një status i kreut të opozitës, Lulzim Basha, i publikuar në Twiter në anglisht, si përshëndetje për planin që shpalosi dje, Zv. kryeministri dhe ministri i Brendshëm italian, Mateo Salvini, për ti shpallur luftë pa kompromis mafies dhe narkotrafikut bëri që në Tiranë, të kërcejnë pupthi gjithë kopshtarët e oborrit të Edi Ramës. Më keq se si bënë pas tërmetit të sotëm, që ju lëkundi fortë karriget, kullat e gjithë çfarë kanë.
Nuk kishte bërë vaki ndonjëherë, që një grup “cicërimash” të kryetarit të PD-së, të shkaktonin kaq shumë pështjellim, frikë dhe nxitim, për të sulmuar autorin e tyre. Më shumë se me vetë Bashën, duket se ky panik ka të bëjë “me erën e re” kundër mafies ndërkombëtare, që vjen përtej detit. Dhe në fakt nuk e fshehin, që pikërisht për këtë e kanë.
Por çfarë tha Salvini dhe përse u ngazëllye, Lulzim Basha?
“Luftë mafies, një impenjim që do i dedikoj çdo energji timen, me çdo mjet të nevojshëm… Për mafiozët argëtimi mbaroi! Tani duhet të tregojmë që Shteti është më i fortë. Do më pëlqente që në fund të udhëtimit, të kujtohesha si dikush që më shumë se të tjerët ka luftuar Camorra-n, Ndrangheta-n dhe mafien…Mesazhi i qartë për bastardët mafiozë, ndragetistë e kamorristë. Italia nuk do jetë më vendi juaj. Do luftoj ditë e natë dhe do provoj t’ju sekuestroj edhe mbathjet që keni veshur”, premtoi Salvini.
Kurse Basha “i shkretë” shkroi;
“Mirë se vjen era e Ndryshimit @matteosalvinimi, së shpejti edhe në anën tjetër të Adriatikut. Mafia shqiptare dhe narkoshteti i Ramës duhet të ndjejnë presionin e Italisë, në vend të gënjeshtrave, marrëveshjeve të fshehta dhe mbulimit të realitetit të deridjeshëm”.
Ja kaq mjaftoi, që Ditmir Bushati, Endri Fuga e një shpurë e gjatë e koneve që i kuisin te këmbët Edi Ramës dhe klanit që përfaqësojnë, të lëshoheshin në një fushatë të paprecedentë. Nuk kishte si të mungonte as Majlinda Bregu, “parimorja”…
Gjithashtu si me komandë, pa kaluar as ora nga statusi i Bashës, u vu në punë edhe makineria e analistëve të Ramës. Mero Baze, Skënder Minxhozi, Sokol Balla e të tjerë, lanë çdo punë, shëllerjen në diell buzë detit në këto ditë të nxehta dhe bombarduan portale e gazeta njëzëri. Njësoj sikur të kishin lëvizur pllakat tektonike poshtë tokës, në Tiranë. Çfarë dreqin të jetë ky hall kaq i madh i Ramës dhe karvanit të tij, që i detyron ti hungërijnë kaq fortë sfidës, që hodhi shpejt e shpejtë Lulzim Basha?
“Mafia shqiptare dhe narkoshteti i Ramës duhet të ndjejnë presionin e Italisë, në vend të gënjeshtrave, marrëveshjeve të fshehta dhe mbulimit të realitetit të deridjeshëm”, lajmëron kreu i PD-së.
Çfarë ka në këto fjalë që i djeg Ramës aq rëndshëm, sa që ka vënë në punë të gjitha bateritë e propagandës për ta nxjerr këtë herë Bashën si mbështetës të, “një fashisti italian, antishqiptar e anti-emigrant”?!
E lexuat më lartë se çfarë thotë Salvini?; mbaroi koha e bastardëve mafiozë, ndraghetistë e kamorristë. Italia nuk do jetë më vendi juaj. Do t’ju sekuestroj edhe mbathjet që keni veshur!
Ka ndonjë gjë kundër Rama e kompani, që ky plan ambicioz i Salvinit dhe qeverisë së re italiane, të bëhet realitet?!
Që mafia dhe narkotrafikantët shqiptarë, tani e tutje duhet të mendohen mirë kur bëjnë biznes qindra-milion euro, me Ndraghetën dhe Camorrën?!
Që nuk do të jenë më furnizuesit e tyre kryesor, me kanabis, kokainë e heroinë?!
Që miliardat e këtij aktiviteti kriminal që vijnë nga Italia dhe gjithë Europa për tu pastruar ditën për diell këtu në Shqipëri, do të dalin zbuluar; kush e bën, cilët i kthejnë në “investime”?!
Por ka, edhe më. Basha flet për një “erë të re”, për fund “të gënjeshtrave, marrëveshjeve të fshehta dhe mbulimit të realitetit të deridjeshëm”.
Kjo është ajo, që duket se i bën të përfshihen në panik. Qeveria e re në Itali, duket se nuk ka ndërmend, që ashtu si paraardhësja socialiste e bërë “prapanicë e brekë” me Ramën, të shpallë shifra 90-përqindëshe për shkatërrimin e kanabisit në vendin tonë, ndërkohë që vendi jeshilonte nga Jugu në Veri.
Nuk do të lejojë më, që ambasadori i vendit të tyre në Tiranë, të bëhet mburojë për skandalet e ministrit të Brendshëm, si ai i Tahirit e Çakos me përgjimet. Çështja e Agron Xhafajt, ekspertiza e përgjimit të Babales, është marrë me seriozitetin maksimal nga ministria e re e Brendshme dhe ajo e Drejtësisë aty. Dhe nuk ka fare rëndësi, se si del!
Salvini e shpalli luftën në të dy brigjet e Adriatikut, sepse ai e di mirë që mafiet e të dy vendeve ka kohë që janë shkrirë. Lidhja politike e Habilajve dhe Ndraghetës, me ministrin më të fuqishëm të Ramës gjatë mandatit të tij të parë është vetëm një copëz e vogël, që përbën pazllin gjigant të ndërthurjes; krim i organizuar-politikë. Jo vetëm këtu, por edhe në Itali.
Kjo është e vërteta dhe “era e re” e paralajmëruar nga Salvini, e cila e bën optimist Bashën dhe gjithë shqiptarët e ndershëm këtu e në Itali.
Përallat me “fashistë antishqiptarë” të Ditmir Bushatit, Bregut, Fugës, Bazes, Ballës e Minxhozit, Rama bën shumë mirë, që i porosit dhe i amplifikon. Ndoshta i shërbejnë si shiringë ngushëllimi dhe qetësimi, së bashku me “vizat e bardha në pjatë”…deri sa të nisë realisht, “era e re”!