Këta janë 11 njerëzit që fitojnë tenderat e qeverisë së Ramës

‘Janë 11 persona që marrin çdo tender publik në Republikën e Shqipërisë. 1 në 3 tendera jepet pa garë. Janë 4 perona që marrin çdo koncesion në Republikën e Shqipërisë.

N/kryetarja e Komisionit të Ekonomisë Jorida Tabaku ritheksoi edhe sot në mbledhjen e mbyllur për mediat nga mazhoranca, se korrupsioni ka kapur  çdo qelizë të institucioneve shtetërore

Kemi një kompani fantazmë të ngritur për ‘Air Albania’, 3.2 miliard euro dëm ekonomik’, tha Tabaku, duke iu referuar shifrave të publikuara nga vetë qeveria.

Jorida Tabaku tha se Partia Demokratike ka çuar 12 dosje në Prokurori, duke filluar me denoncime që lidhen me afera korruptive, kontrata koncesionare korruptive të Ministrisë së Shëndetësisë duke vazhduar me denoncime që lidhen edhe me çështje të denoncuara nga KLSH.

‘Sot nuk ka një Gjykatë Kushtetuese ku mund t’i drejtohesh për shkeljen e ligjit. Reforma në Drejtësi ishte thjesht flluska e radhës ashtu siç ka qenë reforma territoriale e cila ka mbi 60 milionë euro shpenzime shtesë. Reforma në sistemin energjetik, që përfundon me rritjen e çmimit të energjisë me 24% për 75% të familjeve shqiptare.

Reformë në Arsim që sot ka varfëruar xhepat e shqiptarëve që sot ka shkatërruar universitetet publike dhe fajtore kryesore përse të rinjtë po largohen. Taksa e pronës që diskutuam me kërkesë të opozitës na u tha se nuk do të ketë efekt tek bizneset, na u tha që është në rregull çdo gjë, biznesi ka marrë faturat e para të taksës së pronës të rritura 2 deri në 4 herë.

Biznesi në Tiranë ka marrë fatura që janë duke i detyruar të mbyllin dyert e bizneseve”, theksoi Tabaku.

Krimi i organizuar, lufta ndaj drogës, korrupsioni, dorëheqja e Ministrit të Brendshëm, pas pesë javësh denoncime nga PD, pastrimi i parave, janë çështje të cilat qeveria nuk i shqyrton madje edhe pak ditë përpara vendimit për çeljen e negociatave, deklaroi deputetja e PD-së, Jorida Tabaku.