Dështon ambasadori Lu/ Nuk ka Vetting për Adriatik Llallën

Ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, nuk do të kalojë në sitën e Vetting-ut. Është ky vendimi që mori sot Kolegji i Posaçëm i Apelimit, pas ankimimit të Komisionerit Publik të vendimit të KPK-së.

”Me shumicë votash vendosi: ndryshimin e vendimit: ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për Adriatik Llallën. Ndalimin e emërimit të tij, gjyqtar, prokuror apo anëtar i KLD-së për një periudhë prej 15 vitesh”, thuhet në vendim.

Komisioneri argumentoi javën e kaluar se Llalla pavarësisht dorëheqjes nga drejtësia, vazhdon të ketë statusin e magjistratit e për këtë arsye dorëheqja e tij nuk rezulton të jetë kryer siç duhet. Si argument komisioneri solli shembullin e dy gjyqtarëve të dorëhequr pranë KLD gjatë vettingut

Seancën e kaluar, palët paraqitën pretendimet e tyre ku komisioneri Florian Ballhysa i qëndroi kërkesës për rrëzimin si të padrejtë të vendimit të KPK-së për Llallën, i cili sipas tij nuk ka zbatuar procedurat për dorëheqjen dhe vazhdon të gëzojë statusin e magjistratit.

Në kundërpërgjigje të këtyre pretendimeve ka dalë avokati mbrojtës i Llallës, Sokol Hazizaj, i cili ka kërkuar lënien në fuqi të vendimit duke e konsideruar aktin e dorëheqjes si një të drejtë kushtetuese.