“Ambigu” i Entela Konomi-t në galerinë e saj të artit në Montreal-Kanada. FOTO

Art

Nga Arben Kallamata.

Ndërthurje emocionesh në një galeri arti

Entela Konomi ka zgjedhur që galerinë e saj të artit në Montreal ta quajë “Ambigu”. Ambigu është një fjalë frëngjisht që ka kuptimin e përzjerjes, mpleksjes, ndërthurjes së disa gjërave. Për anglishtfolësit, duke datuar nga përdorimi i saj në shtresën e pasur angleze të shekullit të 17të dhe 18të fjala nënkupton një drekë apo darkë jo shumë formale, por gjithsesi të përgatitur mirë. Bashkë me nënshtresën e këndshme të humorit, emri i galerisë përmbledh në mënyrë kuptimplotë edhe thelbin e krijimtarisë artistike të piktores dhe emocioneve që ajo kërkon të përçojë.

E hapur në qendër të Montrealit, në një zonë ku nuk mungon aspak konkurenca me galeri të ngjashme arti, Ambigu paraqet gjithsesi një mikro-botë emocionale që shquhet për origjinalitetin dhe guximin e artistes. Porsa mbyll derën prapa teje ti e harron menjëherë zhurmën e rrugës nga ke ardhur, kafenetë dhe shitoret përreth dhe ndjehesh në një botë ndryshe.

Entela ka rreth dy vjet që është shpërngulur në Montreal dhe është ende në atë periudhë që quhet përshtatje. Por ajo nuk ka humbur aspak kohë – ka gjetur mënyrën se si ndjesitë dhe informacionin e ri ta përcjellë në telajo dhe kjo shprehet më së miri në ambigunë e saj.

Në galeri mbizotërojnë dy lloj punimesh – portretet dhe kompozimet. Por ndërsa portretet dëshmojnë teknikën dhe dashurinë e artistes për subjektet, kompozimet përbëjnë pa dyshim pjesën më interesante dhe më tërheqëse të punëve, si edhe, jo rastësisht, pjesën më të madhe të tyre nga ana numerike.

Interesant është fakti që edhe në kompozime subjekti i pikturave mbeten njerëzit. Por, në dallim nga portretet, ku fytyrat paraqiten realisht me gjithë tiparet e tyre, këtu njerëzve iu mungojnë tiparet e fytyrës dhe të trupit. Ato janë forma të përgjithshme, të cilat e shprehin vetveten jo përmes detajeve, por përmes volumeve, ngjyrave dhe lëvizjes së përgjithshme. Qëllimisht piktorja nuk merret fare me anën e jashtme të paraqitjes. Ajo hyn drejtpërdrejt në thelbin, në shpirtin e njeriut dhe përpiqet ta paraqesë pikërisht këtë thelb. Për Entelën nuk ka rëndësi dukja, rëndësi ka brendësia e shpirtit, tërësia e emocioneve, e vlerave njerëzore, e përvojës jetësore të çdo individi në kompozim. Sado e vështirë që të duket për t’u realizuar kjo, Entela arrin ta përçojë me shumë sukses, dhe këtu mendoj që qëndron vlera e punimeve të saj.

Entela është shumë e vëmendshme ndaj njerëzve, ndaj ndjenjave dhe emocioneve të tyre. Ajo parapëlqen që lëvizjen e saj të përditshme nga shtëpia në zonën urbane të Montrealit për në galeri, në zemër të qytetit, ta bëjë jo me makinë, por me metro dhe me autobuz. “Kjo më jep mundësi të njihem dhe të komunikoj me sa më shumë njerëz,” thotë ajo. I jep mundësi të kuptojë historitë njerëzore, ndjenjat dhe mënyrën e jetesës së njerëzve në këtë vend ku ka ardhur për të jetuar. I jep mundësi të përmbledhë emocionet e tyre dhe t’i përzjejë ato me emocionet dhe përvojave jetësore të njerëzve të vendit nga vjen. I jep mundësi të krijojë ambigunë e saj, përzjerjen e bukur të ndjenjave të njerëzve që ajo ka njohur gjatë jetës në Shqipëri dhe në Kanada.

Pranë grave të moshuara shqiptare që shprehin gëzimin e jetës duke mbajtur në duar tufa lulesh (në kontrast befasues me atë që presim t’i shohim të mbajnë – tufa shkarpash apo degësh drush), do të gjesh një grua vendase që e percepton botën përmes prekjes, ndjen pulsing e jetës duke mbështetur duart mbi një mur. Përkrah njerëzve që rrëshqasin të shkujdesur në një liqen të ngrirë me një natyrë të ftohtë por tërheqëse, do të shohësh shpirtra të munduar që përpiqen të lëvizin drejt qendrave të mëdha por që nuk gjejnë dot atë për të cilën kanë ardhur, që thithen dhe villen rregullisht nga ftohtësia e metropoleve. 

Galeria Ambigu është një oaz i freskët i shpirtit të një artisteje shqiptare në zemër të Montrealit. Nëse jetoni në Montreal, nëse jeni atje për një vizitë qoftë edhe të shkurtër, do t’iu rekomandoja që të mos e humbisnit rastin për ta parë. Nuk do të zhgënjeheni.Mjaft e efektshme është edhe loja e piktores me volumet. Ndërsa ruan me besnikëri volumet dhe perspektivën e objekteve, ajo eksperimenton me njerëzit, duke i kthyer përmasat dhe ngjyrat e tyre në shprehje të karaktereve. Kur vjen te njerëzit, largësia dhe ruajtja e përpjestimeve s’ka pikë rëndësie.

Teknika është mjaft e efektshme dhe ta jep plotësisht emocionin, duke të krijuar mundësinë të hysh në thellësi të shpirtit të njerëzve pa qënë nevoja për të parë tiparet apo shprehjet e fytyrave. Në këtë kuptim unë mendoj që Entela ka shumë guxim në përpjekjen e saj artistike dhe ky guxim shpërblehet me atë që është arritur artistikisht.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

About The Author