Kush ia sajoi gjithë këtë intrigë dhe kulisë ministrit të brendshëm?

Kush ia sajoi gjithë këtë intrigë dhe kulisë ministrit të brendshëm? Nga PD apo nga PS-PD? Nga krimi i rrugës apo nga mafia dhe politika e lidhur me krimin e organizuar? Cili mezi priste ti zinte karriken e ministrit? Ku u bë montazhi i audioincizimit?

Fushata e sulmeve ndaj ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka marrë një tjetër rrjedhë, e cila po i vendos akuzuesit e PD-së në pozitat e personave që tashmë janë ata nën akuzë dhe dyshime të forta. Bile se janë përdorur nga segmente të krimit të organizuar të lidhur me qarqe politike.

Akuza e parë e PD-së ndaj Fatmir Xhafaj ishte se si ministër ka mbrojtur vëllanë e tij të dënuar në Itali duke mos lejuar ekstradimin në vendin fqinj. Xhafaj ka deklaruar disa herë se nuk ka asnjë dokument apo veprim të tij që fakton se ka ndërhyrë te institucionet. Ndërkohë pala italiane rezulton se nuk ka dërguar nga viti 2012 e deri më sot asnjë kërkesë ekstradimi për vëllanë e ministrit. Por nga dje ky debat nuk ka më vlerë. Gjithë dilemën për rolin Fatmir Xhafajt e zgjidhi vetë vëllai i tij. Agron Xhafaj u nis dje drejt Italisë për t’u dorëzuar te autoritet italiane dhe për t’u përballur me dënimin që i është dhënë shumë vite më parë. Ky vendim i Agron Xhafajt u jep fund spekulimeve se ministria e Brendshme ishte vënë në mbrojtje të tij. Nga dje, Fatmir Xhafaj jo vetëm që nuk mund të akuzohet më për përgjegjësi ligjore, por as edhe morale. E pohoi këtë gjë edhe vetë kryeministri Rama në mbledhjen e grupit parlamentar.

Akuza e dytë e PD-së që krijojë pështjellime të mëdha në publik lidhet me audio-përgjimin. Ajo që dihet këto 48 orë me materialin e publikuar, po tregon se është vërtetë një skandal, por jo për ministrin Xhafaj, por skandal për akuzuesit e PD-së. Ka tre qëndrime që tregojnë se materiali i prezantuar nga deputetët Enkelejd Alibeaj, Ervin Salijani dhe ish-ministri, Gazmend Bardhi është një manipulim i rëndë. Kryeministri Edi Rama deklaroi se analizat e specializuara nga institucione jashtë vendit tregojnë se audio-përgjimi është një manipulim. Vetë Agron Xhafaj, personi që sipas PD-së shfaqet në video dhe flet për tregti droge, ka bërë padi në prokurori për manipulim. Ai pretendon se në video nuk është zëri i tij dhe se biseda është manipuluar tërësisht. Para se të nisej për Itali për tu dorëzuar ai dorëzoi në Prokurori edhe zërin e tij, pra iu regjistrua për të bërë krahasimin me zërin e audio-incizimit që nxori PD-ja.

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj në deklaratën e dhënë dje për mediat dha një shpjegim, që nëse rezulton i vërtetë kemi të bëjmë me skandalin më të madh të një partie politike. Xhafaj tha se audio-përgjimin e ka analizuar në një laborator jashtë Shqipërisë, për të mos përfshirë institucionet e Policisë së Shtetit në këtë histori. Përfundimi i verifikimit tregon se kemi të bëjmë me një montazh dhe mashtrim publik. Në këtë pikë, kemi të bëjmë me vepër penale dhe skenarë që nuk lidhen vetëm më me akuzat e ditës së politikës, por shkojnë shumë më tej. Të sulmosh Ministrin e Brendshëm me fakte të manipuluara nuk po bën thjesht lojën e politikës, por dëmton sigurinë kombëtare. Vetë ministri Fatmir Xhafaj e cilësoi mashtrimin dhe shantazhin me videon kundër tij, si një veprim tipik mafioz. Gjithashtu, deklaroi se nëse PD nuk e ka sajuar vet videon, atëherë ajo mund t’i jetë servirur nga grupe kriminale.

“Kjo lloj qasje e kësaj opozite kundrejt pushtetit, e bëri atë të bjerë preh e interesave, ose të intrigantëve e shpifësve ordinerë, ose të grupeve kriminale. Gjithsesi, kushdo i përfshirë në këtë skandal të madh, do të marri përgjigjen e merituar. Veprimi është tipik mafioz. Fabrikimi i një fakti kriminal të paqenë për Ministrin e Brendshëm dhe familjarë të tij, përbën një shantazh kundër institucioneve publike të sigurisë”,- u shpreh dje Xhafaj.

Personi që nxori videon në PD nuk ka treguar se kur dhe kush e ka bërë audio-përgjimin. Nuk dihet nëse materiali është përpunuar në zyrat e PD, apo selisë blu i ka ardhur i gatshëm nga burime të tjera. Në të gjitha rastet është një shkelje flagrante për të cilën opinioni publik duhet të dijë të vërtetën.

Nëse prokuroria që ka nisur hetimin verifikon se video është shantazh, kjo histori që nisi si sulm për “kokën” e ministrit të Brendshëm mund të hajë shumë “koka” në PD.

Por jo vetëm në PD. Edhe në PS, pasi dyshohet se ka ardhur nga segmente të mazhorancës për ti zënë vendin ministrit Xhafaj. E tha edhe vetë ministri se dyshon se opozita nuk e ka bërë këtë, por është vetpërdorur prej grupëve kriminale, ku futen edhe politikanë.

Fatmir Xhafës çfarë nuk i bënë për ta djegur që të jepte dorëheqjen. Në PS rrinin gati për ti marrë karriken, në mos ishin investuar edhe nga vetë PS-ja. Ai, dje tha si nëpër dhëmbë se nuk do hakmerrem se nuk e kam parim familjar. Por ministri ka detyrimin ligjor dhe burrnor, e jo parimin familjar, për të ndëshkuar me gjithë forcën e ligjit cilindo, qoftë edhe koleg ministër apo deputet në PS.

Kush ia sajoi gjithë këtë intrigë dhe kulisë ministrit të brendshëm? Nga PD apo nga PS-PD? Nga krimi i rrugës apo nga mafia dhe politika e lidhur me krimin e organizuar? Cili mezi priste ti zinte karriken e ministrit? Ku u bë montazhi i audioincizimit?

Ministri Xhafaj i di, por nuk përmendi emra. Ai duhet të flasë me emra. Nëse nuk e bën këtë atëhere e ka fajin vetë Fatmir Xhafaj!

S.P.