Tifozët e AEK dhe PAOK shkatërrojnë makina e vitrina dyqanesh. VIDEO

Finalja e Kupës së Greqisë, mes AEK-ut dhe PAOK-ut, do të luhet në Athinë, ndërsa tifozët e dy ekipeve kanë nisur përleshjet në kryeqytetin grek.

Sheshet Karaiskaqi dhe Kanigos, por edhe disa rrugë të Athinës janë kthyer në sheshe beteje mes dy tifozerive.

Paraprakisht mendohet se disa tifozë nga të dy kampet janë plagosur dhe po marrin ndihmën e parë, ndërsa janë shkatërruar edhe shumë prona të qytetarëve, si makina të parkuara apo vitrina dyqanesh.

Ka mjaftuar një provokim i vogël ndaj tifozëve të parë të PAOK-ut, që mbërritën në Athinë, që më pas ato të AEK-ut të kundërpërgjigjeshin.

Policia kishte paralajmëruar më herët se kjo sfidë mund të prodhojë shumë tension dhe dhunë, ndërsa më kaotike situata mund të shndërrohet pasditen e sotme, kur nga Selaniku pritet të mbërrijnë rreth 200 autobusë me tifozë të PAOK-ut, të cilët pritet të jenë rreth 20 mijë në stadium.

Policia bëri thirrje edhe njëherë për qetësi dhe për të mos iu bashkuar prirjeve të dhunës, të udhëhequra nga huliganë që kanë për qëllim të dëmtojnë imazhin e sportit në Greqi.