Nga Sokol Gjoni: Gogoli

Aktualitet Shkrime

(Motiv migjenian, përsiatje politike)

Vetëm fëmijët tremben nga gogoli. Ndonëse, ai parakalon turfullueshëm rrugëve të qytetit tim, krenar në madhështinë e ligësisë së tij, i pashoq në përmasat e llahtarisë që përpiqet të shtjerë ndër mendjet e njerëzve, prapseprapë “ai” është artificialisht i frikshëm. I frikshëm për ata që e glorifikojnë figurën e tij, i frikshëm për të gjithë siluetat që i vërtiten me pirueta vesesh të fëlliqëta njerëzore në mjedisin e përbindhsmërisë së tij.

E ndërsa, gogoli egzaltohet nga portretizimi që i bëjnë si katran, shpirtlig dhe llapaqen, në ritin e tij të sfilatës intimiduese, shfaqet krekosës, por me kurrizin e harkuar nga barra e rëndë e trofeut që vodhi.

Gogolin e njohin të gjithë. Edhe po të mos duash ti ta njohësh, të njeh ai ty. Ai di gjithçka!

Gogoli ynë, ndryshe nga gogolët e tjerë, është më kurajoz, më i guximshëm, më i shfrenuar, më llahtarisës, ose të paktën kështu ia ka qejfi të bindë veten dhe siluetat rreth tij se mund të jetë i tillë. Gogolin tonë nuk është nevoja ta thërrasësh për të trembur fëmijët, si dikur, pasi, “ai” të vjen vetë, depërton përmes frëngjive të “kullës” së tij të ngritur për përhapje frike, gjen ndonjë “kazan” bythshpuar dhe të shfaqet kurdo si krijesë mistike dhe profetike.

Ky është gogoli ynë!

Përveç prapanicës që e hap fizarmonikshëm si marketing arritjesh, tashmë ka filluar të hapë dhe të shtrijë këmbët në gllabërim hapësirash. Këtij gogolit tonë, i duken të gjithë liliputë. Mjafton një gogësimë ajërndotëse e tij dhe njerëzit luten derkyçur në shtëpitë e tyre: -Zot na shpëto nga gogoli!

Në këtë frikë kolektive nga gogoli, nga ky panik i përhapur masivisht, ku njerëzit e vegjël, pa ndonjë dallim me botën e fëmijëve, por të zhytur në realitetin folklorik të të jetuarit, ia kanë ngulitur psikologjikisht vetes frikën e gogolit, lutja ime për ata është e thjeshtë: Zot, shpëtoji nga mendttë e kokës!

Frikën nga gogoli, e marrin foshnjat nga nënat e tyre, të cilat duan të sigurojnë qetësinë për vete.

Po, gogoli ynë, pse ta ketë përhapur këtë frikë vallë?

 

Sokol Gjoni

 

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?