Pritja qeveritare për vrasësin e Azem Hajdarit dhe pakti i Ramës me Izet Haxhinë

Rama i ka ofruar një pritje qeveritare vrasësit të Azem Hadjarit sot në Rinas. Mënyra e organizmit të pritjes qeveritare flet shumë për skenarin që Rama ka përgatitur të luajë. Mediat e qeverisë ishin shpërngulur prej orësh në Rinas duke ofruar kronika speciale për mbërritjen e Izet Haxhisë. Pritja si hero nga Rama dhe qeveria e tij e Izet Haxhisë ngre shumë pikëpyetje në lidhje me keqpërdorimin e këtij monstre vrasëse që organizoi vrasjen e liderit të Dhjetorit ’90.
Pas pritjes madhështore skema e Ramës për mediat e qeverisë parashikon që të nisin menjëherë intervistat ekskluzive në mediat e kontrolluara nga qeveria, ku Haxhia do të përsërisë sërish mashtrimet prej vrasësi të Azemit në lidhje me opozitën. Do të përsërisë sërish të njëjtat deklarata që ka bërë ndërsa gjendej në Turqi gjoja për implikim të opozitës së atëhershme në vrasjen e Azemit, një version qesharak që i është ofruar Haxhisë nga Rama.
Rama synon që me ekstradimin e Haxhisë të dënuar me 25 vite burg nga drejtësia të tërheqë vëmendjen nga hetimet e skandalit më të madh kriminal të shekullit, që është hetimi për kanabizimin e vendit dhe Tahirin. Nuk është rastësi që ekstradimi i Haxhisë u porosit nga Rama tek miku i tij Erdogan pikërisht në këtë moment të vështirë të Ramës, ku vendet kryesore të BE kanë nisur një embargo politike ndaj Ramës duke e kushtëzuar hapjen e negociatave me arrestimin e Tahirit.

Rama mendon se me intervistat e Haxhisë të porositura prej tij mund të kalojë këtë moment në të cilin ai gjendet dhe të spostojë vëmendjen e opinionit publik nga problemet kardinale të krimit dhe korrupsionit që ai përfaqëson tek një vrasës, i cili tani do të veprojë si një “vrasës me pagesë” nga Rama.
Ekstradimi i Izet Haxhisë ka ndodhur në bazë të një pakti me Ramën që është bërë me vrasësin e Azemit gjatë vizitës së fundit të tij në Turqi, detajet e të cilit do të mësohen gjatë ditëve të ardhshme. Rama e ka garantuar Izet Haxhinë se do të rihapë hetimet për vrasjen e Azemit. Ky premtim dhe ky ekstradim ka ndodhur pikërisht në këto kohë kur Rama ka në duart e tij drejtësinë. Një skenar i ngjashëm ky i Ramës me atë të dorëzimit vullnetar të Tahirit tek Drejtësia pas garancive që mori nga Rama se askush nuk do ta arrestojë tani që ka kapur drejtësinë.
Rama ka kapur Prokurorin e Përgjithshëm dhe po ashtu edhe gjykatat të cilat i intimidon me të gjithë mënyrat. Duke pasur në duar drejtësinë si dhe duke arritur paktin me vrasësin e Azemit, Rama mendon se mund të instrumentalizojë për qëllimet e tij politike vrasjen e Azem Hajdarit.
Duke qenë se skenari i Ramës është i lexueshëm, kreu i qeverisë do të duhet të përballet edhe me reaksionin që do të mund të sjellë në opinion kepërdorimi për qëllime të mbrapshta politike i asaj që është konsideruar si “vrasja e shekullit”. Rama duhet të dijë që shqiptarët nuk do të lejojnë që Azemi të vritet për së dyti nga vrasësi me pagesë në shërbim të kreut të qeverisë. Nuk është e lehtë të luash politikisht me simbolet e një lëvizje popullore që rrëzoi diktaturën dhe akoma më keq nëse mendon se mund ta manipulosh për përfitime politike. Kostot në të tilla raste do të ishin të paparashikueshme.

“RD”

0 0 vote
Article Rating
Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments