Aktualitet

Balla fton opozitën: Votoni projekt-Rezolutën e Kuvendit për hapjen e negociatave

Partia Socialiste ka depozituar sot  projekt-Rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë mbi Rekomandimin e Komisionit Evropian për Hapjen e Negociatave të Anëtarësimit midis Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë.

Kjo projekt rezolutë u dorëzua nga kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, i cili fton opozitën që kjo rezolutë të miratohet sa më parë.

“Duke shpresuar se edhe opozita do ta mbështesë Shqipërinë në këtë moment historik të rrugës sonë europeiste, duke hequr dorë nga balta kundër imazhit të Shqipërisë, ftesa jonë është që kjo Rezolutë të miratohet sa më parë nga të gjithë anëtarët e Kuvendit”, shkruan Balla në FB.

REZOLUTË E KUVENDIT TË SHQIPËRISË

• Në zbatim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të ligjit 15/2015 “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian”, të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe duke marrë në konsideratë rolin e Kuvendit të Shqipërisë si organi më i lartë ligjvënës dhe kontrollues;
• Në respekt të mbështetjes së gjerë popullore për anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian;
• Duke riafirmuar se objektivi strategjik i Republikës së Shqipërisë është anëtarësimi në Bashkimin Europian;
• Duke riafirmuar mbështetjen tonë të palëkundur për të respektuar vlerat mbi të cilat ndërtohet Bashkimi Europian dhe vendosmërinë tonë për zhvillimin e një shoqërie demokratike bazuar në sundimin e ligjit, respektin për të drejtat e njeriut, përfshirë të drejtat e minoriteteve dhe parimet e ekonomisë së tregut;
• Duke theksuar vendosmërinë tonë për konsolidimin e një kuadri ligjor tërësisht të përputhur me legjislacionin e Bashkimit Europian, dhe të një administrate publike eficente për zbatimin e këtij legjislacioni;
• Duke vlerësuar se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Europian dhe se bashkëpunimi rajonal është pjesë e pandarë e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian;
• Duke nënvizuar rëndësinë gjeo-politike të procesit të zgjerimit si për shtetet kandidate apo kandidate potenciale, ashtu edhe për vetë Bashkimin Europian;
• Duke vlerësuar mbështetjen që Bashkimi Europian ka dhënë për Shqipërinë për forcimin e demokracisë dhe zhvillimin ekonomik dhe social;
• Me bindjen se përparimi i Shqipërisë në procesin e anëtarësimit, bazohet në meritë, në përputhje me reformat dhe arritjet konkrete;
• Duke besuar plotësisht se anëtarësimi në Bashkimin Europian do të kontribuojë në zhvillimin e gjithanshëm të Republikës së Shqipërisë, në forcimin e sigurisë kombëtare, në zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve shqiptarë;
• Duke marrë në konsideratë zbatimin e mirë dhe të qëndrueshëm të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit mes Republikës së Shqipërisë dhe Komuniteteve Europiane dhe Shteteve të tyre Anëtare;
• Duke marrë në konsideratë përparimin e bërë nga Shqipëria në plotësimin e rekomandimeve kyçe të Komisionit Europian;
• Duke marrë në konsideratë rekomandimin e Komisionit Europian për hapjen e negociatave si konfirmim të përparimit të bërë nga Republika e Shqipërisë;
• Duke marrë në konsideratë se rekomandimi i Komisionit Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit është një nxitje për të përshpejtuar reformat e gjithanshme, dhe në veçanti reformën në drejtësi;
• Duke marrë parasysh rekomandimet e Komitetit Ndërparlamentar të Stabilizim Asocijimit Shqipëri-BE;
• Duke marrë në konsideratë reformat e ndërmarra në kuadër të procesit të integrimit europian si reforma në drejtësi dhe reforma të tjera për konsolidimin e funksionimit të shtetit të së drejtës dhe respektimin e të drejtave të njeriut;
• Duke marrë në konsideratë faktin që dialogu politik, i realizuar nëpërmjet gjithëpërfshirjes dhe transparencës, është element kyç për përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian;

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

1. Mirëpret Raportin e Komisionit Europian të vitit 2018 për progresin dhe shkallën e përgatitjes për anëtarësim të arritur nga Shqipëria;

2. Vlerëson rekomandimin e Komisionit Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit mes Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, si njohje të qartë të arritjeve të Shqipërisë në ndërtimin e shtetit të së drejtës, e specifikisht në reformën në drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reformën në administratën publike dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut;

3. I bën thirrje njëzëri vendeve anëtare të BE-së që të marrin vendimin për fillimin e negociatave të anëtarësimit midis Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, si fillimi i një rruge për shndërrimin e mëtejshëm europianizues të vendit, me vetëdije se kjo do të jetë një rrugë e vështirë dhe e gjatë, por se hapja e negociatave do t’i japë shpresë dhe orientim këtij rrugëtimi.

4. Shpreh vullnet të plotë për të ecur në rrugën e reformave në frymën e mirëkuptimit ndërpartiak dhe në bashkëpunim të plotë me shoqërinë civile;

5. Thekson se angazhimi i qëndrueshëm për përmbushjen e rekomandimeve të Komisionit Europian dhe të institucioneve të tjera ndërkombëtare përbën përparësinë kryesore të punës së Kuvendit të Shqipërisë, të qeverisë dhe të institucioneve të tjera;

6. Angazhohet të shqyrtojë me prioritet projektligjet që synojnë përafrimin e legjislacionit shqiptar me legjislacionin e Bashkimit Europian apo kanë rëndësi për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian;

7. I kërkon Qeverisë të thellojë dhe përshpejtojë ritmin e reformave të ndërmarra, veçanërisht të reformave që lidhen me sundimin e ligjit;

8. I bën thirrje Qeverisë që rekomandimet e Paketës së Zgjerimit 2018 të shërbejnë si udhëzues në përpjekjet për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian;

9. Angazhohet që të përdorë çdo instrument të diplomacisë parlamentare në funksion të përshpejtimit të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian;

10. Angazhohet që të zhvillojë dhe forcojë më tej aktivitetin e Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian, për rritjen e transparencës në procesin e integrimit europian nëpërmjet gjithpërfshirjes së aktorëve pjesëmarrës;

11. I kërkon Qeverisë shqiptare që të forcojë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe të zgjerojë pjesëmarrjen në nismat rajonale;

12. I kërkon Qeverisë që të zgjerojë pjesëmarrjen në Procesin e Berlinit duke përmirësuar hartimin dhe zbatimin e projekteve të ndërlidhshmërisë.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?