Edi Rama sulmon Erion Veliaj-n nëpërmjet Erion Braçes. A është Veliaj kurban i radhës?

Analize

Sulmi frontal, i hidhur, me “artileri të rëndë” dhe politikisht i ashpër i Erjon Braçes ndaj Erion Veliajt mund të jetë gjithçka, por jo rastësi.

Është një veprim i menduar dhe i studiuar me kujdes, sipas të gjitha gjasave nga “kabina e regjisë qendrore” në kohën dhe vendin e “duhur” sipas atij që e ka menduar.

Ai postim i Erion Braçes në Facebook nuk është as një “shfryrje dufi” e momentit, apo një veprim i izoluar.

Në PS-në e Edi Ramës, ka një disiplinë gati “ushtarake” sidomos në strategjinë e komunikimit. Gjithçka kryhet nga lart dhe me një komandë tejet të centralizuar.

Asnjë, aq më shumë hierark i rëndësishëm nuk mund të lëshojë “municion” politik ndaj një kolegu, madje shumë të rëndësishëm si kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Aq më shumë që sulmi i numrit dy të deputetëve të PS-së, bëhet as 24 orë para mbledhjes së Asamblesë së PS-së, ku si axhendë është pikërisht raportimi i punës së kryebashkiakëve.

Atëherë çfarë ka ndodhur? Përse e ka sulmuar Braçe Erion Veliajn, çfarë synon ai sulm dhe çfarë pritet të ndodhë në PS.

Duket se regjizori i gjithë kësaj “vepre” propogandisitike, që normalisht është Edi Rama, i këshilluar ndoshta edhe nga guru-të e tij të huaj, synon të lëvizë në disa drejtime, të cilat në fund çojnë në rezultanten se Kryeministri kërkon të mbajë vetë në çdo cast, nismën politike pa lënë që të kthehet në një shënjestër nga pala tjetër, e cila mund ta kthejë në një tabelë qitjeje që pastaj vështirë të dalësh nga qoshja.

Siç ndodhi vitin e kaluar me Saimir Tahirin dhe në fund ndodhi rrëzimi e i gurit ndoshta më të rëndësishëm të 4 vjeçarit të parë të qeverisjes së PS-së.

Koha e kësaj manovre, duket se është zgjedhur me kujdes të paparë.

Pikërisht ditën kur PD-ja mban Kongresin e saj, aktivitetin më të rëndësishëm politik të brendshëm, Edi Rama pritet t’ja marrë protagonizmin duke prodhuar politikë të dorës së parë; një përplasje me njeriun që të gjithë thonë se ai e ka zgjedhur për pasardhës-Erion Veliajn.

Por kjo nuk duket se është një mjegull thjesht propagandistike, pasi sipas gjasave raportet mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt janë mjaft të krisura.

Kjo u pa që kur kryeministri në fund të vitit të shkuar hodhi bombën e fortë që “kryebashkiaku të mos dalë në televizor duke punuar edhe kur është jashtë shtetit”, por edhe ajo tek Sokol Balla kur e trajtoi njësoj me të gjithë kryebashkiakët e PS-së.

Një sulm që realisht jo thjesht e ka hutuar Erion Veliajn, por e ka mpirë totalisht.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, përveç show-ut të pemëve nuk ka atë lëvizjen turbo të dy viteve të para.

Është në vitin e tretë, që cilësohet kulmi i mandatit politik për të kërkuar ripërsëritjen e tij, por Veliaj nuk po di si të lëvizë në fushë “pa ndihmën” e “babait”.

Ka që prej vitit të shkuar që kryebashkiaku i Tiranës, është i distancuar politikisht nga çdo gjë, ndërkohë që edhe në rolin e tij menaxherial në Tiranë është mëse i padukshëm.

Është “distancuar” politikisht nga zhvillimet në partinë  e tij, duke krijuar përshtypjen se po pret që gjërat të ndodhin, po pret që t’i vijë radha e të dalë mbi krye për të marrë protagonizmin, pa u “ngjyer” në “kazanin” e kësaj politike.

Ky distancim i Veliajt si ndaj zhvillimeve politike në PS, por dhe mos mbrojtja e qeverisë nga sulmi që i vjen prej opozitës, është komentuar nga qarqet mediatike si “miratim në heshtje” dhe pritje për të marrë “vulën e sulltanit”. Dhe madje pa luftë fare.

Kur në fakt, në PS, në traditën edhe “para epokës së re” pra në PPSH, por edhe pas 1990-s, beteja për “vulën e sulltanit” është mëse gjakatare dhe e përfshirë në një luftë brenda llojit dhe shkatërrimtare.

Mjafton të kujtosh KPD-në e famshme të Fatos Nanos apo zgjedhjen e Edi Ramës në 2005-n për të ilustruar se nuk ka sesi precedenti i marrjes së fronit “qyl” të bëhet “legjislacion” në PS.

Kjo është njëra anë, por një tjetër version i arsyes së përplasjes së Edi Ramës me Erion Veliajn, ndoshta është këndvështrimi i qeverisjes së Tiranës në mënyra të ndryshme nga ish-kryebashkiaku për 3 mandate, që tani është kryeministër me Veliajn.

Rama, ndoshta pasi ka mbledhur pakënaqësitë e shumë socialistëve për mos punësimin e militantëve, por edhe qytetarëve për një lloj stopimi të punës në Tiranë, ka gjasa që edhe ta ketë realisht pakënaqësinë për performancën e Veliajt.

Ose ndoshta shkak i gjithçkaje, është butësia me të cilën Erion Veliaj trajton LSI-në dhe nga ana tjetër Monika Kryemadhi e quan pa teklif kryebashkiakun si “të preferuar” nga opozita.

Gjithashtu, një pistë e mundshme e kësaj beteje brenda llojit mund të jetë edhe zhvendosja paksa e betejës politike në vend për ta relaksuar shënjestrën e sulmit opozitar ndaj qeverisë, të paktën deri në qershor, kur pritet hapja e negociatave, vendim që Rama di si ta përdorë e ta kthejë në fitoren epokale.

Por nga ana tjetër, mund të jetë edhe një version i fundit; që është më dramatiku.

Në fushën e shahut politik, kryebashkiaku mund të jetë edhe “guri” që “mbreti” dhuron për të vazhduar lojën qetë.

Është “kurbani” që ka shumë nevojë Lulzim Basha për të mos u linçuar politikisht nga të vetët.

Ndoshta Rama, duke e ditur se nuk mund të marrësh pa dhënë, po përgatit një “copë të madhe” për Bashën në vitin e ardhshëm: t’i japë opozitës, fitoren më të madhe që ajo mund të arrijë për një “armëpushim” të paktën dy vjeçar-Bashkinë Tiranë.

Një sakrificë, të cilën Edi Rama e bëri për vete në vitin 2011 për të marrë postin e kyeministrit.

Kreu i PS-së, padyshim e di se nuk mund të mbretërosh gjatë nëse i ke të gjitha pushtetet vetë dhe kundërshtari është pa asnjë.

Dhe po ta vëresh me kujdes nga 2013-a, Edi Rama çdo vit i ka dhënë Lulzim Bashës nga një “kurban”, të cilin kryetari i opozitës ka treguar se që kur mori bashkinë e Tiranës se e ka “preference”.

Në vitin 2014, Lulzim Basha mori Mark Frrokun, por edhe nisjen e kauzës së fortë të “dekriminalizimit”.

Një vit më pas ‘kurban”-i radhës ishin të fortët e PS-së; që nga Arben Ndoka e deri te Elvis Rroshi me radhë.

Kreu i PD-së, i cili kishte në shpinë trashëgiminë jo të lehtë të Sali Berishës fitoi një kauzë morale, mjaft të rëndësishme për çdo opozitë.

Në vitin 2017, pra në fund të mandatit të parë, “kurbani” i radhës ishte “guri” më i rëndësishëm i mandatit të parë; Ministri i Brendshëm.

Mos ndoshta Edi Rama ka përgatitur “kurbanin” më të madh e më të çmuar për rivalin e tij, të cilin që prej vitit 2011, duket e konsideron si Pakalin e Madh- mbretin e famshëm të fisit Maya në antikitet, i cili sipas legjendave ushqehej politikisht me kurban.

Jo më kot, ai akt i therjes së një dashi në derën e bashkisë ditët e hyrjes së Lulzim Bashës në postin e ri, u bë edhe metaforën e narrativës politike të Edi Ramës, për të hipur në poltronin e kryeministrit.

Nuk është rastësi as titulli “kurban” i librit që tashmë është përkthyer në disa gjuhë.

Duke krijuar premisën që të kthehet në tekstin bazik për të studiuar historinë politike shqiptare.

Pra, a thua Edi Rama ka bërë bashkinë e Tiranës si “dhuratën-kurban” për t’i dhënë Bashës që ndoshta me anë të figurave si Jorida Tabaku, mund të dalë nga “gropa” ku opozita ndodhet? Dhe Veliajn ta lërë në stol për ta përgatitur për zgjedhjet e përgjithshme?

Gjithçka nga këto versione mund të ndodhë, pasi sulmi i zbatuar nga Erion Braçe nuk mund të jetë as rastësi, e as shfryrje dufi…/pamfleti/

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?