Aktualitet

Zbardhet takimi Rama-Krichbaum. Pse u ndërpre mbledhja, kur Rama bërtiste: Gënjeshtër! Gënjeshtër!

Takimi i Edi Ramës në Bundestag ka shkuar edhe më keq sesa u raportua mbrëmë. Deputetët gjermanë i dhanë fund seancës dëgjimore me kryeministrin e Shqipërisë, pasi ai ka ngritur zërin duke thënë: “Lie! Lie!”, që në shqip përkthehet “Gënjeshtër!” Po çfarë e ka nervozuar deri në këtë pikë Kryeministrin Rama, sa të detyrojë deputetët gjermanë të Komisionit të Çështjeve Europiane, i drejtuar nga Gunthter Kirchbaum, t’i japin fund takimit? Të merkurën në mbrëmje mediat raportuan për një ndjesë që Edi Rama kishte kërkuar që në fillim të takimit dhe shprehjen e keqardhjes për sulmet e dënueshme kundër kryetarit Krichbaum, duke shtuar se ai vetë ishte viktimë nga sulme të ngjashme mediatike dhe e kishte të pamundur t’i ndalonte.
Katia Leikert, zëvendëskryetare e grupit parlamentar CDU, në ndërhyrjen e saj theksoi se ndjesa e kërkuar nga Rama ishte gjëja e duhur, por, nga ana tjetër, të dhënat nga Tirana vinin në dyshim pohimin e Ramës se ai nuk ka lidhje me mediat që sulmuan Krichbaum. Edhe deputetët e Partisë së Gjelbër e të Majtë shprehën solidaritet me Krichbaumin dhe dënuan sulmet mediatike, ndërsa një përfaqësues i SPD, simotër e PS, ishte më neutral, por me tone shfajësuese ndaj Edi Ramës. Të pranishmit në takim bëjnë të ditur se vetë Gunther Kirchbaum ka ndërhyrë, pasi mes palëve ishin diskutuar disa tema të tjera, si çështja “Tahiri”, krimi i organizuar, korrupsioni dhe reforma në drejtësi. Kirchbaum, i cili drejtonte seancën, tha se nuk bëhej fjalë për personin e tij, por për një akt politik me pasoja politike.
“Përshembull, nga të dhënat tona portali Lexo.al është nën ndikimin e Endri Fugës, shef i Zyrës së Shtypit të kryeministrit”.
Ky ishte momenti i parë, kur Rama ka ngritur zërin dhe ka thënë “Lie, lie”, “Gënjeshtër, gënjeshtër”. Ai e ka përsëritur disa herë këtë fjalë, duke e ndërprerë Krichbaumin. Megjithatë, Kryetari i Komisionit, i cili kishte përpara një raport me informacione nga struktura gjermane në Tiranë, ka vazhduar t’u vendosë emra portaleve që e kanë sulmuar, duke thënë se Pamflet.al ishte nën ndikimin e Saimir Tahirit dhe Tiranapost.al nga Erion Veliaj.
Të pranishmit në mbledhje e përshkruajnë këtë si momentin më kritik, sepse Edi Rama është ngritur në këmbë dhe me zë të lartë ka përsëritur “lie, lie”. Mbledhja është nbyllur në këtë atmosferë rreth orës 15 të së mërkurës dhe në mbrëmje deputetët e CDU/CSU të partisë së kancelares Merkel, sipas një vendimi politik të marrë më herët, kanë braktisur darkën e shtruar për ta nga kryeministri Rama. Pala gjermane tha se darka ishte parashikuar në një nga 3 restorantet më të shtrenjtë dhe luksozë të Berlinit, gjë që nuk ka kaluar pa u komentuar me kritika mes deputetëve gjermanë.
SPRINT.AL
Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?