Ministrat e Ramës i falen të gjithë Tahirit. Puthje dhe përqafime, mes tyre dhe Tom Doshi. FOTO

Me puthje e përqafime, buzëqeshje e kapje duarsh.

Kështu u prit në seancën e sotme pas një mungese të gjatë në Kuvend, ish-ministri Saimir Tahiri.

Tahiri ka qenë vetëm në fillim të seancës, i veshur casual me xhinse dhe një xhaketë.

Ai është takuar me socialistin, Musa Ulqini, është përqafuar me ish-ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli.

Nuk kanë munguar takimet as me ministren e Kulturës Mirela Kumbaro dhe atë të Arsimit, Lindita Nikolla.

LSA ka shkrepur foto nga momentet kur Tahiri është takuar dhe me deputetin tjetër socialist, Bashkim Fino dhe Tom Doshin.

Përkrah Tahirit, socialistët kanë “lenë” deputetin gjirokastrit Flamur Golemi që është shfaqur i buzëqeshur përkrah ish-ministrit që po hetohet për trafik ndërkombëtar droge.

Ditën e djeshme, Kryeministri Edi Rama sërish nuk e “lëshoi” Tahirin.

Në konferencën e përbashkët me Shefen e Politikës së Jashtme në BE, Federica Mogherini, kur u pyet për arrestimin e mundshëm të Tahirit, Rama tha se ende nuk ka prova për të.

Mbetet për t’u parë nëse prania e Tahirit në Kuvend dhe takimet me socialistët e tjerë janë sinjale të mundshme për një rikthim në PS.

(F.G/Faxweb.al)