Negociatat/ Athina i kujton Shqipërisë: Marrëveshjet duhen respektuar

Aktualitet

Në një deklaratë që ministria e Jashtme greke publikoi paraditen e të mërkurës, (18 prill 2018) nënvizohet që në fillim se Greqia mbështet zgjerimin e Unionit, por me kusht që vendet kandidate të përmbushin kriteret e anëtarësimit që janë zbatuar edhe në rastet e vendeve të tjera, përfshirë respektimin e fqinjësisë së mirë dhe të së drejtës ndërkombëtare.

Më tej në deklaratë, Ministria e jashtme greke rreshton ato çështje të cilat i konsideron si bazike, me interes europian, rajonal, por edhe me interes për Greqinë:

Progresin e rëndësishëm në dialogun Beograd-Prishtinë, progresin thelbësor dhe jetik të Shqipërisë lidhur me pesë kriteret kyçe, si dhe promovimin e fuqishëm të reformave në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, që BE i ka cilësuar si emergjente..

“Greqia, si një fqinj i drejtëpërdrejtë punon sistematikisht për promovimin e marrëdhënieve me Shqipërinë dhe ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë”, nënvizon më tej ministria e jashtme greke.

Posaçërisht në raport me Shqipërinë, Athina zyrtare thotë se Greqia “fokusohet sa në të drejtat e minoritetit dhe të pronës, aq edhe në nevojën e zbatimit të parimit pacta sunt servanda (marrëveshjet duhet të respektohen), por edhe në luftimin e krimit të organizuar dhe të trafikut të drogës”.

Sa i përket Maqedonisë, Athina zyrtare vlerëson se “është e gjatë rruga që duhet të përshkojë për të kompensuar vakumin që krijoi prapakthimi i viteve të fundit. Është e shtata herë që vendi fqinj merr rekomandimin pozitiv të Komisionit Europian.  Megjithatë, duhet të bëhet e qartë në të gjitha drejtimet se vendimet merren nga këshilli i ministrave dhe jo nga Komisioni, ku Greqia ka shprehur qartësisht qëndrimet e veta”.

Më 17 prill 2018 Komisioni Europian rekomandoi hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë, ndërsa po vazhdohet puna me Bosnjë Hercegovinën dhe Kosovën.

/Ora News

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?