Pse Prokuroria mbron njerëzit e Edi Ramës?

Partia Demokratike u është rikthyer dje akuzave të forta ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Pas daljes së detajeve të reja nga përgjimet e dosjes italiane për bandën e “Habilajve”, të njohur si kushërinj të ish-ministrit, selia blu kërkoi dje arrestimin e ish-ministrit. Nënkryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj iu referua dokumenteve italiane, ku në bazë të përgjimeve u arrestuan thuajse gjithë anëtarët e bandës së “Habilajve”, si dhe është shpallur në kërkim ish-shefi i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela dhe ish-shefi i antidrogës në Vlorë, Gjergj Kohila. Në këto përgjime përmendet dhe emri i ish-ministrit të Brendshëm, si dhe lidhjet e tij me kushërinjtë që kishin marrë “leje nga lart” për të mbjellë plantacione masive me hashash.

Këto prova mbajnë vulën e prokurorisë italiane dhe që janë marrë për administrim nga Prokuroria për Krime të Rënda në Tiranë. Ndaj dje deputeti i PD-së shtroi pyetjen se përse të gjithë personat që përmenden në dosje janë arrestuar ose janë në kërkim, ndërsa ish-ministri Saimir Tahiri nuk është arrestuar. Sipas tij, këto prova fajësojnë direkt ish-kreun e ministrisë së Brendshme, si personin e përfshirë direkt në trafiqe. Nisur nga ky mosreagim i drejtësisë, Alibeaj shton se Tahiri nuk është arrestuar për shkak të mbrojtjes politike që i ka ofruar kryeministri Edi Rama. “Këto prova, që përbëjnë bazën e vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda për të arrestuar drejtuesit më të lartë të Policisë së Vlorës, janë bërë të pavlefshme për arrestimin e Saimir Tahirit, sepse ish ministri i Brendshëm, ka mbrojtjen politike të Kryeministrit të vendit. Këto prova të implikimit të Tahirit në trafikun e drogës, si dhe shumë të tjera për të cilat Edi Rama është në dijeni, janë arsyeja pse Kryeministri e ktheu Parlamentin në një Gjykatë Politike, duke mos lejuar Drejtësinë të bëjë detyrën”,- deklaroi dje deputeti i Partisë Demokratike.

Për demokratët, mbrojtja politike e Edi Ramës për Saimir Tahirin është mbrojtje që kryeministri po i bën krimit dhe kanabizmit të vendit. “Me vendimin për të mbrojtur Saimir Tahirin dhe për të mbyllur hetimet ndaj tij, Edi Rama nuk mbron thjesht ish Ministrin e tij të Brendshëm, por mbron pushtetin e tij, që i ka rrënjët tek kanabizimi i vendit nëpërmjet kriminalizimit të policisë, i vetmi projekt i suksesshëm i kryeministrit Rama”, tha Alibeaj. Demokratët paraqesin si fakt zyrtar edhe një informacion që ka qarkulluar në media, sipas të cilit, një sërë vendesh të BE kanë vendosur si kusht për hapjen e negociatave arrestimin e ish-ministrit të brendshëm. Kritika për mos’arrestimin e ish-ministrit të Edi Ramës ka pasur nga eurodeputetë të veçantë dhe zyrtarë të Ministrisë së Jashtme Gjermane, të cilët e kanë quajtur të pakuptueshme për standardet europiane mbrojtjen e një politikani me një akuzë të tillë dhe me faktet e publikuara. Procesi ndaj ish-ministrit është ende në fazën e hetimit dhe zyrtarisht si çdo qytetar ndaj të cilit drejtësia nuk e ka thënë fjalën e fundit, ai është i pafajshëm. Por për rastin Tahiri, PS dhe Kryeministri ndaluan Prokurorinë për Krime të Rënda që ta arrestonte në muajin tetor të vitit të kaluar. Veç kësaj mbrojtje, ekstradimi me urgjencë dhe në shkelje të ligjeve shqiptare të një prej të arrestuarve të bandës “Habilaj” drejt Italisë, pa u marrë në pyetje nga prokuroria shqiptare, krijon bindjen e një mbrojte të fortë politike.  Vetëm Edi Rama mund ta garantojë këtë mbrojtje, ndërkohë që për zyrtarë të opozitës, kryeministri ka burgun.

BE kërkon ndëshkimin e korrupsionit dhe krimit, por sipas PD-së, Prokuroria e ka “peshkun” në rrjetë, por nuk e ngre peshë në ajër duke e arrestuar. Përkundrazi i zhduk dëshmitarët në mënyrë që të mbyllë dosjen penale kundrejt ish-ministrit të brendshëm.

Nga ana tjetër kryeministri heton dhe arreston me njërëzit e tij në prokurori krejt ish-zyrtarët nga radhët e opozitës, ndërsa nga PS-ja asnjë zyrtarë i rangut të lartë nuk po heton apo arreston.

Nëse ka pesë vjet në pushtet PS-ja dhe asnjë ish-ministër apo ministër nga radhët e saj nuk hetohet dhe arrestohet, kjo tregon se hetimi nga prokuroria është selektiv me një ndjenjë të hapur politike si hakmarrje./kohajone/

0 0 vote
Article Rating
Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments