Neranxi/ Me VKM-në e re, si do na mbroni ne pronarët e ligjshëm zoti Rama?

Himariotët kërkojnë sqarim nga Edi Rama se si do i mbrojë pronarët e ligjshëm të tokave dhe shtëpive të bregdetit, me vendimin e ri që ka marrë

Dy ditë më parë, Ministrja e Drejtësisë doli që të argumentojë një vendim të çuditshëm dhe të dyshimtë të Edi Ramës. VKM-ja thotë: “Pezullimi i përkohshëm i vijimit të procedurave të kalimit në pronësi të përfituesve të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore dhe të regjistrimit të akteve të marrjes së tokës në pronësi, në zonën me rëndësi për fondin e mbështetjes së investimeve strategjike”. Gjoni, gjatë fjalës së saj, u përpoq të na bindë se; “Vendimi i qeverisë për pezullimin e ligjit 7501, bëhet për sigurimin e pronës për pronarët e ligjshëm për pacënueshmërinë e të drejtave të tyre”. Por nga ana tjetër, në vendim nuk thuhet asnjë fjalë se çfarë do bëhet me këta pronarë të ligjshëm dhe çfarë do bëhet me ata që kanë grabitur toka dhe ndërtuar mbi ta deri tani në bregdet!

Siç dihet,në Himarë nuk ka patur toka të lira, çdo pëllëmbë tokë aty ka një pronar i cili duhet të gëzojë të drejtën mbi të, si pronë e trashëguar. Në vite kjo pronë e trashëguar është ndarë me ligjin 7501, por institucionet nuk kanë pranuar t’a hipotekojnë. Me këtë VKM ekziston frika që himariotëve t’ja marrin tokën përfundimisht për t’ja dhënë investitorit strategjik!

Çdo banor i Himarës është dakort me investime, por ama duke qenë edhe ai pjesë e përfitimit në investim, si një pronar i ligjshëm. Ne e kemi akuzuar gjithmonë në vetë të parë Kryeministrin Rama si njeriun që i hapi dritën jeshile grabitjes së pronave tona. Deri tani ai nuk i ka kthyer një përgjigje akuzave të banorëve dhe nuk na ka shpjeguar se si do ta zgjidhë këtë problem.

Pyetja që ne si komunitet kemi për kryeministrin është: Me VKM-në e re, si do na mbroni ne pronarët e ligjshëm zoti Rama? Është mirë të dilni publikisht dhe të na e sqaroni se mbase ne nuk e kemi kuptuar pse ky hap i rradhës qenka për të mirën tonë? Ndërkohë, për ata që punuan në kooperativa bujqësore në Himarë, që dhanë kontributin e tyre me dekada atje, ku do ia jepni tokën që ju takon ashtu siç e keni shpërndarë në çdo cep të Shqipërisë? Kërkojmë të jeni transparent me komunitetin tonë, pasi siç e kemi thënë në vijimësi për gjithë këto vite, nëse ky është plani i rradhës, për të na e grabitur tokën me VKM, i keni bërë llogaritë gabim se ne nuk do t’ju lejojmë!

Nikollaq Neranxi, Kryetar i Shoqatës për Mbrojtjen e Pronave, Shtëpive, Historisë dhe Kulturës Himarë

Fotografia e Nikollaq Neranxi