Shqipëria pa Gjykatë Kushtetuese

Nga 9 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese sot mbeten vetëm 5, pasi me shkarkimin e Fatos Lulos tashmë kjo gjykatë nuk merr më vendime. Pas vendimit të sotëm të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin nga detyra të Fatos Lulos, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë përfundimisht mund të cilësohet e bllokuar dhe madje inekzistente.

Pavarësisht se gjyqtari Lulo sipas avokatit Visha, do të ankimojë vendimin në Kolegjin e Apelimit, ai nuk mund të ushtrojë më detyrën. Neni 62 i ligjit të Vetingut parashikon që subjekti i rivlerësimit, i cili ka ushtruar të drejtën e ankimit ndaj vendimit të Komisionit për masën disiplinore për shkarkimin nga detyra, pezullohet nga detyra e tij në pritje të vendimit të Kolegjit të Apelimeve.

Gjatë periudhës së pezullimit atij i njihet e drejta e pagës në masën 75 për qind të saj.

Por edhe para këtij vendimi ka pasur një debat të madh për çështjen e Gjykatës Kushtetuese. Tani pas shkarkimit të Lulos, ajo përfundimisht, nuk merr dot më vendime.

Dikush e ka bllokuar kastile të mos jetë efektive, duke e lenë formalisht për disa muaj sa të mbarojnë punët e tyre në Qeveri. Aktualisht Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka vendosur të hapë procedurën e zgjedhjes së dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, por edhe ky proces duket se do të dojë një kohë të gjatë, pasi me futjen në fuqi të ligjeve të reformës në drejtësi, anëtarët e rinj të gjykatës duhet të kenë kaluar më parë Vetingun.

Edhe pasi të kryhet kjo procedurë emrat e kandidatëve do të kalojnë nga KED, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe më pas, Kuvendi zgjedh gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese me jo më pak se tri të pestat e të gjithë anëtarëve të tij.

Nëse Kuvendi nuk zgjedh gjyqtarin brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kandidati i renditur i pari në listë shpallet i emëruar. Pra praktikisht vendi ynë mund të konsiderohet pa Gjykatë Kushtetuese, sepse edhe ata anëtarë që kanë ngelur pas shkarkimit të Lulos, nuk mund të marrin dot më asnjë vendim. Kjo pasi Kushtetuesja nuk mund të zhvillojë seancë të rregullt ligjore nëse nuk plotësohet kuorumi me të paktën 6 gjyqtarë. Me largimin edhe të Fatos Lulos, tashmë mbeten vetëm pesë anëtarë.
Por, referuar ligjit, 5 gjyqtarët e mbetur nuk plotësojnë kuorumin për zhvillimin e një seancë të rregullt.

GJYQTARET E LARGUAR 

Fatos Lulo (I pezulluar nga Vettingu)
Besnik Imeraj (dha dorëheqjen)
Vladimir Kristo (u largua pas mbarimit të mandatit)
Sokol Berberi (dha dorëheqjen)

GJYQTARËT NE DETYRË
Bashkim Dedja
Vitore Tusha
Altina Xhoxhaj
Fatmir Hoxha
Gani Dizdari

Nuk mund të akuzojmë tre vajzat e reja të KPK, të cilat sapo kanë mbaruar shkollën dhe vlerësojnë gjyqtarë me një barrë eksperiencë, por duket një hile e mazhorancës. Taktikisht e kanë shkrirë Gjykatën Kushtetuese për të mos marrë asnjë vendim, aq më tepër çdo vendim apo ligj që miraton apo do të miratojë parlamenti, pas ditës së sotme, nuk vjen më në kushtetuese nëse dikush ankohet. Dihet se vetëm Gjykata Kushtetuese ka fuqi kushtetuese për të shfuqizuar ligj, vendime të parlamentit apo vendime të Qeverisë.

Tani duke e nxjerrë jashtë funksionit real gjykatën kushtetuese, PS-ja dhe veçanërisht Kryeministri, mund të bëjnë çdo gjë, sepse nuk ka kush që t’jua shfuqizojë.

Taktikë djallëzore!

Pritet që Marrëveshja për detin me Greqinë të firmoset në favor të interesave greke për zonën ekonomike dhe parlamenti do ta miratojë me shumicë të thjeshtë. Edhe nëse Presidenti, fjala vjen, nuk do ta miratojë përsëri parlamenti e rimiraton, sepse nuk ka më Gjykatë Kushtetuese për të vendosur. Greqia pret tani me gëzim një “vdekje” të tillë të Kushtetueses, pasi në vitin 2009 kjo Kushtetuese e rrëzoi marrëveshjen me Greqinë. Në Athinë sot ka festë.

Ata, të pestë që kanë mbetur në Kushtetuese thjesht shkojnë në zyrë, por nuk marrin dot vendime, sipas Kushtetutës për mungesë kuorumi.

Edi Rama paska qenë mjeshtër edhe për punët e Vettingut në Drejtësi!

S.P.