Neranxi/ Si mashtroi ministri i Ramës për regjistrimin e pronave të himariotëve dhe skenari më i ri për t’i grabitur ato përfundimisht. Video

Kur erdhën në Himarë me 6 tetor të vitit të kaluar, u pritën me fishkëllima! Kjo ndodhi, sepse banorët e Himarës nuk kanë besuar asnjëherë se zgjidhja e problemit të pronave të tyre, mund të vijë nga ata që thurin përditë plane se si t’i grabisin ato. Në video ju mund të shihni me zë dhe figurë sesi Ministri Gjiknuri, ndër të tjera edhe një djalë nga Himara, mashtroi pa iu skuqur faqja. Ai premtoi hapjen e një zyre në Himarë për të bërë regjistrimin e pronave të himariotëve. Që atëherë kanë kaluar rreth 6 muaj, zyra u hap vetëm disa ditë, si gjithmonë vetëm për të bërë show dhe asgjë nuk u zgjidh.
Tani kanë shpikur një mënyrë tjetër për t’ja vjedhur tokat banorëve autoktonë dhe për të vijuar grabitjen e tokave të bregdetit, njësoj siç kanë bërë katrahurën në Dhërmi dhe Jal.
Pak ditë më parë, Kryeministri Rama, me anë të një VKM-je, pezulloi ligjin 7501 për zonat e bregdetit. Siç dihet himariotëve nuk iu janë regjistruar tokat si të trashëguara, por me anë të ligjit 7501. Por në fakt ato janë tokat e tyre të trashëguara dhe me anë të kësaj VKM-je, këto toka që deri tani nuk kanë pranuar t’ju a hipotekojnë, himariotët do t’i humbasin përfundimisht. Dhe e kam bindje që kjo VKM është bërë vetëm për t’ju vjedhur përfundimisht tokat himariotëve, pasi i mashtruan për vite me rradhë se do t’ju a hipotekojnë.
Por ta dijë mirë Edi Rama dhe çdo gjithkush tjetër që ka bërë plane për grabitje, që ne tokat do t’i mbrojmë me gjak dhe nuk lëvizim nga ai vend që na e lanë trashëgimni dhe amanet të parët tanë edhe pse e dimë tashmë, që në mesin tonë ka edhe hipokritë që po bashkëpunojnë me grabitësit pushtetare. Por edhe ata do demaskohen shumë shpejt dhe do mbahen mend si tradhtarët e Himarës. Ne nuk tërhiqemi nga beteja jonë!

Nikollaq Neranxi, Kryetar i Shoqatës për Mbrojtjen e Pronave, Shtëpive, Historisë dhe Kulturws Himarë.