Zheji thirrje Muç Nanos: Mos u merr me gjoksin e begatë të Ildës, por me Musolinin tonë

Në debatin publik, “për gjoksin” e moderatores Ilda Bejleri, ka ndërhyrë edhe gazetari Artur Zheji.

Ai i kërkon kolegut të tij Mustafa Nano që nëse do të bëjë gazetari të vërtetë, atëherë duhet të merret më problemin e madh që ka vendi ynë aktualisht. Dhe sipas Zhejit ky problem është Edi Rama, i cili po funksionon si diktatori italian Musolin.

“Një debat me pak apo aspak thelb ky që lidhet me gjoksin sharmant të Ildës, ose më saktë me dekoltenë e saj dhe linjat trupore të vajzës simpatike të ekraneve.

Kjo më kujton i dashur Muç, një episod nga kinemaja italiane në kohën e fashizmit, vite më parë kuptohet. Asokohe u shpikën filmat rozë, që të largonin vëmendjen e italianëve nga lufta që po përgatiste Musolini dhe këto “seriale” u mbiquajtën filmat e “telefonave te bardhë”, pasiqë shumica e dialogëve zhvillohej në telefonat e porsa shpikur të viteve ’30…

Telefona të bardhë për zonjushat elegante dhe të veshura lehtë për kohën.

Ndërkohë kërcisnin arrestimet politike të antifashistëve. Ndërsa kritika debatonte për melodramën e filmave të Telefonave të Bardhë.

Ndërkohë pra, edhe ky debati për “Gjoksin e begatë” të Ildës, është të kërkosh qimen në syrin e kësaj çupe të hirshme, kur trau i qeverisë dhe kamzhiku i oligarkëve, detyron shqiptarët të braktisin Shqipërinë përmes lotëve.

Kjo është gjithmonë zgjedhja jote sovrane Muçi, por unë mendoj se: Gjoksi i Ilda Bejlerit, është më i ndershëm dhe shumë më i fisëm se qeverisja e sotme apo se gjoksi prej silikoni i ca grave në pushtet…”, shkruan Zheji në portalin e tij.