E fundit/ Basha niset drejt Lezhës

Vetëm një orë pasi ka dhënë këtë deklaratë, kryetari i opozitës Lulzim Basha ka mbërritur në qytetin e Lezhës dhe ka nisur një takim me drejtuesit e Partisë Demokratike, ku pritet të japë një mesazh të rëndësishëm.

Takimi i tij me demokratët vjen një ditë pas arrestimit të kryebashkiakut demokrat të Lezhës, Fran Frrokaj për abuzime me tokat në bregdet, arrestim për të cilin Basha sot ka ngritur dyshimin e madh se është i njëanshëm, fryt i një drejtësie selektive të orientuar nga kryeministri Edi Rama.

“Sot dua t’u them të gjithë shqiptarëve se ne urojmë që Fran Frrokaj të jetë i pafajshëm, – tha kreu i opozitës. – Qëndrimi im dhe i PD-së është i pandryshuar: të gjithë duhet të jemi të barabartë para ligjit, por ne kërkojmë që hetimi të jetë transparent dhe i paanshëm. Shqiptarët kërkojnë një drejtësi të pandikuar nga axhenda politike selektive të orientuara nga një krah politik drejt një krahu tjetër,” theksoi ai.