Nga Erl Kodra/ E drejta për ushqim

0

Për kujtesë, Parlamenti Shqiptar sot debaton për varfërinë. Të shpresojmë se do të kujtohet ndonjëri se të flasësh për varfërinë është tjetër gjë, ndërsa ta luftosh atë realisht është tjetër gjë.

Sipas Raportuesit Special të Kombeve të Bashkuara, e drejta për ushqim është e drejta për të patur akses të rregullt, të përhershëm dhe të pakufizuar, drejtpërdrejt ose me anë të blerjeve financiare, për ushqim sasior dhe cilësor, adekuat dhe të mjaftueshëm, që korrespondon me traditat kulturore të popullit të cilit konsumatori i përket, dhe që siguron një jetë fizike dhe mendore, individuale dhe kolektive të kënaqëshme, dhe përmbush një jetë dinjitoze pa frikë.

Ky përkufizim është në përputhje me elementet themelore të së drejtës për ushqim siç përcaktohet nga Komenti i Përgjithshëm nr. 12 të Komitetit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat Kulturore (organi përgjegjës për monitorimin e zbatimit të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Ekonomike Sociale dhe Kulturore në ato shtete që janë palë në të). Komisioni deklaroi se “e drejta për ushqim të mjaftueshëm realizohet kur çdo burrë, grua dhe fëmijë, vetëm ose në bashkësi me të tjerët, ka qasje fizike dhe ekonomike në çdo kohë për ushqim të mjaftueshëm, ose ka mundësi për sigurimin e tij. E drejta për ushqim të mjaftueshëm nuk do, pra, të interpretohet në një kuptim të ngushtë apo të kufizuar i cili e barazon atë me një paketë minimale të kalorive, proteinave dhe vitaminave të tjera të veçanta. E drejta për ushqim duhet të realizohet në mënyrë progresive.

Ky është përkufizimi i të Drejtës për Ushqim, si një e Drejtë Universale për cdo qenie njerëzore që jeton në planetin Tokë.

http://www.ohchr.org/Pages/PageNotFoundError.aspx…

E drejta për ushqim përbën themelin dhe bazën absolute të së Drejtës Njerëzore, e sanksionuar kjo në të gjitha dokumentat ndërkombëtare, konventat, kushtetutat e vendeve të botës, si dhe në të gjitha dokumentat bazë të OKB-së. Kjo e drejtë është e njohur që në shoqëritë parashtetërore, fundja kjo përbën thelbin dhe rrugën e vetme për të jetuar, për cdo qenie të gjallë, për bimët, kafshët dhe njerëzit. Të gjitha shtetet e botës, së pari kanë patur dhe kanë shqetësimin kryesor të tyre ushqimin e popullsisë, pastaj zhvillimin e mirëqenien. Madje edhe shtetet diktatoriale, të paktën formalisht kanë patur si problem pikërisht ushqimin, sepse pa ushqim cdo shoqëri denatyrohet, zhytet në kaos ose luftë civile.

Rrjedhimisht, sigurimi i mjeteve bazë të jetesës, si ushqimi, veshmbathja, ilacet, ngrohja dhe streha e sigurtë, përbën një të drejtë të patjetersueshme të cdo qytetari shqiptar, që për fat të keq, asnjëherë nuk është siguruar nga shteti shqiptar dhe asnjë qeveri shqiptare.

Në rregjistrimin e fundit të popullsisë rezultojnë afërsisht 2.8 milion banorë që jetojnë brenda kufijve të Shqipërisë. Niveli ekonomik, nisur nga niveli i rrogave në sektorin publik dhe privat i shumicës se punonjësve shqiptar vërtitet rreth 20.000 deri në 40.000 lekë në muaj. Egziston vetëm një kategori e vogël për disa profesione dhe një numër po kaq i vogël punonjësish të administratës publike që marrin paga më të larta, por në thelb nuk tejkalon 10 % të të gjithë të punësuarve në Shqipëri. Po ashtu, pensionet janë në nivel shumë të ulët për shumicën e pensionistëve shqiptar, përjashto një numër të papërfillshëm të pensioneve te posacme.

Nisur nga shumë raporte të Bankës së Shqipwrisë dhe të INSTAT, të organizatave të huaja dhe vendase, shumica e te ardhurave të shqiptarëve shpenzohen për ushqim. Këto të dhëna mungojnë vetëm nga qeveritë shqiptare, që për ironi të fatit, nuk ka publikuar asnjëherë minimumin jetik për njeri, dmth për këtë qëllim nuk egziston asnjë informacion nga qeveria shqiptare, pavarësisht nga krizat e brendshme dhe të jashtme ekonomike, pavarsisht nga rritja e cmimeve dhe e taksave në vite.

Në përgjithësi shqiptarët kanë mbijetuar falë dy faktorve; punës së tyre (insiativës së lirë me shumë informale) dhe migracionit masiv. Të ardhurat nga emigrantët (remitancat) janë faktori i dytë që ka mbajtur në këmbë ekonomine shqiptare, shtetrore dhe familjare. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë këto të ardhura kanë qenë promotori kryesor i hyrjes së parasë (euro dhe dollarë) në Shqipëri, i investimeve kryesore në ndërtim dhe biznese private familjare. Vit pas viti, këto para (vitet më të mira me rreth 800-1 miliard euro) kanë ardhur duke u rrudhur falë krizave ekonomike të vendeve ku është përqëndruar emigracioni shqiptar, por edhe falë integrimit të të ikurve të viteve 90, brez i cili është integruar plotësisht në vendet ku jetojnë, kanë krijuar familjet e tyre, dhe kanë shkëputur lidhjet me pjesën tjetër të familjes që jeton akoma në Shqipëri.

Në të vertetë, në Shqipëri ka egzistuar një shtresë popullsie në numër të konsiderueshëm, diku rreth 400.000 deri në 500.000 shtetas që jetojnë në varfri të plotë, me të ardhura të papërfillshme. Ka raporte se këta të varfër jetojnë me 2 dollar në ditë, të tjerë thonë se jetojnë me 40 lekë, ose një Raport i Bankës Botërore që thotë se rreth 47 % e familjeve shqiptare jeton me rreth 500 lekë në ditë. Këto shifra janë thjesht një mjerim i mirëfilltë, i pa rrokshëm për asnjë arsye njerëzore.

Po si mbijetojnë këta njerëz? A është e mundur që një njeri, një burrë, grua apo fëmij të jetoj vetëm me disa dhjetra cent në ditë?

Në fakt këta njerëz nuk jetojnë, ata thjesht e mbajnë frymën gjallë. Plaken në moshën 40 vjecare dhe vdesin në moshwn 60 vjecare. Këta njerëz lindin të uritur, rriten të uritur dhe vdesin po të uritur. Këta njerëz nuk kanë gojë, janë të padukshëm, ndjehen plot turp për varfrinë e tyre, për skamjen, për barkun bosh, pwë këmbët zbathur, për rrobat e grisura. Këta njerëz nuk dinë asgjë se cfarë do të thotë fjala proteina, kalori dhe vitamina. Ata jetojnë në veri dhe juq të Shqipërisë. Kryesisht në fshatra ose në periferi të qyteteve të mëdha. Janë të të gjitha moshave, fëmij, gra, burra dhe pleq. Këto dy tre vitet e fundit, po e braktisin vendin në mënyr të frikshme. Me qindra, me mijra. Ata thjesht po ikin nga uria.

Detyra themelore e cdo qeverie, aq më tepër e një qeverie të zgjedhur në mënyr demokratike, e ka për detyrë kushtetuese të mbroj interesat e popullit. Së pari të ushqej popullin e saj, dmth të siguroj mjetet e jetesës për të gjithë. Një qeveri që ka braktisur afër 500.000 njerëz, me një popullsi prej vetëm 2.8 milion banor, në realitet nuk po përmbush detyrat e saj kushtetuese, si mbrojtjen e interesave kombëtare. Sepse ndryshe nuk mund të lihen të jetojnë në këtë mizerje këto qenie njerzore. Ne jemi vend i vogël, dhe të rrezikosh jetët e 500.000 njerëzve, t’i lësh ata në një mjerim ekstrem, të paushqyer, pa proteinat e nevojshme, në thelb është krim kundër popullit, rrjedhimisht krim kundër interesave kombëtare, rrjedhimisht tradhti kombëtare.

Kjo është vetëm një përpjekje e vogël për të sjell para opinionit zërin e atyre të uriturve të pagojë, që nuk i dëgjon askush, që nuk i honeps asnjë politikan, që cdo palë zgjedhje shkojnë t’u blejnë voten me nga një thes miell ose me një grusht para turpi dhe gjaku, para që në të vertetë janë të tyret, por që ata nuk kanë mundur, nuk kanë patur mundësi, nuk i kanë lejuar, që edhe ata të gezojnë të drejtën për të patur akses të plotë në të mirat publike, ashtu sic e kanë bërë monopol të tyre të gjithë politikanët e tre partive kryesore politike në Shqipëri.

Por cila mund të jetë zgjidhja?

Unë nuk do të përpiqem të bëj ekspertin ekonomik, por do të përpiqem të bëj një matematikë elementare, të barazvlefshme për arsimin 9 vjecar. Nëse marrim të mirëqenë shifrën prej 500.000 personash të varfër, dmth ekstremisht të varfër, që jetojnë me 500, ose 1000 lekë të vjetra në ditë, dhe u japim një ndihmë ekonomike prej 70 euro për person në muaj, na del kjo llogari:

500.000 persona x 70 euro muaj x 12 muaj = 420 milion euro në vit.

Me 420 milion euro në një vit zhduket uria në Shqipëri, para të cilat do të shkojnë 100 % për konsum, pra janë para që do të ushqejnë ekonominë, konsumin, prodhimin, biznesin e mesëm, tregëtinë me shumicë dhe pakicë. Këto para do të ishin oksigjeni i jashtëzakonshëm për të cilin ekonomia shqiptare është bërë anemike dhe është zhytur në depresion. Me këto para do të parandaloje edhe emigrimin masiv e popullsisë, do të parandaloje edhe shumë probleme sociale, si dhunën, lypjen, vjedhjen, prostitucionin etj. Me këto para që do të shkonin për shtresën më të varfër të shoqërisë do të parandaloje shumë sëmundje që vijnë nga keq ushqyerja e popullatës, nga mungesa e proteinave dhe kalorive të nevojshme.

Eshtë shumë më e arsyeshme që të mos shpenzohen para të tjera për rrugët, sheshet e qyteteve, për partneritete publik privat si ai i kontrollit mjeksor “falas me para publike” per 10 vjet etj etj. Buxheti i shtetit ka kaq shumë zera dhe shpenzime luksi, sa realisht është e pakonceptueshme për cdo njeri me arsye normale, që nuk e sheh se para se gjithash, në krye te herëve, së pari, më e rëndësishmja e gjithckaje, kryesorja dhe kryefjala e cdo buxheti, te cdo qeverie, te cdo shteti, te cdo shoqerise dhe bashkësie njerzore, është ushqimi, buka, proteinat, vet jeta e njeriut. Pikë!

Edhe sikur këto para të merren borxh, të rritet borxhi publik, mendoj se kjo duhet bërë gjithësesi, sepse për mendimin tim, ky do të jetë investimi më i mirë, më rentabël, më fitimprurës, sepse do të jetë për njerëzit, këto para do të shkojnë për ushqime, veshmbathje, ilace, energji elektrike, këto para do të taksohen nga sistemi fiskal etj etj. Shkurt, ky do të ishte transfuzioni më i mirë i gjakut për 500.000 shqiptarët e varfër, por edhe për ekonominë kombëtare të zhytur ine deflacion dhe gati në gjendje asfiksie të plotë.

E mira do të ishte që Opozita Shqiptare të marrë seriozisht këtë propozim, ose dicka tjetër të ngjashme, ta përpunojë me specialist te fushës, sepse vetëm kështu do të kthehet shpresa e humbur dhe do të ndalet hemoragjia kombëtare e migracionit masiv. Më mirë vonë se kurrë.

Të dhënat e cituara në këtë tekst janë marrë nga Raporte të ndryshme të Bankës Botërore, Banka e Shqipërisë, Instat, nga web faqet dhe organizata të ndryshme shqiptare dhe ndërkombëtare.

Shënim:
Publikuar për herë të parë më 26 Maj 2016. Për fat të keq, gjendja është rënduar akoma më tej, dhe sot me mijëra familje shqiptare gjenden në kushtet ekstreme te ekzistencës fizike.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

About The Author