Eni Vasili blen një vilë 168 mijë euro në Gjirin e Lalzit. FOTO

Moderatorja Eni Vasili, në një intervistë të datës 4 shkurt për suplementin e gazetës Panorama (Plus), tregonte ndër të tjera se ‘vazhdon të paguajë kredinë për shtëpinë’. Vasili e bënte këtë deklaratë duke iu përgjigjur pyetjes për ‘gazetarët gjobvënës”. Vasili me rastin e kalimit të emisionit Studio e Hapur nga ‘kategoria e dytë’ në ‘kategorinë e parë’, duke marrë prime time-in e ditës së enjte, kishte botuar një koment lajmërues.

Zhvendosja e emisionit të Vasilit të enjten u bë e mundur pas kalimit në Top Channel të Ylli Rakipit me ‘Të paekspozuarit’. Editoriali i Vasilit ishte një ‘tregim dhëmbësh’ për Rakipin, një rivendikim i saj për rolin dytësor në News 24, por me gjasë edhe i medias ku ajo punon, me sa duket e pakënaqur nga largimi i Rakipit.

Pa dashur Vasili e tregon ‘porosinë’ kur gjatë intervistës për Panorama Plus thotë se ‘pronarët e televizioneve, e kuptojnë se nuk iu duhet një biznes (gazetarët gjobëvënës) brenda biznesit të tyre”.

A është Vasili e ndryshme nga ata që quan ‘gazetarë gjobvënës’? Të paktën në raportin mes atyre që thotë dhe atyre që jeton, jo. Në intervistën për Panoramën, ajo thotë se ‘paguan kredinë e shtëpisë’ dhe ky është pretendimi i saj, por Politiko.al ka mësuar se moderatorja sapo ka blerë një vilë në Gjirin e Lalit në kompleksin Vala Mar e cila kushton 168 mijë euro.

Vila është e llojit Ultramarine (pasi ka disa lloje objektesh në këtë kompleks) dhe përbëhet nga 133 m2 banim dhe rreth 400 m2 sipërfaqe toke përreth.

Dy pyetjet lindin në këtë rast: A e blen një vilë të tillë dikush që është duke paguar ende kredinë e shtëpisë dhe, a e blen dot një vilë të tillë një gazetar jo ‘gjobvënës’?

Shënim: Vila në foton kryesore është modeli i përfunduar i ‘Ultramarine’, siç shfaqet në sajtin e Vala Mar. Foto me logon Politiko është vila e Eni Vasilit e cila është duke u marrë me rregullimin e pronës së sapoblerë. /Politiko.al