“Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara”, reagon pas kronikë së publikuar në Report Tv.

Aktualitet
 “Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara” është e detyruar të bëjë një sqarim lidhur me një lajm të publikuar, duke u bazuar në një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit, fatkeqësisht pa e lexuar deri në fund atë. Jemi të detyruar t’ju bëjmë me dije se është e vërtetë që Kontrolli i Lartë i Shtetit ka ushtruar kontroll në Agjencinë tonë dhe nuk ka gjetur asnjë shkelje, sepse nuk ka asnjë të tillë, me përjashtim të rekomandimeve që janë dhënë nga ekspertët e KLSH. Në kronikën e transmetuar sot në TV si dhe në shkrimin që e shoqëronte në faqen e internetit thuhet se janë zhdukur 22 llogari bankare nga manovrat e zyrtareve, por e vërteta është ndryshe dhe krejt e kundërta e asaj që pasqyron ky lajm. Nëse gazetarët do ishin në përmbushje reale të misionit të tyre do e kuptonin lehtësisht, se nëse do të kishte një “fakt” të tillë, atëherë Kontrolli i Lartë i Shtetit do kishte konstatuar një dëm ekonomik e për rrjedhoje do të kishte dërguar për ndjekje penale zyrtarë të kësaj Agjencie.
Dhe kjo jo vetëm që nuk ka ndodhur, por as nuk është marrë masë administrative ndaj ndonjë punonjësi tonë. Në realitet nuk bëhet fjalë për asnjë pasuri të zhdukur, aq më shumë, për llogari bankare. Bëhet fjalë për pasuri, të cilat nuk janë marrë kurrë në administrim nga AAPSK-ja, sepse nuk ekzistojnë fizikisht. Për ta bërë më të kuptueshme për gazetarët dhe publikun mund të japim një shembull: Nëse gjykata vendos sekuestrimin dhe marrjen në administrim të një, dy apo tre automjeteve apo pasuri të tjera të luajtshme, ka ndodhur që gjatë ekzekutimit të Vendimit mos jenë gjetur të gjitha këto pasi mund të jenë tjetërsuar, fshehur apo shkatërruar nga personat kundër të cilëve është vendosur sekuestrimi.
Pra dhe KLSH në raportin e saj e ka konstatuar një gjë të tillë dhe për hir të transparencës ju bëjmë me dije se rekomandimi ka qenë pikërisht për të mbajtur një regjistër të veçantë për evidentimin e këtyre pasurive të pa marra në dorëzim. Sa i përket 22 llogarive bankare, sqarojmë se ato kanë qenë të sekuestruara personave dhe shoqatave të dyshuar për financim të terrorizimit. Pas revokimit të kësaj mase, asnjë person apo përfaqësues i shoqatave nuk është paraqitur për të marrë këto llogari bankare, për rrjedhojë kthimi i tyre ka mbetur pezull. Siç citohet edhe në raportin e KLSH-së (pa destinacion). Pra, mediat, nëse nuk kanë dashakeqësi, janë tërësisht të painformuar, ose e bëjnë këtë qëllimisht për të përfituar audiencë, bazuar në lajme tërësisht të pavërteta.
Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara është në dispozicion të të gjitha mediave serioze që duan informacion të hollësishëm mbi këtë çështje, apo edhe të tjera, duke besuar fort se bashkëpunimi serioz me median është një vlerë jo vetëm për ne si institucion, por për publikun mbi të gjitha, duke besuar se zbatimi i ligjit është kryefjalë e punës tonë-përfundon reagimin e saj kjo Agjensi.
Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?