Manjani: Marrëveshja antikushtetuese, Xhafaj-Marku terror politik ndaj opozitës

0

Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani i është rikthyer sërish marrëveshjes së nënshkruar një ditë më parë mes Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe kryeprokurores Arta Marku, marrëveshje që synon krijimin e Prokurorisë së Posaçme por sërish të përkohshme, deri në krijimin e SPAK-ut, dhe që do të hetojë krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivele të lartë

Por kjo marrëveshje për Manjanin jo vetëm që është antikushtetuese, ka si qëllim që të terrorizojë njerëzit e opozitës, në mënyrë që të heshtet për problemet e qeverisë “Rama”.

Përmes një statusi në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, Manjani shprehet se shtrirja e terrorit politik, sipas marrëveshjes do bëhet në çdo prokurori, ku do përzgjidhen 3 prokurorë që do jenë nën hyqmin e Policisë politike të Rilindjes!

“Pra ata që organizojnë protesta kundër Rilindjes, do “ndëshkohen” në qytetet e tyre”- thotë Manjani.

Komenti i plotë i ish-ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani

“Të mirat” e marrëveshjes anti-kushtetuese.
————
Opozita dje listoi me shumë të drejtë rreziqet e një marrëveshje haptazi anti-kushtetutë e anti demokraci.

Ashtu është ajo copë letër që dhunshëm, vë nën hyqmin e Rilindjes, duke e nxjerrë nga shinat e ligjit, të gjithë skemën e ndjekjes penale të shtetit për qëllime politike! Rreziku është evident!

Por dua të evidentoj edhe disa anë “pozitive” të saj:

1. Ajo është provë shkresore e fortë që dëshmon se Rilindja nuk pyet për Kushtetutë e ligjet e shtetit. Ajo tashmë ka ligjet e drogës, trafikut dhe kodin e heshtjes mafioze që po i përdor.

Çdo veprimtari anti Rilindje tashmë konsiderohet krim. Ashtu si kurse çdo krim i Rilindjes konsiderohet veprimtari qeverisëse!

Marrëveshja u hartua për këtë gjë dhe e provon!

2. Qëllimi i saj është të terrorizojë njerëzit që mbështesin opozitën, duke kriminalizuar me zor drejtuesit e saj. Por po të mendosh ditën që Rilindja nuk është më në pushtet, do ti duhet të ikë edhe nga Shqipëria, se do ta hajë më keq nga ky soj ligji që po zbaton për kundërshtarët.

Shtrirja e terrorit politik, sipas marrëveshjes do bëhet në çdo prokurori, ku do përzgjidhen 3 prokurorë që do jenë nën hyqmin e Policisë politike të Rilindjes!

Pra ata që organizojnë protesta kundër Rilindjes, do “ndëshkohen” në qytetet e tyre.

Demokraci, jo shaka!

3. Me anë të kësaj marrëveshje kuptojmë qartësisht se kush janë rilindasit, brenda shërbimit të Prokurorisë së shtetit, që janë ftuar të kontribuojnë dje me shkresë zyrtare nga zonja e përkohshme Arta Marku.

Ata nuk do përzgjidhen me short, siç thotë ligji, por me urdhër të zonjës Marku vihen drejtpërdrejt nën hyqmin e Fatmir Xhafës, që kryeson hetuesinë politike të Rilindjes!

Kujtojmë që ky personazh është i “specializiuar”në luftën kundër shfaqeve të huaja dhe në hetimin e agjitacionit e propagandës.

Pra, të paktën do ti njohim kush janë ata që do shfaqen si shërbëtorë të zellshëm të ligjeve të Rilindjes!

4. Kjo marrëveshje legalizon pabarazinë e trajtimit të gjytarëve dhe prokurorëve, përpara vetting.

Prokurorët që do përzgjedhë marrëveshja, vettohen për 3 ditë, jo nga vettingu, por nga Rilindja!

Të tjerët duhet të presin me muaj që të vettohen nga Vettingu sipas Kushtetutës!

Barazi Rilindase! Por të paktën nuk i beson më kush se e kishin seriozisht vettingun!

5. Me këtë marrëveshje kuptohet qartë se kush nuk e do SPAK-un! Rilindasit e kanë frikë në palcë një prokurori të pavarur që tu hetojë korrupsionin! Ndaj shpikën task forcën dhe ëmërimin politik të prokurorisë politike nën emërtimin “e përkohshme”!

Pra SPAK sa të jetë Rilindja nuk ka për të ekzistuar e as funksionuar!

Propaganda se kush nuk e do reformën tashmë është bajate. Lexoni marrëveshjen dhe e kuptoni qartë!

6. Më në fund kjo marrëveshje dhe në tërësi sjellja e Rilindjes me sistemin e Drejtësisë ka legjitimuar rivendosjen e drejtësisë popullore e politike të Enver Hoxhës.

Kjo sjellje do të nxisë reagimin e shoqërisë, jo për politikanët e tyre po për sistemin demokratik që tashmë është në ditën e vet më të zezë!

Kush mendon se ka zgjidhje brenda këtij sistemi që ka ndërtuar Rilindja, nën hundën tonë, të marrë plaçkat e të ikë nga vendi më mirë!

Tani beteja duhet të jetë: demokracia kundër autokracisë kriminale!

Rilindja nuk ka lidhje me demokracinë!

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

About The Author